top of page

Diagonalja dhe disimetria e lidhjes organike ‘folk-poezi’


Viktor Qurku

Fatmir Terziu


Vitet shtatëdhjetë lanë ndikimin e tyre folk-poetik në tërë strukturën e një poezie të dominuar nga propaganda shtet-parti. E gjitha ishte një nomenklaturë didaktike që vinte nga kryqëzime zyrash me një diagonale të përbashkët. Në këtë diagonale u përfshinë emra të dëgjuar, por sipas porosisë së shtrirjes tek masat, zëri iu dha edhe të tjerëve, ose edhe pse jo ‘talentëve’ me partishmëri. Kur dikush nga këta talentë devijonte disi, fati e përcillte në një kënd tjetër, në këndin e harresës së përjetshme. I tillë ishte Viktor Qurku. Viktor Qurku (1941-1983), një poet modest nga Çorraj i Kurveleshit botoi mjaft poezi në fund të viteve gjashtëdhjetë e në fillim të viteve shtatëdhjetë, para se të binte viktimë e spastrimeve të 1973- shit. Humbi pasi e kishin demaskuar për poemën Shkëlqimi, dhe vrau veten duke u hedhur nga një shkëmb. Në qershor të vitit 1975 ai do t’i përkushtohej tërësisht një psikoze që ndikohej nga propaganda e kohës, ku sipas parimit ‘i vogli mund gjigandin’ do të botonte poezinë ‘Të shtrëngojmë duart krenarisht, ty, Kamboxhie’. Një vjershë që më së shumti ishte në fakt jo një ditiramb për Qeverinë e asaj kohe, por një thirrje nën zë për atë cka kishte ngjarë me një popull që e kishte çuar politika e tij qeveritare në një luftë që kishte pjell vetëm ‘varre dhe vdekje’: “Qeveria jonë i dërgoi përshëndetje, I dërgoi gëzimin e popullit tim, O popull që ke parë varre e vdekje, O popull që ke ndjerë trekëmbësha të zinj...” (Qurku, 1975: 15). Në anën tjetër Andrea Varfi, Andrea i lindur në Qeparo të Vlorës më 21 shkurt 1914, i cilësuar si njëri ndër shkrimtarët përparimtarë të viteve '30 dhe ndër nismëtarët për krijimin e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, vepra letrare e të cilit është përmbledhur në dy vëllime, nuk ia ndante sytë Azisë së largët, jo vetëm në konceptimin e tij, por edhe në lidhjen me tërë makinën e propagandës së asaj kohe që dënonte “Shtëpinë e Bardhë, Vatikanin e tërë botën Perëndimore’ duke vënë vargun e tij në një gjeografi të largët me Shqipërinë, në Vietnam. Varfi shkruan në vjershën e tij “Flet Saigoni: Qyteti Hiroshim”: ‘”Pigmë Vietnami? Vigan proletari” duke parathënë atë lidhje që edhe pse gjeografikisht ishte skajore, në thelb kishte ‘lulet e Një Majit’ apo ‘yllin e kushtrimit’. (Varfi, 1975: 13). Më tej ishte Llambro Ruci, me poezinë ‘Ndezësit e Triumfit” (1975) shkonte më tej kur zgjeronte hapësirën kohore duke dhënë piedestalin e këtij triumfi në një kohë gati tridhjetë e pesë vjecare: “35 vjet të shurdhuan, ty Vietnam” apo edhe më ttutje në vargun sinonim “35 vjet brinjët e tu krisën Vietnam”. Tipike dhe disi e ndërlidhur fort me skajshmërinë e lidhjes organike midis poezisë dhe folklorit në atë shërbim të devotshëm ndaj propagandës, ishte edhe poema Perikli Jorgonit, “Zëra të largët nga Nëntoka”. Në këtë poemë Jorgoni gjallëron lidhjen historike të kulturës së memorjes me tërë lidhjen në dobi të konsekuencës organike folk-poezi. Ai e gjen këtë shtrirje tek rapsdi, lahuta, këta elementë të arsyeshëm të folklorit, për të realizuar fabulën e tij me Mbretin Glauk dhe tërë dimensionin e një kafke të gjetur nga punëtorët në galeri.


Folklori, ‘autori anonim’ dhe krijimtaria


38 vjet më parë në ‘kritikën letraro-artistike shqiptare’ studimi i Profesor Ymer Çirakut, edhe pse kishte një synim të sqaronte lidhjen organike midis poezisë dhe folklorit, duke lexuar poezinë e Dritëro Agollit, theksin ia vinte termit ‘populli është plotësisht tokësor’ (Çiraku; 1978:43). Në një mënyrë të ngjashme, Llambro Ruci, (1981) sillte në këndin pamor ‘njerëzit për të cilët rron poeti’ duke pasqyruar elementët determinues në vëllimin poetik të Spiro Dedes “Njerëzit për të cilët rroj”. Ruci shihte poezinë që mbruhet në vlagën e jetës së përditshme ‘të ushqyer mes të rrahurës së zemrës së njeriut të thjeshtë të popullit’. Kështu në një mënyrë tipike kritiku e diktonte arsyen e lidhjes së kësaj krijimtarie me elementin më të domosdoshëm të saj ‘folklorin’. Dhe këtë term studiuesi Çiraku ndoshta disi më anësore edhe kritiku Ruci e shihnin thuajse gati njësoj, e vështronin metafizikën e saj në çdo fushë të mendimit e veprimit, por edhe në atë të krijimit. (Çiraku, 1978 dhe Ruci; 1981). Veçse, Çiraku shtonte dhe e bënte më të prekshëm faktin detajues se pranë stanit, parmendës, trëndafilit, lumit, luftës...lind kënga dhe vallja e popullit, pra gjendej filozofia me të cilën gatuhej standarti krijues, mes së cilës gjendej e shkuara, e tashmja dhe preambulohej e ardhmja. Dhe e gjitha kjo lindte ‘autorin anonim’ që sillte në lëminë e folklorit esencën në krijimtari të nisur që nga përrallat. Nga ana tjetër Agim Isaku duke komentuar mbi vëllimin poetik të Vasil Tabakut, “Në të gjitha ditët” sillte në një koordinatë debatuese ‘ngrohtësinë e jetës’, ku shihte se mbetej ‘i pastër imazhi i jetës së vrullshme’; por duke e parë poetin se ishte jo thjesht ‘soditës dhe këngëtar i kësaj jete’. Duke lexuar Isakun në kritikën e tij, gjejmë pikërisht atë nyje që vetë teksti na e sjell si një faktor në lidhjen që pasohet nga ‘folklori, ‘autori anonim’ dhe krijimtaria’. Ndërsa nga studimi i Çirakut natyrshëm mund të shohim zanafillën e shëndoshë të një studimi serioz e tepër të domosdoshëm për krijimtarinë dhe analizën letraro-artistike shqiptare, me të cilën autori tenton të sqarojë raportet në krijimtari mes trinomit ‘folkor-‘autor anonim’-krjimtari’.


Kompleksiteti ndërlidhës


Marrëdhënia në mes poezisë dhe tregimit gojor, apo edhe përrallës, është mjaft komplekse. Përralla e famshme “Sir Gawain dhe kalorësi Green” është vendosur në traditën Arthuriane, këndohet si këngë dhe është ngulitur në vlerat çivalrike. Ajo është shkruar edhe në një dialekt të veçantë të gjuhës angleze dhe përmban disa imazhe të fuqishme rurale dhe folklorike. Ajo është e njohur nga vetëm një dorëshkrim dhe është interpretuar në mjaft krijime, madje edhe në kinematografi. Por, edhe pse përbën një fakt lidhës me përrallën shqiptare të “Dhia e kecat”, me të cilën Agolli synoi konkretizimin e përfytyrimit të ndjenjave më abstrakte, duke përshkruar me hollësi detajet më simbolike, ajo nuk është tejkaluar kurrë si një ‘përdorim pa kursim’. Përdorimi i krijimtarisë së bazuar në të gjithmonë ka qenë elementar. Ndryshe ndodh me Agollin që përpos këtij konkretizimi mes futjes së motivit të përrallës, ‘mund të kishte përdorur atë më me kursim’. Çiraku shprehet se “Këtij konkretizimi i shërben në poemë edhe futja e (motivit të përrallës së dhisë e të kecave, që mbase, sic ka vënë në dukje kritika, mund të ishte përdorur më me kursim (Çiraku, 1978:46). Pra ky poet shqiptar që bazohej e frymëzohej nga krijimtaria folklorike e popullit dhe ‘autorit anonim’ duhej të mos kishte tejkaluar normat e lejuara të lidhjeve organike në mesin e krijimtarisë së shkruar dhe asaj gojore, ku përsëri sipas Çirakut del se “Si artist i madh, edhe në atë anë, populli është më konsekuent” (ibid). Shumë nga mitet e romancës që janë shkruar e botuar në botimet prestigjioze për laikët e pasur të klasës aristokratike janë në vargje dhe kanë një origjinë të pasur nga krijimtaria gojore. Kjo diktohet nga vetë origjina e tyre që frymëzohet në traditën gojore, pasi kjo krijimtari lexohej dhe këndohej nga të përzgjedhur për kënaqësinë e kësaj klase dhe jo të publikut të gjerë. Këto vepra tregojnë ekzistencën e diçkaje që ishte e zakonshme në traditën letrare mesjetare dhe asaj të krijuar me gojë, por që tani ka vlera të rralla për kulturën por edhe si një aspekt mesazhier për të treguar një lidhje në histori.


Disimetria me baladat


Këto krijime ishin prodhuar për blerësit e tyre që ishin të klasës së lartë dhe patronët e tyre, dhe ata duhej të shihnin natyrshëm të reflektuar veten e tyre në to, më së shumti në ilustrime. Është intriguese në fakt një ngjashmëri me baladat shqiptare, apo edhe Ballkanike në përgjithësi, ku shihet që heroi i këtyre baladave vinte nga shtresa të ndryshme sociale, me atë figurë të krijuar me mitin Robin Hood, e cila është fakt se gjendet në formë të dorëshkrimit, por materializohet vetëm nga tradita gojore. Segmentare me këtë fakt, parë nga një miniaturë tekstore, është vetëm një kopje e shekullit të 14 e serenatës së Aleksandrit, që përshkruan shekullin e 14 në mënyrë të hollë aristokratike jashtë kështjellës (Biblioteka Bodleian, MS Bodley 264, faqe:164b). (Nga Shoqëria e re Palaeografikales 1906). Këtu është ajo që mund të cilësohet si një disimetri në këtë lidhje. Marrëdhënia në mes dokumentit dhe krijimit me gojë të folkut apo edhe krijimit nën termin ‘autor anonim’, është e vështirë të shpjegohet në fakt kur veç faktorit ‘kohë’; janë edhe disa arsye të tjera që shtojnë dimensionin e disimetrisë. Disa vepra janë të njohura nga kopje-dorëshkrimet shumë të pakta dhe kjo mund të jetë e vështirë për të përcaktuar nëse një krijimtari e veçantë poetike në thelb është një punë e ardhur nga krijimtaria me gojë apo me shkrim, apo është kësisoj një punë letrare pothuajse e humbur. Por kjo është njëra anë. Ana tjetër është ajo që vjen ‘nga përdorimi pa kursim’ të cilin me gjuhën e Çirakut mund ta shohim si një devijim të vlerave reale të tij, si një ‘autorësi’ e përvetësuar gabim e në rrugë të debatueshme.


Lënda e poetit dhe figurat


Kjo ndoshta mund të shihet edhe si një arsye të cilën në krijimtarinë e Agollit, Çiraku e sheh si arsye ‘pikëreferimi’. Vetë autori i këtij studimi të marrë në konsideratë dikton: “Nga natyra përqark, ashtu si populli, poeti nxjerr edhe lëndën për të ndërtuar figurat stilistike, sidomos krahasimet, similitudat, epitetet, paralelizmat figurative, metonimitë e ndonjë tjetër. Larg manierave intelektualiste, të lidhura fortë me realitetin konkret ato s'tingëllojnë as banale e vulgare, por të shëndetëshme, tokësore e realiste. Përdorimi me sukses sidomos i krahasimeve në poezine e Agollit, kundërshton edhe ndonjë pikpamje naive të shfaqur aty-këtu rreth “inferioritetit” të kesaj figure në raport me të tjerat.”(Ibid). Studiuesi shqiptar e sheh edhe një fakt tjetër. Prania e natyrës me shfaqjet më të shumëllojta të saj, është një tjetër element që fiton vlera artistike në një krijimtari popullor. Nga flora, fauna, aktiviteti familjar, blegtoral e bujqësor, njeriu i thjeshtë i punës ka sjellë pas vrojtimesh të shumta, personazhet dhe ambientet e balladave, legjendave e përrallave të tij. Në folklor, natyra me ambientet e saj s’kanë vlera ornamentale por shkrihen një me pathosin dhe idetë e krijimit. Poeti anonim u jep shpesh atyre atribute njerëzore dhe i vendos në raporte të tilla, që të shquhen në shkallën më të lartë cilësitë e njeriut. Në poezinë e Agollit natyra dhe ambientet shqiptare, sidomos ata nga fshati, zënë vend të dukshëm. Ndërsa tek ‘talentët’ e partishëm kjo është vetë fatura e asaj që prodhon diagonalja dhe disimetria e lidhjes organike ‘folk-poezi’.

19 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page