top of page

Fatmir Terziu: Unë shkruaj. E dini pse?

  • Apr 19
  • 2 min read

Unë shkruaj. E dini pse?

 

Nga Fatmir Terziu


Unë shkruaj në vendet nga të cilat rritet dikush. Unë shkruaj, jo në qendrat e zhurmshme ku fjala bëhet treg. Unë shkruaj në ato skaje të heshtura ku mendimi ende ka turp të dalë lakuriq. Janë vende me bukuri të zbehtë, të holluar si një dritë që kalon përmes perdes së një kujtese të vjetër. Pikërisht aty, ku gjithçka duket sikur është thënë më parë, lind nevoja për të thënë ndryshe. Jo më fort, por më thellë.

Unë shkruaj sepse mendimi im kërkon të ndahet nga mendimi i tjetrit. Unë shkruaj, jo për t’u përplasur. Unë shkruaj për të marrë frymë. Ka një çast kur idetë ngatërrohen si rrobat në një dhomë të përbashkët dhe nuk di më çfarë të përket. Shkrimi është ai akt i qetë i veshjes së vetes me atë që të takon, me atë që të dhemb, me atë që të shpëton.

Brenda meje rritet një qiri. Nuk është dritë që shpërthen, por një flakë e durueshme që ngjitet ngadalë, duke zbuluar qepje të çuditshme, plagë të vogla që koha i ka fshehur, madje edhe nga kujtesa e nënës. Shkrimi nuk i shëron gjithmonë, por i bën të dukshme. Dhe ndonjëherë, vetëm dukja është një formë shërimi.

Një urtësi e papritur melodike shpërthen në harpën e mendimit tim. E di që është e panevojshme për këto vende, për këtë kohë që kërkon shpejtësi dhe jo thellësi, por pikërisht për këtë arsye ajo duhet thënë. Duhet shkruar, sepse fjala që duket e tepërt sot, mund të jetë e vetmja që mbetet nesër.

Unë shkruaj edhe për heshtjen. Sepse vetëm heshtja nuk tradhton. Ajo nuk të premton, nuk të gënjen, nuk të kërkon të jesh dikush tjetër. Heshtja të mëson një art të vështirë, të rrish me derën e hapur dhe të mos presësh askënd. Dhe në atë mospritje, të mos ndihesh i braktisur.

Në një botë që kërkon zëra, unë zgjedh të shkruaj për të dëgjuar. Për të dëgjuar atë që nuk thuhet, atë që mbetet mes rreshtave, atë që ndoshta nuk do të kuptohet kurrë plotësisht. Sepse shkrimi nuk është vetëm një akt i të folurit. Shkrimi im është një mënyrë për të mos u humbur në zhurmën e përgjithshme. Unë shkruaj. Shkruaj, pra jo sepse kam gjithmonë diçka për të thënë, por sepse kam diçka që nuk dua ta humbas.

 

1 Comment


Fahri Dahri
Apr 20

Sa qartë përkufuzimi i të sotmes tonë: "Është koha që kërkon shpejtësi dhe jo thellësi".

Në interpretimin tim kjo shprehje përcakton saktë aktualitetin.

I nderuar profesor, të jem i sinqertë me ju dhe lexuesit, unë nuk e kap dot me hapat e mia shpejtësinë e gjithçkaje që më rrethon. Sa mirë do ishte që shpejtësia të kishte partnere të vërtetë edhe thellësinë.

Ju uroj më të mirat profesor Fatmiri

Like

Shkrimet e fundit

bottom of page