top of page

Fatmir Terziu: Yzeir Plaka, vitet ikin, por ai mbetet i njëjti

  • 1 day ago
  • 2 min read

 

Yzeir Plaka është një nga ata pinjollë të fisit të nderuar Plaka në Gostimë, që e kanë mbajtur emrin e familjes jo vetëm si një trashëgimi, por edhe si një përgjegjësi njerëzore e shoqërore. Është njeri i thjeshtë, fisnik, asnjëherë pretendues, por gjithnjë qëndrestar. Një burrë që nuk ka pasur nevojë të bëjë zhurmë për të dëshmuar vlerat e tij.

E kam njohur Yzeir Plakën në një periudhë kur isha Sekretar i Marrëdhënieve Publike në Degën e PD-së Elbasan, ndërkohë që ushtroja edhe profesionin e gazetarit në RD dhe në televizionin privat „Dardan“. Ishin vite të ngarkuara politikisht e shoqërisht, vite kur fjala, qëndrimi dhe guximi kishin një peshë tjetër. Dhe në takimet, fushatat, intervistat, mbledhjet e në ato hapësira ku demokracia duhej të provohej me transparencë e me qëndrime konkrete, Yzeir Plaka shfaqej gjithnjë si një vizionar i qartë, demokrat i vendosur dhe njeri që nuk lëkundej lehtë nga bindjet e veta.

Ai është një demokrat i lindur, një njeri që e ka ndërtuar bindjen e tij jo mbi interesin e çastit, por mbi një mënyrë të të menduarit dhe të jetuarit. Për të, fjala e dhënë ka peshë. Qëndrimi ka dinjitet. Dhe demokracia nuk është vetëm një emër partie, por një mënyrë për të respektuar njeriun, lirinë dhe të drejtën për të menduar ndryshe.

Yzeir Plaka është edhe një shqiptar i mirëfilltë patriot, si në origjinën e tij, ashtu edhe në udhëtimin e tij jetësor. Historia e familjes dhe e njerëzve të saj ka kaluar edhe nëpër ato kohë të vështira kur një emërtim i vendosur nga sistemi mund të shndërrohej në barrë për një familje të tërë. Në vitet e komunizmit, familja Plaka u përball edhe me damkën e „kulakut“, një etiketim që nuk ishte thjesht një fjalë, por një mënyrë për të veçuar, përjashtuar dhe rënduar jetën e njerëzve. Pikërisht kjo e kaluar e bën më të kuptueshme edhe forcën e tij të mëvonshme për të besuar te demokracia dhe te liria.

Sot e ndjek nga larg, përmes rrjeteve sociale. Kanë kaluar vite. Kanë ndryshuar njerëzit, rrethanat, teknologjia, mënyra e komunikimit dhe vetë panorama politike. Por kur shoh Yzeir Plakën, kam ndjesinë se koha ka marrë me vete shumë gjëra, por jo atë qëndrueshmëri që e ka karakterizuar gjithmonë. Vitet ikin, por ai mbetet i njëjti. Po ai njeri i thjeshtë. Po ai burrë që mban fjalën. Po ai demokrat i palëvizshëm në bindjet e tij. Po ai qëndrestar në ide dhe në veprim. Ndoshta sot, pas gjithë këtyre viteve, do ta quaja një demokrat „24 karat“: të pastër në bindje, të drejtpërdrejtë në qëndrim dhe të vështirë për t'u lëkundur nga erërat e momentit.

Në një kohë kur shumë njerëz ndryshojnë qëndrim sipas rrethanave, Yzeir Plaka mbetet një dëshmi se bindja politike mund të jetë edhe karakter. Mund të jetë kujtesë. Mund të jetë dinjitet. Dhe mbi të gjitha, mund të jetë besnikëri ndaj asaj që njeriu ka besuar prej kohësh.

Prandaj, kur e kujtoj nga ato vite dhe e shoh sot, largësia nuk më duket aq e madhe. Sepse disa njerëz nuk maten me kilometrat që na ndajnë dhe as me vitet që kalojnë. Ata maten me gjurmën që lënë në kujtesë. Yzeir Plaka është një prej tyre. Vitet ikin. Njeriu plaket. Koha ndryshon. Por karakteri, kur është i vërtetë, mbetet.

1 Comment


Yzeir Plaka
a day ago

Po o i dashur miku im fatmir vitet ikin por kujtimet e jetes ato na ngelen te skalitura ne mendjen tone,,,ja qe u plakem,,ja qe lame pas kaq e kaq kujtime por kujtimi me i bukur ne jete jane shoket,,miqte,,por edhejeta qe na privoj shume gjera jo per fajin tone ,,,por ne gjeja me e shenjte e jetes ,,fisnikerija,, kjo eshte ajo qe ne na dha ate qe sot ne nemi keta qe jemi ,,faleminderit miku im

Like

Shkrimet e fundit

bottom of page