Fatmir Terziu: Shkulja e një Rrënje të Dyshimtë
- Prof Dr Fatmir Terziu
- 6 hours ago
- 2 min read

Shkulja e një Rrënje të Dyshimtë
Nga Fatmir Terziu
Që kur u shkul, ka mbuluar faqet e para të medias
atje lart mendonin se ishte Rrënjë e Dyshimtë
fluturat, bilbilat, lotonin nën shelgje lotues çdo natë
çrregjistrimoret kishin mision të gjatë të dyfishtë.
Shkulërrënjësit e dinin të vërtetën, vetëm ata në fakt,
përcjellëlajmësit e shumonin si dhimbje të mishtë
i shkulur, i lodhur, i vrarë në mesditë e në mesnatë,
varej fati i tij në një gozhdë të ngulur në shputë e në gisht.
Goja Themelore e parashikuar nga Ajnshtajni fliste nga larg,
ndërsa Imitimi i Trekëndëshit do të thoshte: „Ai vdiq!“,
duke i tërhequr dhimbshëm rrënjët e tij zvarrë,
agronomët mbyllën gojën, folën vetëm pak miq.
Shikoni sa dhimbshëm u shkul një rrënjë e mbarë,
mediat u mbushën e shkruanin pa frikë,
ndërsa Karroca e Madhe e përcillte për silazh,
u shkul një Rrënjë e Dyshimtë, një „armik“.
Mendjeve të njerëzve po u bëhej lavazh,
deri sa të gjithë hapën sytë kur u zgjuan një ditë,
kur shihnin Vendin djerr e të zverdhur të thatë,
ata folën në heshtje për një vlerë, për një mik:
„Duhet rigjetur ajo rrënjë, që na bënte të begatë!“
Ky vargëzim lindi diku e dikur nga një përrallë
përralla iu tregua brezave për një kohë të gjatë
shkulja e urdhëruar e asaj Rrënje të Dyshimtë
kishte lënë tek ta një dhimbje të tillë në shpirt.
Sot e kësaj dite thonë, se atje në atë vend
ngrihen në mesnatë e ndezin qirrinj në varreza,
por atë Rrënjë të Dyshimtë askush nuk po e gjen,
ajo shëtit mes nesh e veshur me Hije të Zeza!