top of page

Fatmir Terziu: Unë dhe vetvetja

Unë dhe vetvetja

Fatmir Terziu

 

Kanë kaluar më shumë se dy dekada e gjysmë që kur distanca fizike nga Dhéu amë u shndërrua në një gjendje të përhershme mendimi. Largësia nuk u bë kurrë shkëputje, përkundrazi, ajo shërbeu si pasqyrë ku rrënjët u bënë më të dukshme, më të thella dhe më të ndërgjegjshme. Në këtë hapësirë ndërmjet ikjes dhe përkatësisë, vetvetja është bërë bashkëudhëtar i pandashëm. Ajo më njeh si baba, si burrë, si bir, si gazetar, redaktor, pedagog, shkrimtar, poet, filmkrijues, kritik dhe mik. Mbi të gjitha, më njeh si njeriun më të mirë që mund të gjej brenda vetes sime, më bujarin, jo më të mburrurin. Dhe unë e pyes hera-herës: A më njeh mirë? Ajo hesht dhe më shikon me katër sy. Të njoh, të njoh: „Ti je Njeri!“ Dhe kështu unë e shoh dhe ajo më sheh, drejt e në sy.

Për të paktën gjashtëdhjetë e dy vjet, unë dhe vetvetja kemi bashkëjetuar në një dialog të pandërprerë. Kemi shkruar, dëgjuar, parë dhe gjykuar njëri-tjetrin çdo ditë. Ky bashkëjetim nuk ka qenë gjithmonë i qetë, por ka qenë gjithmonë i ndershëm. Vetvetja është i vetmi subjekt që përpiqet të bëjë gjithçka siç duhet, edhe kur forca mungon, edhe kur lodhja e tejkalon vullnetin.

Unë e ndjek vetveten pa lënë gjurmë, si një prani që nuk kërkon dëshmi. E quaj vetveten me emra të thjeshtë: “djalë gazete”, “pedagog”, “djalë mirëmbajtjeje”. Janë emërtime modeste që fshehin një etikë pune dhe përgjegjësie të thellë, larg çdo narcizmi.

Vetvetja ka aftësinë të shohë, të dëgjojë dhe të lexojë Tjetrin në tërësinë e tij. Ajo ndien nevojën përpara se të artikulohet, hyn në situatë jo si vëzhgues, por si pjesëmarrës aktiv, duke zgjedhur fjalët dhe veprimet që kërkon rasti. Kjo nuk është rastësi. Është një zgjedhje e vetëdijshme, një disiplinë morale, një përpjekje e vazhdueshme për të qenë i dobishëm pa u imponuar.

Dhe e dëgjoj teksa pëshpërit, ose ndonjëherë ta ngrej zërin në telefon. Fatmiri e do heshtjen dhe shëtitjen, parqet dhe kopshtet, lulet, ekspozitat dhe muzikën. E do ujin mineral, vendlindjen dhe pamjen qetësuese të kësaj pllake shumëngjyrëshe që quajmë Tokë. Këto dashuri të vogla nuk janë strehë nga bota, por mënyra për ta përballuar atë me maturi. Fatmiri është një njeri i vetëpërmbajtur deri në kufijtë e durimit, e ndonjëherë përtej tyre. Një njeri i fjalës dhe i detyrës, për të cilin nderi nuk është koncept abstrakt, por praktikë e përditshme. Dhe kështu pyesin ndonjëherë ekzistencën. Vetvetja shpesh e pyet, se a mjafton kjo? Dhe përgjigjja vjen e qartë, sikurse nga vetvetja, kemi bërë shumë gjëra së bashku dhe duhet të bëjmë të paktën po aq më shumë. dhe shton, në një mjedis shpesh të lirë, të rremë, sipërfaqësor dhe të zbrazët, Fatmiri ofron mbështetje dhe dashuri të pakushtëzuar. Ai ka përvojë, ekspertizë dhe thellësi profesionale, por mbi të gjitha ka mirësi, humanizëm dhe ndershmëri. Ka ende kohë për shoqëri, për bisedë, për një gotë që nuk është arratisje, por ndarje e njerëzores.

Nuk ka autor, apo përkthyes shqiptar e tëhuaj, që të mos e ketë lexuar. Por leximi nuk ka qenë kurrë qëllim në vetvete, ai ka qenë gjithmonë mjet për të kuptuar, për të lidhur, për të ndërtuar ura. Ai i do vendet lirike dhe bukurinë e Elbasanit, shoqatat e papritura të simpatisë dhe ndihmës. I do veprimet e vogla që mbajnë rendin e jetës, kujdesin, rregullimin, ujitjen, krasitjen, hekurosjen, pastrimin, larjen. Një listë e gjatë gjestesh të thjeshta që dëshmojnë se etika fillon nga detaji.

Ky njeri meriton dashuri. Ama e thotë, vetvetja.

Për më shumë se gjashtëdhjetë e dy vjet, vetvetja më ka premtuar se do të flejë me mua për një mijë vjet. Ne shkruajmë para lindjes së diellit, gjatë ditës dhe pas perëndimit të tij. Vetvetja më ndjek njëzet e katër orë, pa pushim. Dhe ka vetëm një të vërtetë që mbetet e pandryshuar, kur trishtimi dhe neveria shfaqen, ai nuk ndalet. Përkundrazi, punon edhe më shumë. Ditë pas dite.

Faleminderit, vetvetja ime.

Të kam borxh shumë dhe nuk bëra kurrë mjaftueshëm.

Të dua. Natyrisht, ashtu siç dashuroj këtë grua që nuk është thjesht vetvetja ime.

Këtë grua që nuk e bën më nana.

Emrin e ka Luçiana.

13 Comments


Kozeta Mamaqi
41 minutes ago

Sa bukur te flasesh e gjykohesh nga vetvetja! Njeriu i vertete e ben kete, jo kushdo. Urime Fatmir, qe je keshtu , Njeri!

Like

Ahmet Shyqyriu
42 minutes ago

Si gjithmon pena e Fatmirit ka simbol lirine...

E sidomos kur ajo perdoret per gjysmen e tij ...qe fale vec MIRESI.

RESPEKT.

Like

Ledri Kurti - Kraja
42 minutes ago

Respekt per njeriun dhe vlerën, Fatmir Terziu !

Like

Mira Hanku
43 minutes ago

Kendveshtrim i vecante, i dobishem intrigant dhe ne masen e duhur i vetvetes qe, mendoj kushdo ne kete jete duhet ta kete si bosht i ekzistences. Urime Fatmir Terziu.

Like

Fatbardha Xhani Myslimaj
43 minutes ago

Pena e arte gjithmone shkruan me bojen e zemres. Kur mençuria dhe ndjenja behen bashke, lindin perla poetike. Faleminderit qe na ben pjese te dashurise, perkushtimit, harmonise e fisnikerise te jetes tuaj Fatmir Terziu ! Urimet me te mire per ju!

Dhe mirenjohje pa fund per vleresimet dashamirese ne vazhdimesi per ne krijuesit modeste!

Like

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page