top of page

Fatmir Terziu: Vajzat e “Dhaskal Todhrit” që nderonin Elbasanin sportiv


ree

Vajzat e “Dhaskal Todhrit” që nderonin Elbasanin sportiv

 

Vitet e shkollimit në Shkollën e Mesme të Përgjithshme “Dhaskal Todhri” në Elbasan mbeten të paharrueshme, jo vetëm për formimin intelektual, por edhe për frymën sportive, që e karakterizonte atë institucion arsimor. Në bankat e këtij gjimnazi, në klasën time dhe në klasat paralele, studionin shumë të rinj e të reja që më vonë do t’i jepnin emër sportit elbasanas dhe do ta përfaqësonin qytetin me dinjitet në arena kombëtare e ndërkombëtare.

Midis tyre spikasin emra si Sokol Gjuraj, Artan Shyti, por veçanërisht dy vajza që u bënë krenari jo vetëm e gjimnazit, por e gjithë Elbasanit sportiv, Greta Kovaçi dhe Zyra Bevapi. Pikërisht në kohën kur kishim nisur vitin e dytë të shkollës së mesme, ato i dhuruan “Dhaskal Todhrit” emocione të jashtëzakonshme, pasi u renditën në mesin e dhjetë sportistëve më të mirë të vitit 1980 në Elbasan. Në atë dhjetëshe të artë të sportit elbasanas përfshiheshin emra të shquar: Hysen Domi – volejbollist; Elsa Jorgaqi – basketbolliste; Besnik Godo – atlet; Alfred Isaku – basketbollist; Greta Kovaçi – pingpongiste; Ligor Shaka – gjimnast; Zyra Bevapi – radioamatore; Vaide Duka – qitëse; Ferdinand Lleshi – futbollist dhe Mili Luniku – gjimnaste.

Ky vlerësim ishte një dëshmi e qartë se sporti në Elbasan kishte rrënjë të forta dhe se shkollat e qytetit, veçanërisht “Dhaskal Todhri”, ishin një vatër e rëndësishme e talenteve sportive.

Zyra Bevapi ishte dhe mbetet një shembull i rrallë i harmonizimit mes dijes dhe sportit. Ajo ishte një nxënëse shumë e mirë dhe më pas një studente e shkëlqyer, por njëkohësisht një sportiste elitare në radioamatorizëm. Zyraja u shpall plot 15 herë kampione e Shqipërisë në këtë disiplinë gjatë viteve 1977–1990, një arritje që flet për përkushtimin, inteligjencën dhe këmbënguljen e saj të jashtëzakonshme. Për kontributin e vyer në sportin elbasanas, ajo është nderuar me dekoratën “Mirënjohja e Qytetit” nga Bashkia Elbasan, me rastin e 110-vjetorit të klubit sportiv Elbasani.

ree

Nga ana tjetër, Greta Kovaçi, e lindur dhe e rritur në një familje sportistësh me emër, është një figurë e njohur dhe e respektuar në historinë e pingpongut elbasanas. Dikur një sportiste e talentuar që mbrojti me dinjitet ngjyrat e qytetit në gara të shumta kombëtare e ndërkombëtare, sot Greta vazhdon të kontribuojë në sport nga një tjetër pozicion po aq i rëndësishëm: ai i trajneres. Për Gretën, pingpongu nuk ka qenë kurrë thjesht një garë apo një numër medaljesh. Ai është një mision jetësor, një mënyrë për të edukuar brezat e rinj me vlera të forta si disiplina, përkushtimi, korrektësia dhe puna në grup. Me përvojën dhe pasionin e saj, ajo ka ndihmuar në formimin e sportistëve të rinj, duke i dhënë vazhdimësi traditës së pingpongut në Elbasan. Sot, Greta Kovaçi mbetet një figurë kyçe që i jep frymë, identitet dhe qëndrueshmëri këtij sporti, duke dëshmuar se suksesi i vërtetë nuk përfundon me mbylljen e karrierës si sportist, por vazhdon në përçimin e dijes dhe përvojës tek brezat që vijnë.

Historia e Gretës dhe Zyrasë është një dëshmi e qartë se vajzat e “Dhaskal Todhrit” nuk ishin vetëm nxënëse të shkëlqyera, por edhe ambasadore të denja të Elbasanit sportiv. Ato mbeten sot shembuj frymëzues për të rinjtë, duke treguar se pasioni, puna dhe këmbëngulja mund ta çojnë një qytet drejt krenarisë dhe lavdisë sportive.


Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page