top of page

Fatmir Terziu: Viktor Qurkun e quanin „Majakovski shqiptar“…

Updated: Mar 28





Viktor Qurkun e quanin „Majakovski shqiptar“…


Prof. Dr. Fatmir Terziu



Pyetja e nënshtruar e bërë nga një mik, në një kafene angleze, më kapi duke u zhytur në mendimet e mia. Pikërisht në vijën kritike që ndan naivitetin e njohjes nga tallja skeptike e pjekurisë. Sepse sot, megjithë tonelatat e grimcave shpirtërore me të cilat duhet të ruaj imazhin e dijeve dhe vlerave në këtë mbretëri të largët të ngarkuar me tallava torbash, ndihem ndonjëherë marrëzisht pa peshë në disa biseda. Të vetme mbesin fjalët, që ngulen hera-herës, në ballin e gradacionit përballë heshtjes ironike. Flisja për poetët që ikën. Flisja për ata që nuk e njohën frikën. Por zërrat i kishte marë zërrimi i kohërave dhe… Unë fola po për kë?

E thashë me vete dhe u ndjeva i lehtësuar. Pas shumë vitesh fotosinteze në epruvetën pa dritë dhe pa shi të kësaj rrumpalle, edhe pas asaj kohe, kuptova se edhe sot e kësaj dite disa tipare njerëzore mbeten të pandryshueshëm edhe për Eksperimentuesit e Mëdhenj, të cilët na dërrmuan në globalizim me recetat e tyre gjeopolitike për mjerimin universal. Pa kufij dhe shije të bëra në shtëpi. Pa preferenca dhe teka. Është një tavolinë uji e zhveshur pa asnjë shans për një Big Bang që do të na gjuante në mënyrë deevolucionare në orbitën e kundërt të lumturisë së thjeshtë, periferike. Cili nga princat multikulturorë do të na kthejë përsëri në bretkosa, duke kërcitur nga gëzimi që jemi kthyer në qëllimet tona të gjallë dhe të padëmtuar! Siç thonë me të drejtë njerëzit, „çdo bretkocë e njeh rrugën e vet“, por kjo është një temë tjetër, që ka të bëjë me ekologjinë globale të kënetave... Sot ju tregoj një shembull, nga ai që ua tregova atyre.

***


Ndërsa filloi të shkruante atë e quanin „Majakovski shqiptar“. Kishte shfaqur aftësitë e tij që herët, por kur mbaroi Fakultetin për Gjuhë Ruse, ai kishte marë një pjekuri të jashtëzakonshme. Talenti i tij spikati shumë, por ndeshi në harkun e xhelozive dhe shpotive të kohës që jetoi. Dy vitet si pedagog në Fakultetin ku studioi i dhanë një emër tjetër, duke prekur dhe shkallët e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistve të Shqipërisë së asaj kohe, por ndërsa i ngjiste dhe më shumë emër bënte, aq më shumë xhelozi shfaqeshin rreth tij. Kështu emri i poetit dhe intelektualit të formauar të kohës, Viktor Qurku, tashmë nuk ishte vetëm në Çorraj ku lindi më 1941. Emri i tij krahas auditoreve, Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistve të Shqipërisë, punës në Pallatin e Kulturës në Tiranë, u gjend në gazeta, sidomos tek „Drita“ dhe në librat „Midis Jush“ (1967), „Stinë pas stine“ (1971) dhe „Mos harroni“ (1976).  

Me nënën e tij të urtë kooperativiste, me vëllain Polo Qurku që kishte rënë dëshmor për kohën situata e tij dukej komode, por me babain që kishte qenë Prift, edhe pse kur u prish feja dhe ai u largua i pari nga veshja kishtare, sërrish nuk mund të mos ndiqej me një damkë nga pas. Nuk mjaftohej vetëm kjo, por dhe kritikat për tendenca liberale në punë e mjaft të ngjashme, më pas ndikuan dhe në paragjykimin e poezive të tij. Sytë e katër motrave dhe tre vëllezërve që mbureshin me të, shpesh do të zinin mjegullën e kohës, që dihej tashmë pse. I pasionuar pas poezisë ndërsa botoi librin. Eparë, menjëherë në një kohë rekord bëri të dytin, disa herë më të mirë se i pari, por jo vetëm që nuk ia botuan, por ia masakruan dhe ia zhdukën të gjitha poezitë.

Në këtë kohë sipas një prej kushërrinjve të tij, nga Çorraj, kompozitorit Adham Prifti, mësohet të ishte shprehur: „Nuk më zhdukën poezitë, por më morrën edhe shpirtin“. E vërtetë ata kishin filluar që t'ia merrnin shpirtin. Në fillim kritikat. Pastaj tendenca liberale, më vonë fryma ruse e disa të tjera krijuan gangrenën në shpirtin e tij. Në këtë kohë zërat trazues shkuan thellë, deri tek e fejuara. Ajo e ngarkuar nga këta zëra të djallëzuara i tha fjalën e fundit të divorcit, dhe kështu Viktor Qurku u kthye një ditë në Çorraj.

Ishte viti 1983. Ai ishte nisur për në Durrës si fillim. Atje kishte takuar vëllain e tij, më pas edhe Dhimitër Priftin dhe pasi ishte përqafuar fort ishte nisur për në Çorraj. Në Çorraj, vendlindjen e tij mbërriti mbasdite vonë. Vajti në shtëpi. Takoi nënën e tij. E përqafoi fort dhe i dha 1 kilogram kafe dhe një shumë lekësh. Pastaj fare i qetë doli nga shtëpia ku kishte lindur.

Motra e tij sapo e mori vesh që kishte ardhur u gëzua dhe vrapoi që ta takonte, por më kot. E kërkuan gjithandej. E kërkuan … dhe vetëm të pasnesërmen e ardhjes së tij ia gjetën trupin e pajetë në një humnerë të fshatit Çorraj, jo shumë larg shtëpisë së tij. Kështu u shua dhe u mbyll përgjithnjë në humnerën e vdekjes e të harresës talenti që e quanin „Majakovski shqiptar“. Në kujtimet e të Tjerëve ai mbeti poeti, i qarti dhe i vërteti, ai që vinte jo nga rrjeshti, por nga Talenti.


1 Comment


Guest
Mar 28

Sa mirë që me këtë shkrim ke kujtuar poetin e shquar Viktor Qurku, që u nda para kohe nga kjo botë. Respekte e mirënjohje Fatmir Terziu!

Like

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page