Fatmir Terziu: Tre letërsitë e sotme

Tre letërsitë e sotme
Dikur dukej se letërsia shqiptare po zhvillohej në dy drejtime të mëdha, njëkohësisht dhe paralelisht, letërsia e mëmëdheut dhe letërsia e emigracionit. Dy hapësira të ndryshme, dy përvoja jetësore, dy këndvështrime mbi kohën, vendin dhe njeriun. Por, në fund të fundit, të dyja gjendeshin në një shtrat të vetëm, në atë të gjuhës, të kujtesës dhe të krijimit. Sepse artisti, krijuesi i vërtetë, nuk e merr vlerën e tij nga vendi ku ndodhet. Ai mund të shkruajë në Tiranë, në Elbasan, në Prishtinë, në Londër apo në çdo cep tjetër të botës. Ajo që mbetet është vepra. Dhe mbi të gjitha, misioni që krijuesi ka marrë mbi supe, të dëshmojë kohën e vet, të kërkojë të vërtetën njerëzore dhe t'i japë gjuhë asaj që shpesh mbetet e pathënë. Por sot, krahas këtyre dy hapësirave, po shfaqet një e tretë. Letërsia e ChatGPT-së.
Ndoshta ende është herët ta quajmë “letërsi” në kuptimin e plotë të fjalës. Por është e pamohueshme se një prani e re ka hyrë në qarkullimin letrar. ChatGPT nuk po përdoret vetëm për të shkruar tekste. Ai po përdoret për të korrigjuar, për të komentuar, për të interpretuar, për të analizuar poezi e romane dhe, mbi të gjitha, për të prodhuar një lloj të ri ligjërimi kritik. Dhe këtu fillon pyetja që më duket më interesante. Deri dje, një inxhinier mund të merrej me profesionin e tij, ndërsa në rrjetet sociale të komentonte politikën, shoqërinë apo çështje të ndryshme të ditës. Sot, me shfaqjen e mjeteve të inteligjencës artificiale, ai mund të hyjë edhe në një roman, në një poezi, në një autor, të kërkojë simbole, struktura, motive, ndikime dhe të japë një mendim që tingëllon krejtësisht letrar. Nuk them se kjo është domosdoshmërisht gabim.
Përkundrazi, çdo njeri ka të drejtë të lexojë dhe të shprehë përshtypjen e tij. Leximi nuk është pronë private e kritikëve. Por çështja ndryshon kur mendimi i lexuesit fillon të ndërtohet, të zgjerohet apo edhe të formulohet nga një makinë. Atëherë lind pyetja: A është mendimi i tij ende vetëm mendimi i tij? Apo është bërë një mendim i përbashkët mes njeriut dhe makinës? Kjo, sepse ChatGPT nuk lexon siç lexon njeriu që ka jetuar. Nuk ka fëmijërinë e autorit, nuk ka kujtesën e një vendi, nuk ka aromën e një oborri, zërin e një nëne, frikën e një kohe, emigrimin, humbjen, dashurinë apo heshtjen që mund të fshihet pas një vargu. Ai mund të njohë miliona tekste, të dallojë struktura, të krahasojë stile, të propozojë interpretime dhe të ndërtojë argumente. Por përvoja njerëzore që qëndron pas një vepre është një tjetër lloj dijeje.
Këtu, pra, nuk kemi thjesht një përballje mes njeriut dhe makinës. Kemi një pyetje për vetë natyrën e kritikës.
Kritiku tradicional hyn në një vepër me bagazhin e vet, me formimin, shijet, kujtesën, paragjykimet, përvojën, kulturën dhe kufizimet e tij. Makina hyn me një tjetër lloj bagazhi: me një masë të jashtëzakonshme informacioni, por pa një biografi njerëzore. Prandaj, kur një njeri i kërkon ChatGPT-së të analizojë një roman dhe pastaj e merr atë analizë si mendimin e vet, çfarë kemi përpara? Një kritikë të re? Një kritikë të ndërmjetësuar? Apo një autoritet të ri që ende nuk dimë ta masim?
Ndoshta letërsia e sotme nuk ka më vetëm dy brigje. Ka filluar të krijojë edhe një urë të tretë. Në njërën anë është krijuesi, në tjetrën lexuesi, ndërsa në mes po shfaqet makina. Por makina nuk duhet të na bëjë të harrojmë njeriun, sepse në fund të çdo romani, poezie apo tregimi nuk qëndron algoritmi. Qëndron një njeri që ka dashur të thotë diçka për një tjetër njeri. Dhe ndoshta pikërisht këtu do të matet edhe kritika e së ardhmes: jo nga sa mirë e përshkruan një makinë një vepër, por nga sa thellë arrin njeriu të kuptojë atë që makina nuk mund ta ketë jetuar.








Comments