top of page

Fatmir Terziu: Vajza mbi „Bianka“

  • 2 days ago
  • 3 min read

 

Retrospektivë

 

Ti zotëroje të gjitha stinët që unë i humba rrugës.

 

Je krijuar ndryshe nga kujtesa ime. Më huton.

Je një pasqyrë që nuk pranon pluhur.

Kam frikë nga qetësia jote.

Ke vite që unë nuk i kam më.

Ke fotografi të verdha në sirtarë,

ke letra që ende mbajnë erën e duarve,

ke emra që nuk janë shuar nëpër korridore.

Dhe, Zot, si të bien kujtimet mbi supe

si degë të lagura nga një shi i vjetër,

si trenat e harruar që ende presim të mbërrijnë

në stacione të braktisura.

 

Ti ke rrugë, ke dritare, ke ikje.

Ke buzëqeshje të ruajtura në gota kristali,

ke net pa gjumë,

ke zëra që ende trokasin

pas murit të kohës.

 

Pavetëdija jote duhet të jetë aq e gjerë

sa të mund të mbledhë në një grusht

fëmijërinë dhe pleqërinë,

një biçikletë të ndryshkur

dhe një aeroport me tabela elektronike,

një copë bukë të ndarë mes vëllezërve

dhe një ekran ku bota ndizet e fiket

me një prekje gishti.

 

Po të ishe një atlas i harruar

dhe unë një shënim i shkruar me laps

në cepin e një harte,

prapë do të takoheshim

te kufijtë që askush nuk i sheh,

mes lumenjve që kanë ndryshuar emra,

mes qyteteve që flenë nën reklama dhe mjegull.

 

Dridhem kur hap albumet e tua.

Ndihem i vogël kur dëgjoj hapat e viteve.

Pse duhet të ekzistojë një gjë e tillë si koha?

Dhe pse duhet të kalojë kaq shpejt?

 

Retrospektivë,

kafshë e butë me sy prej arkive,

me flokë të bërë nga kalendarë të grisur,

me xhepa plot stacione fiktive,

me gishta të njollosur nga bojërat e epokave.

 

Fener i kthyer nga mbrapa,

që nuk ndriçon rrugën përpara,

por shtegun e largët që kemi lënë pas,

aty ku ende zhbirojnë

zërat tanë të rinj,

si urith të vegjël

që nuk dinë se janë bërë kujtim.

 

Retrospektivë!

Bishë, me njolla dhe fitil vajguri,

kandil mbi nofulla kallaji,

ku po na shpie nëpër terr,

Fener.

 

 

Vajza mbi „Bianka“

 

e lehtë si puhizë vere

kalon mbi „Bianka“

vajza me flokë prej dielli.

 

ajo ka sy prej mjalti,

një buzëqeshje prej kajsie,

dhe një fund të kaltër që valëvitet

si xinxifull i fshehtë i korrikut.

 

mbi biçikletën e bardhë

ajo lëviz përgjatë bulevardit,

dhe në rrotat e saj

rrotullohen pasditet e rinisë.

 

zinxhirët këndojnë,

pedalet shkëlqejnë,

dhe adoleshentja përparon

duke tërhequr pas vetes

një re të vogël ëndrrash.

 

nën bluzën e hollë të verës,

nën kraharorin që merr frymë me ritmin e qytetit,

ajo fsheh një zilkë.

 

në atë zilkë jeton një Elbasan tjetër.

 

aty rrjedh Shkumbini prej argjendi,

aty kalaja është prej mjegulle të artë,

aty kambanat e mbrëmjes

bien mbi çatitë e kuqe si mollë.

 

sa mirë është në atë zilkë!

 

qielli është blu si kapaku i një fletoreje shkolle,

retë janë prej pambuk sheqeri,

dhe librat e bibliotekës

hapen vetë nga era.

 

edhe selvitë buzë rrugës

dinë përmendësh poezitë e para të dashurisë,

edhe harabelët mbi tela

mbajnë shënime për zemrat e trazuara.

 

çfarë bote e magjepsur!

 

në mbrëmje

kalojnë „Skodat“, „Arot“ e „Zisat“ e vjetër,

aroma e akullores përzihet me aromën e blirit,

dhe dritat e qytetit

ndizen një nga një

si yje që kanë zbritur në tokë.

 

mes tyre rrëshqet

vajza mbi „Bianka“.

 

në flokët e saj prej dielli

ajo mban gjithë verën e Elbasanit,

në sytë e saj prej mjalti

ajo mban gjithë habinë e moshës sonë.

 

rrotat rrotullohen,

pedalet shkëlqejnë,

dhe vajza përparon larg.

 

ndërsa unë mbetem këtu,

pas kaq shumë vitesh,

 

duke dëgjuar ende

atë zilkë të vogël biçiklete

që kalon nëpër kujtesë,

 

mbi „Bianka“,

 

si një këngë e rinisë

(ende më mban për doreë

nuk plaket kurrë

në Spahikore.

Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page