top of page

Fatmir Terziu: TI JE NJË HIÇ


TI JE NJË HIÇ

Nga Fatmir Terziu

 

Ende po na pickon dhe ti s'je as nëpërkë

në albumin e mendjes sonë ke ndërtuar një kopësht zooologjik

ku argatët të mbajnë për hir të argatërisë

(duke të mashtruar me vetë helmin tënd pa frikë)

e ti?,

(Ti) luan me ne të gjithë me mitin e vjetër

vit pas viti

stërkala lustrash si vagujt e ngrohtë

fryhen në hapësirën e lënë djerr

të tillat s'janë gjë tjetër, veçse një korr

ku bota tjerr mjegullën që të mbështjell.

 

(Ti) ende po na mbyt dhe ti s'je bollë

kushedi sa lëkura ke përvjell

gjithë sensorët të janë ftoh

fundja e gjitha është një kot së koti

tani le të ta themi hapur, madje fare troç

ti je një hiç dhe kujton se je zoti…  

 

… por dije ama se një hiç është më shumë në hall

nga mosekzistenca në mallin për të qenë gjallë…

 

NGËRÇ

 

Të kam kuptuar, duke përjetuar si sukses edhe fyerjen,

i zhurmuar nga fuqia e kotë e grumbujve,

do t'i mbyll qepallat për një moment

dhe do të shoh

një qytet me plepa para kohës së qershive,

me një lumë të ngadaltë, me një lumë acar të ftohtë,

me një qiell batanije të reflektuar në të.

 

Dhe nën shtrojerë, të skajuar me gri,

dufi i lodhur do të shpërthejë,

si një burim në një pyll do të gurgullojë përsëri,

i zbuluar papritur.

 

Pastaj do të ndjek ujin e tij të bardhë,

duke dëgjuar me padurim timbrin e tij të vërtetë.

Dhe çfarë, ajo pranverë do të jetë e thatë,

duke u tharë para meje...

ngërçi në bulevard.

 

Kujtesa duke i mbijetuar si suksesit ashtu edhe fyerjes,

do të gozhdohet prej frikës.

Një siluetë drejt perëndimit të diellit,

pa e kuptuar, reflekton dritë brenda dritës.

 

A është ngërç, a do të jetë liri e pakuptuar,

kur mjegulla e pështjell dita ditës?

 

FALLXHOR

 

Një filxhan bëzan në muzg,

duke shkëlqyer deri në mëngjes.

 

Plazma e kafesë ndjek errësirën e fshehur

në damarët përgjatë strukturës së zezë.

 

Atje, në spaletën e lartë pa gojë,

një kukumjaçkë

hap e mbyll portat e qytetit si një rojë.

 

Ditën duket si një galë e ulur,

natën duket si një plesht i shtypur.

 

Mbi plazmë u fry fluskë,

nga gllënjka e duhmës,

hallin e të vetëve,

fallxhori e lexon në filxhanin e tufës.

 

QËLLIM NGA TËRBIMI

 

Të parët tanë e zbutën gurin

në sitën e legjendave me ninulla e këngë. Por deri në zgjim

guri u grind. Guri u myshk… Si rregull,

festa ishte një lot, një shpresë, një betim.

 

Dhe në vend që ta linin të tërbohej krenar,

gdhendën përsëri një shkëmb për virtytin...

dhe me bulën e djersës në ballë

rikujtuan nga shekujt mitin:

„odat duhet të ngrihen e të mos jenë boshe

guri duhet të mbaj nderin e tij në qoshe!“

 

Me një qëndrim të përkulur nga kohërat, i mbytur nga një kollë,

koha, kohë pas kohe, e zuri poshtë

guri u përhumb, mbeti nën çati,

e mjeshtri u tremb e u zgjua me sqepar, çekiç, mistri, gozhdë,

kam frikë me gjithë dashurinë time, Shqipëri,

shkroi me djersë e lotë,

kam frikë, o gur i qoshes, për ty!

 

…Mjerisht! Zëri i mjeshtrit u mërgua në kopshtin utopik,

Turma ishte tërbuar. Guri gjuante me të madhe,

të gjithë mirësinë e gurit e kishin harruar

gjuanin me të Atdheun me halle,

si kanibalë ndaj një zonje të hutuar...

 

Ata joshën zvarranikët në errësirë

të gjuanin me gur popullin tënd të shenjtë. Dhe shkrimi,

Zonjë e tradhtuar – Shqipëria ime e mirë

kërkoi të drejtën e tij për divorc...

 

Po historia nuk është thjesht një hesap

as një libër që shkruhet nga halli,

guri i rrëndë do të ringrihet prapë

se po zbulohen mitet e atij kali

që do Shqipërinë në zjarr.

 

Dhe le të shtrijë dorën drejt hekurave vetë oktapodi i lakmisë.

Mos u bëj inkubator për tradhëti,

dhe mos i lind

njerëz të tillë që të bëjnë pis!

 

Sot i vret guri që hodhën në barkun tënd, por i dëgjon atje

Për çfarë betohen ata prapë?

„Ne do të luftojmë me gjithë dashurinë tonë, nënën tonë të shenjtë.“

Për ty! 1997…

Commentaires


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page