top of page

Fatmir Terziu: Mjeshtri, që penelon ditëlindjet me art

Mjeshtri, që penelon ditëlindjet me art


 Prof. Dr. Fatmir Terziu


Sot është ditëlindja e një artisti që nuk i numëron vitet me kalendar, por me dritë, ngjyrë dhe kujtesë. Buron Kaceli, piktori i mirënjohur shqiptar, i përket asaj race krijuesish që e shndërrojnë jetën në telajo dhe telajon në një akt fisnikërie shpirtërore. Tek ai, arti nuk është vetëm profesion apo mjeshtëri teknike, por mënyrë të qenit, një etikë e brendshme që vjen nga tradita, kultura dhe një ndjeshmëri e rrallë njerëzore. Njohja me Buron Kacelin, dikur në atdhe, në një kohë vrullesh e ndryshimesh demokratike, mbeti menjëherë një shenjë dalluese: qetësia e komunikimit, mirësjellja qytetare, kultura e trashëguar dhe forca e brendshme e karakterit. Ishte e dukshme se pas fjalëve të pakta fshihej një botë e tërë përjetimesh dhe një udhë e gjatë arti, e gatuar me durim, disiplinë dhe dashuri për të bukurën. Kjo e bënte Buron Kacelin jo vetëm një piktor të respektuar, por një intelektual të tipit perëndimor, fisnik në detaj dhe i përkorë në qëndrim.

Një dhuratë nga kolegu i tij Ilir H. Kuke, në një ditë të tillë, i cili kohë më parë ka shkruar: "Arti shpesh përshkruhet si një udhëtim drejt brendësisë, por më saktë ai është një udhëtim drejt përvojave të pakuptuara që ne mbajmë me vete prej vitesh..."
Një dhuratë nga kolegu i tij Ilir H. Kuke, në një ditë të tillë, i cili kohë më parë ka shkruar: "Arti shpesh përshkruhet si një udhëtim drejt brendësisë, por më saktë ai është një udhëtim drejt përvojave të pakuptuara që ne mbajmë me vete prej vitesh..."

Ai vjen nga një fis ku arti dhe atdhedashuria nuk kanë qenë zbukurim, por mënyrë jetese. Tradita e familjes Kaceli, me rrënjë të thella qytetare tiranase, e ka ushqyer që herët shijen ndaj së bukurës, ndjeshmërinë ndaj së vërtetës dhe respektin për kulturën. Në këtë truall u rrit Buron Kaceli, duke e përthithur artin si ajrin, duke e ndjerë si nevojë shpirtërore dhe duke e shndërruar më pas në gjuhë universale shprehjeje. Në krijimtarinë e tij, peizazhi zë një vend të veçantë, por jo si strehë komode; përkundrazi, si hapësirë reflektimi. Peizazhet e Buron Kacelit janë gjendje shpirtërore, dialog mes njeriut dhe natyrës, poezi e heshtur ku ngjyra flet më shumë se fjala. Portreti, nga ana tjetër, shfaqet si një thellim psikologjik, një përpjekje për të depërtuar përtej fizionomisë, për të kapur njeriun e brendshëm. Ndërsa kompozimi, gjinia më komplekse, i jep mundësinë artistit të ndërtojë rrëfime të plota, ku çdo element ka peshë dhe ku mesazhi lind natyrshëm.

Buron Kaceli është nga ata artistë që nuk u dorëzuan as në kohë të vështira. Jeta nuk e ka përkëdhelur gjithmonë, por asnjëherë nuk ia ka thyer boshtin krijues. Përkundrazi, vështirësitë e kanë bërë më këmbëngulës, më të përqendruar dhe më besnik ndaj artit të tij. Në periudha largimesh të detyruara, në kushte jo gjithmonë miqësore, ai e gjeti strehën te piktura, duke e shndërruar atë në formë rezistence dhe vetëpërkëdheljeje shpirtërore. Sot, kur e shohim krijimtarinë e tij në tërësi, kuptojmë se Buron Kaceli ka ndërtuar një univers të vetin artistik, jashtë modave kalimtare dhe ndikimeve të zhurmshme. Arti i tij buron nga përjetimi i sinqertë, nga dashuria për atdheun, nga respekti për njeriun dhe nga besimi se e bukura dhe e vërteta janë të pandara.

Në këtë ditë ditëlindjeje, Buron Kaceli nuk feston vetëm një vit më shumë jete, por një pasuri të tërë veprash që i ka dhënë kulturës shqiptare. Ai mbetet një vlerë e qëndrueshme, një emër që e nderon artin pamor shqiptar dhe një mjeshtër që, me penelin e tij, vazhdon të “penelojë” kohën, kujtesën dhe shpresën. Gëzuar ditëlindjen, mjeshtër! Arti juaj le të vazhdojë të na flasë me qetësinë, dinjitetin dhe bukurinë që vetëm shpirtrat e mëdhenj dinë ta dhurojnë.

3 Comments


Sari Sari Cakmakxhian
3 hours ago

Respekte

Like

Blerim Turka
3 hours ago

Edhe 100 per Mjeshterin e math e meriton kete pespekt po edhe me shum

Like

Buron Kaceli
4 hours ago

Ju falenderoj shumë i nderuar mik Fatmir Terziu për vlersimin që më bëni.

Like

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page