Fatmir Terzu: KY VARG DO TË TË LAGË
- Prof Dr Fatmir Terziu
- Oct 23
- 2 min read

KY VARG DO TË TË LAGË
Nga Fatmir Terzu
Në atë moment nuk paqtohej vetëm stuhia
ishe mjaftueshëm për të qenë kuptimplotë
lexoja tek lëvizjet se çfarë duhet të jetë poezia
pjesa tjetër ishte vazhdimësi si një lojë.
Kjo është arsyeja pse po shkruaj poezi,
i thashë vetes, si një i përhumbur në çast,
ndërsa krijoja duke të parë vetëm në sy,
sytë e tu ishin më shumë se miliona fjalë.
U bënë menjëherë qiell e tokë bashkë,
ëndërrimi u mënjanua dhe ti ishe blu,
lakuriqësia ishte mall edhe pse larg,
shiu filloi të lëshonte pika nga këtu.
Dhe malli im u rrit, truri nuk mund të flinte
ti thjesht, ikje dhe vije, po shtrydhje detet e tua,
unë besoja me bindje se ky shiu që binte
binte për hir të zbrazëtisë, ndoshta druaj.
Ndaj habitesha kur shihja shi në blunë pa re
ishe lakuriq, pa asgjë tjetër, përveç poezisë,
edhe nëse nuk më kujton mua, unë e di, se atje
poezia nuk pret që shiu të ndaloj prej rastësisë.
Ka disa distanca që nuk presin vetëm letra,
dhe se disa poezi nuk presin që shiu të ndalet,
momentet janë vetëm ëndrra pa vepra,
ky varg do të të lagë, se vetë ende po laget.
… PA GRIMIN E VJESHTËS
Gjatë gjithë ditëve të saj të vetëdijshme
shegëza lëshon lule dhe mbush trotuarin me ngutje,
ajo thotë vetëm lamtumirë të dhimbshme:
me emocionin e parë të gjethes prej erës
me mbroljen e parë të kokrrës
me pjalmin e parë dehës
me ngjizjen e parë të përbashkët,
gjatë gjithë ditëve të tij të vetëdijshme
rrushi bën të njëjtën gjë
me të gjitha herët e tij të para
ngjiz e zgjat lastarin deri tek e ndara
tani të dy pyesin veten
kur do të puqen për herë të parë
pa thënë më në fund lamtumirë
në trotuar.









Comments