Fatmir Terziu: Traditat që bashkojnë – Leksi Vini
- Prof Dr Fatmir Terziu
- 5 hours ago
- 5 min read

Traditat që bashkojnë! Këto janë fijet që lidhin të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen. Ato na kujtojnë se kush jemi, nga vijmë dhe pse i përkasim një familjeje të madhe të quajtur popull. Në Shqipëri, traditat nuk janë vetëm pjesë e kulturës, por edhe një lidhje e thellë që bashkon brezat dhe na jep një ndjenjë përkatësie.
Pse janë traditat kaq të rëndësishme?
Traditat janë zemra e çdo komuniteti. Ato janë festat, zakonet, ritualet dhe historitë që kalohen brez pas brezi. Në to gjejmë identitetin tonë, frymëzimin tonë dhe forcën për të ecur përpara. Në Elbasan, traditat janë të gjalla dhe frymëzuese. Kjo si pasojë e evenimenteve kulturore që përfshijnë librin, hulumtimin, pasqyrimin, leximin dhe gjithëpërfshirjen e asaj që ka qenë, është dhe duhet të mbetet. Nga këngët dhe tekstet e autorëve të vjetër e të mbajtur gjallë në Elbasan, nga rrobat tradicionale që i veshim me krenari çdo rast, deri te vallet e shenjta që magjepsin me magjinë e tyre. Ato janë bërë padyshim provë e shpirtit unik të evenimenteve që organizon Bashkia Elbasan dhe Biblioteka „Qemal Baholli“ në bashkëpunim me krijuesit e këtij qytetit të bukur.
Si na bashkojnë traditat?
Lidhjet familjare, janë së pari. Traditat e bashkojnë familjen rreth tryezës, rreth zjarrit ose rreth një feste. Ato na mësojnë se familja është themeli i çdo shoqërie. Për shembull, në pushime, e gjithë familja mblidhet për të gatuar tradicionalet që ka përshkruar mjeshtërisht Leksi i Vinit[1], dhe për të ndarë ngrohtësinë e rehatisë në shtëpi me atë që natyrshëm i përket edhe përditësisë dhe modernes.
Festat dhe zakonet
Çdo festë elbasanase, sikurse ajo shqiptare, ka kuptimin e vet të thellë. Dita e Verës afron harenë dhe jetën e ripërtërirë, një tjetër largon shpirtrat e këqij, një festë tjetër është simbol i rinisë dhe bukurisë, dhe Shën Gjergji është një kohë mirënjohjeje ndaj natyrës dhe pjellorisë. Këto tradita na kujtojnë lidhjen tonë me tokën dhe shpirtëroren.
Komuniteti dhe empatia
Traditat bashkojnë jo vetëm familjet, por edhe komunitete të tëra. Njerëzit nga një fshat, qytet ose rajon festojnë së bashku, këndojnë, kërcejnë dhe ndihmojnë njëri-tjetrin. Për shembull, Vallja e Bradasheshit është një valle që simbolizon komunitetin dhe harmoninë, (edhe pse po lihet mënjanë disi) kur jemi së bashku, jemi më të fortë edhe në emigrim, edhe kudo që jemi duke marë e mbajtur një copë Atdhe me vete.
Ndikimi i traditave tek fëmijët
Fëmijët tanë rriten me një ndjenjë rrënjësh kur marrin pjesë në festat dhe zakonet e vendit tonë. Ata mësojnë vlerën e familjes, respektin për të tjerët dhe gëzimin e të qenit pjesë e diçkaje më të madhe. Prania e traditave në jetën e tyre i ndihmon ata të ndërtojnë vlera të qëndrueshme dhe të kuptojnë vendin e tyre në botë. Për shembull, kur fëmijët këndojnë këngë ose marrin pjesë në atë vlerë të lashtë të mbajtur gjallë nga Leksi i Vinit, ata jo vetëm që argëtohen, por mësojnë edhe rreth historisë dhe kulturës së popullit të tyre, natyrisht edhe me një shkas tashmë më shumë duke lexuar përmbledhjet e tij në një libër të mrekullueshëm të realizuar nga Bashkia Elbasan.
Traditat në botën moderne
Edhe në botën dinamike të sotme, traditat mbeten një element kyç i identitetit tonë. Ato na kujtojnë se pavarësisht nga teknologjia moderne dhe ndryshimet që sjell jeta, ne jemi pjesë e diçkaje të përjetshme dhe të përkohshme. Traditat na ndihmojnë të ndihemi si në shtëpi, pavarësisht se ku ndodhemi. Ato na lidhin me njerëz të tjerë që ndajnë të njëjtat zakone dhe besime. Ato na japin kuptim dhe drejtim kur gjithçka përreth nesh po ndryshon.
Një thirrje për të ruajtur traditat
Ruajtja e traditave do të thotë ruajtja e vetes. Kjo është përgjegjësia jonë ndaj brezave të ardhshëm - t'u kalojmë atyre njohuritë, zakonet dhe festat që na bëjnë unikë. „Traditat nuk janë vetëm zakone. Ato janë kujtesa e popullit tonë, fryma dhe shpresa e tyre për të ardhmen.“
Përfundim
Traditat që bashkojnë - kjo është themeli mbi të cilin ndërtojmë jetën tonë, komunitetin tonë dhe të ardhmen tonë. Traditat shqiptare, sidomos ato elbasanase, janë shumë më tepër sesa rituale, ato janë lidhja midis brezave, një shprehje e dashurisë për atdheun dhe një mënyrë për të treguar se jemi pjesë e diçkaje më të madhe.
Le t'i festojmë traditat tona, le t'i ndajmë dhe t'i ruajmë ato, sikurse na i mbajti gjallë Leksi i Vinit[2] në materialet e tij në Elbasan. Ato nuk janë vetëm një urë për të kaluarën, por edhe një dritë për të ardhmen. Sepse kur traditat na bashkojnë, ne jemi më të fortë.
________________________________________________________________
[1] U lind në lagjen Kala të Elbasanit, i biri i Kostandin Josifit, ku dhe ndoqi mësimet në shkollën e kishës së Shën Mërisë në lagjen "Kala". Pas 1912-ës, në prag të Luftës Ballkanike, shkon dhe vazhdon shkollimin në Korfuz e më pas në Athinë. Në vitin 1919, Leksi është i regjistruar në një seminar fetar në Romë, Itali. Më 1922 kthehet në Elbasan, por largohet përsëri në Maqedoni për arsye ekonomike. Kthehet në Shqipëri dhe punon në Durrës për shumë vjet. Pas viteve 40-të ai kthehet në vendlindjen e tij në Elbasan. Pjesën më të madhe të jetës mbetet i papunë. Në moshën 60 vjeçare kur moshatarët e tij kishin dalë në pension detyrohet të punojë llustraxhi. Për këtë arsye e ndien veten të braktisur e të përbuzur nga njerëzit. Vdes i vetëm në Elbasan në një gjendje të vështirë ekonomike.
[2] Leksi Vini e filloi krijimtarinë e tij në vitin 1919, në moshën 17 vjeç kur jetonte në Itali. Poezitë e tij të para janë “Tundu tokë” dhe “O flamur”. Gjatë kohës që qëndroi në itali, filloi të merret edhe me muzikë e kompozime. Ky pasion e shoqëroi për shumë kohë gjatë jetës së tij. Leksi nuk reshti së shkruari me kalimet e viteve. Shumë ngjarje të jetës së tij dëshmohen në poezitë që shkruan si vargjet e dashurisë për një vajzë vendase me emrin Marian, gjatë qëndrimit në Maqedoni, ose kur shkruan për normalisten nga Elbasani pas viteve 40-të. Pasi kthehet në vendlidje, në vitet e para të çlirimit, Leksi punon vullnetarisht në Shtëpinë e Kulturës së qytetit. Në këtë periudhë ai krijon kontakt dhe bashkëpunim me mjeshtrin e muzikës Baki Kongolin, si dhe me muzikantë të tjerë si Gani Jahja, Kolë Popa, etj. Leksi Vini është njeri me shumë pasione e i ziejnë në kokë shumë ide, të cilat i hedh në letër. Shkruan poezi, prozë dhe kompozon këngë edhe pse i mungon formimi muzikor. Mblodhi rreth 360 këngë të vjetra, prej të cilave me shumë interes janë 20 këngë dasme të zonës së Zaranikës, 600 përralla etj. Këngët e kompozuar prej tij janë të njohura dhe këndohen në ditët e sotme si: “ Moj dashnore të gjykoftë perëndia” , “Ke porta, ke porta të pret Leksi ty”, etj. Ai gjithashtu, mbledh të dhëna interesante për zakonet e traditat në Elbasan, përshkruan dasmat, festat etj.
Leksi Vini ka lënë materiale të bollshme të krijimtarisë së tij, një kopje e të cilës ia ka dërguar Institutit të Gjuhësisë dhe Historisë.
Comments