top of page

Fatmir Terziu: Xheladin Mjeku, portreti i njeriut gjithëarmësh në letërsinë shqiptare

  • Feb 1
  • 2 min read

Xheladin Mjeku, portreti i njeriut gjithëarmësh në letërsinë shqiptare

 

E kam takuar vite më parë në Prishtinë. Ishte një takim i shkurtër, me pak fjalë, por i mjaftueshëm për të ndjerë menjëherë njeriun e urtë, atdhetarin e heshtur, penëartin dhe kritikun e përkushtuar të krijimtarisë shqiptare. Sot, në ditëlindjen e tij, Xheladin Mjeku shfaqet edhe më qartë si një figurë gjithëarmëshe e letrave shqipe: poet, tregimtar, kritik, publicist, por mbi të gjitha një shërbestar i palodhur i fjalës dhe kulturës sonë. I lindur më 1961 në Graboc të Epërm të Prishtinës, Xheladin Mjeku vjen nga një formim i gjerë dhe domethënës. Pas shkollës së mesme të mjekësisë, ai studioi Letërsi dhe Gjuhë Shqipe në Universitetin e Prishtinës, duke zgjeruar më pas horizontin edhe në fushën e Teknologjisë Ushqimore. Ky ndërthurim dijesh, mes shkencës dhe artit, e ka shoqëruar gjithë jetën e tij profesionale dhe krijuese.

Ai nga viti 1982, ka punuar në Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik të Kosovës, në Departamentin e Ekologjisë Humane, duke dëshmuar se shërbimi ndaj shëndetit publik dhe shërbimi ndaj letërsisë mund të ecin paralelisht, pa u përjashtuar. Për më shumë se tri dekada, Mjeku nuk është shkëputur asnjëherë nga krijimtaria letrare për të rritur e për fëmijë, as nga publicistika dhe kritika letrare. Vjersha e tij e parë, “Qershori historik”, e botuar në vitin 1978 në revistën letrare “Pionieri”, shënon fillimin e një rruge të gjatë e të qëndrueshme. Që prej asaj kohe, shkrimet e tij janë bërë pjesë e pothuajse të gjitha gazetave dhe revistave në gjuhën shqipe në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni të Veriut dhe Mal të Zi, si dhe në shumë portale elektronike brenda dhe jashtë hapësirës shqiptare. Prania e tij e vazhdueshme në shtyp dëshmon jo vetëm produktivitetin, por edhe besnikërinë ndaj fjalës së shkruar.

Veprimtaria e tij është vlerësuar me disa çmime letrare, ndër to për tregim, poezi dhe cikle poetike, kulmuar me çmimin e parë për librin “Mëkatet e Orfeut” në vitin 2010 dhe për përmbledhjen “Në kopshtin e muzave” në vitin 2012. Një plagë e hapur në biografinë e tij krijuese mbetet humbja e madhe gjatë luftës së vitit 1999, kur u shkatërruan libra, dorëshkrime dhe materiale të botuara, një dëshmi e dhimbshme e sakrificës së kulturës shqiptare në kohë dhune.

Si autor, bashkautor dhe antologjist, Xheladin Mjeku ka lënë gjurmë të dukshme me botime poetike, monografi, publicistikë dhe libra për fëmijë, duke ndërtuar një opus të pasur dhe të larmishëm. Ai është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, i Shkrimtarëve dhe shqiptarëve Krijues në Ekzil me qendër tek „Fjala e Lirë“ në Londër, po ashtu dhe i Klubit të Shkrimtarëve Shqiptarë në Botë “Drita”, duke qenë gjithmonë aktiv në jetën letrare dhe kulturore. Në ditëlindjen e tij, urimi për Xheladin Mjekun është njëkohësisht mirënjohje, për këmbënguljen, për ndershmërinë intelektuale, për dashurinë ndaj gjuhës shqipe dhe për përkushtimin e tij të palodhur. Qoftë kjo ditë një ndalesë e bukur në rrugën e gjatë të krijimtarisë së tij dhe një nxitje për vepra të reja, që do të pasurojnë edhe më tej letërsinë shqiptare. Urime dhe jetë të gjatë në shërbim të fjalës!

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page