Fatmir Terziu: “Shenjtëria e valles” e autorit Timo Mërkuri në kontekst ndërkulturor tek EWD
- Prof Dr Fatmir Terziu
- 3 hours ago
- 13 min read

“Shenjtëria e valles” e autorit Timo Mërkuri në kontekst ndërkulturor tek EWD
Vallja si fenomen universal i sakrales
Para disa ditësh në Londër ishin këngëtarët Irini Qirjako, Gëzim Nika, Irma Libohova dhe disa të tjerë në një eveniment kulturor të organizuar në një sallë moderne nga EWD. Isha i ftuar i këtij evenimenti bashkë me Luçin, bashkëshorten time dhe me këtë rast shijuam nga afër bukurinë shqiptare të ndërthur me kultura të tjera në thelbin dhe kontekstin e diskursit të lëvizjes artprurëse. E mbi të gjitha vallja masive e kërcyer nga shqiptarë e të huaj më rikujtoi esenë “Shenjtëria e valles” të Timo Mërkurit që ma kishte dërguar poeti i pazëvendësueshëm Agim Mato „Mjeshtër i Madh“ para se ta njihja vetë nga afër autorin. Kjo ese trajton vallen tradicionale shqiptare si një formë rituale të shenjtë, duke e lidhur atë me kulte të lashta pagane dhe me ritet mortore. Pra, “Shenjtëria e valles” duke e parë dhe krikonceptuar nga kjo sallë me artistë shqiptarë dhe protagonistë ndërkombëtarë, përfaqëson një tekst kompleks me natyrë eseistike-antropologjike, ku diskursi letrar ndërthuret me etnologjinë, historinë e religjionit dhe filozofinë e kulturës. Autori synon të rishqyrtojë vallen tradicionale shqiptare jo si fenomen folklorik të izoluar, por si një institucion kulturor i shenjtëruar, i ndërtuar mbi shtresa të shumta historike dhe simbolike. Teksti vendoset në një hapësirë ku kujtesa kolektive, ritualiteti dhe praktika estetike bashkëjetojnë, duke e shndërruar vallen nga akt zbavitës në një formë komunikimi me të shenjtën. Mërkuri e koncepton vallen si një mbetje të strukturuar të kulteve të lashta, të transformuara përmes shekujve, por kurrë të zhveshura nga autoriteti i tyre sakral.
Ky koncept nuk është i izoluar brenda kulturës shqiptare, por përbën një paradigmë universale, e pranishme në shumë qytetërime të botës. Qasja e Mërkurit lejon një lexim krahasues, ku vallja „në formë rethore“ (Mërkuri, po aty) shfaqet si gjuhë e trupit për komunikim me hyjnoren, për strukturimin e komunitetit dhe për ruajtjen e rendit simbolik.
Forma rrethore e valles: Shqipëria dhe kulturat e lashta

Në vallen shqiptare, forma rrethore është element thelbësor dhe simbol i shenjtërisë. Kjo formë gjen paralele të drejtpërdrejta në Greqinë e Lashtë, ku vallëzimet rituale rreth altareve të Dionisit dhe Apollonit përdoreshin për të garantuar harmoninë kozmike. Kulturën kelte, ku vallëzimet rreth gurëve të shenjtë ose zjarreve (sidomos gjatë solsticeve) simbolizonin ciklin e natyrës dhe ripërtëritjen. Ritet sllave dhe ballkanike, ku vallja rrethore (kolo, horo) funksionon si akt kolektiv mbrojtës ndaj së keqes.
Tek ky koncept salla dhe vallja shfaqen si institucion ritual dhe kod social. Në analizën e autorit, vallja shfaqet si një rit kolektiv i rregulluar, i cili funksionon mbi parimin e pandërprerjes dhe respektit absolut. Ky parim nuk ka nevojë për sanksion ligjor, pasi është i internalizuar nga komuniteti. Vallja, si akt, krijon një hapësirë të veçantë që mund të përkufizohet si hapësirë liminale (sipas terminologjisë antropologjike të Victor Turner), ku individi çlirohet përkohësisht nga rolet e përditshme, por njëkohësisht i nënshtrohet një rendi më të lartë simbolik. Autori nënvizon se ndërprerja e valles përbën shkelje të rendit të shenjtë dhe perceptohet si akt rrezikshëm, i barazvlefshëm me fyerjen e hyjnores. Kjo frikë arkaike, e pashprehur drejtpërdrejt, por e pranishme në sjelljen kolektive, dëshmon për mbijetesën e mendësisë mitike brenda kulturës popullore shqiptare.
Pra, një nga shtyllat interpretative të esesë është forma rrethore e valles. Rrethi, si figurë arketipale, simbolizon përjetësinë, unitetin dhe ciklin kozmik. Në tekst, rrethi i valles përfaqëson një univers të mbyllur, të mbrojtur nga kaosi i jashtëm, brenda të cilit zhvillohet akti ritual. Qendra e rrethit, ndonëse e padukshme, mbart ngarkesë të lartë simbolike. Autori e interpreton atë si vendin ku dikur qëndronte simboli i hyjnisë (statujë, pemë e shenjtë, altar), çka e lidh drejtpërdrejt vallen popullore me ceremonitë e lashta pagane. Kjo qendër e shenjtë mbetet e paprekur, edhe pse forma e jashtme e ritualit ka ndryshuar ndër shekuj.
Ashtu si në vallen shqiptare të përshkruar nga Mërkuri, rrethi edhe tek kjo sallë krijon një hapësirë të veçantë, të mbrojtur, ku ndërprerja e ritualit konsiderohet tabu.
Pandërprerja e valles dhe tabu-ja rituale
Ideja se vallja nuk guxon të ndërpritet është një element që përputhet me praktika rituale të shumë kulturave. Në Indinë klasike, vallëzimet e tempullit (si Bharatanatyam) kryheshin si ofertë ndaj hyjnisë dhe ndërprerja e tyre shihej si fyerje e zotit. Në kulturat afrikane tradicionale, vallja rituale vazhdon deri në arritjen e transes kolektive; ndërprerja e saj do të thoshte dështim i komunikimit me botën shpirtërore. Në ceremonitë shamanike të Azisë Qendrore, vallja shërben si kanal mes botëve dhe ndalimi i saj rrezikon ekuilibrin shpirtëror.
Këto paralele përforcojnë tezën e Mërkurit se shenjtëria e valles buron nga funksioni i saj si akt komunikimi me të padukshmen. Tek kjo gjetje studimore femra valltare shfaqet dhe si figurë sakrale, ku kulturogjia e qas tek Shqipëria dhe botët e tjera të këtij fenomeni, ku natyrisht kryefjalë e syrit vëzhgimor janë vajzat.
Roli i vajzave valltare në vallen shqiptare gjen analogji të shumta, Virgjëreshat e Dodonës dhe Delfit në Greqinë e Lashtë, të cilat vallëzonin dhe këndonin hymne për hyjnitë. Vestalet romake, që ruanin zjarrin e shenjtë dhe merrnin pjesë në rituale të pandërprera. Devadasitë indiane, gra të kushtuara hyjnive, përmes vallëzimit dhe muzikës. Murgeshat kristiane, që në forma të hershme përdornin lëvizje rituale dhe këngë korale si formë adhurimi. Në të gjitha këto raste, femra paraqitet si trup i shenjtëruar, ndërmjetëse midis njerëzores dhe hyjnores, një rol që Mërkuri e identifikon qartë në vallen shqiptare.
Vallja dhe erotika e kontrolluar: krahasime kulturore
Eseja vë në pah tensionin midis dëshirës erotike dhe normës morale, një fenomen universal. Në Japoninë tradicionale, vallëzimet Kagura shfaqin bukurinë femërore, por brenda kufijve striktë ritualë. Në kulturën arabe tradicionale, vallja (si raqs sharqi) ka rrënjë rituale, por erotika kontrollohet nga konteksti ceremonial. Në Evropën mesjetare, vallëzimet popullore në festa ishin të rregulluara nga kisha dhe komuniteti për të shmangur “teprimin trupor”.
Ashtu si në vallen shqiptare, vallja shërben si mekanizëm sublimimi, ku dëshira kanalizohet dhe shndërrohet në formë estetike të pranueshme. Vajzat valltare paraqiten si figura ndërmjetëse midis njerëzores dhe hyjnores, të ngjashme me virgjëreshat e tempujve antikë (Dodonë, Delfi) apo me vestalet romake. Veshja e bardhë, qëndrimi dinjitoz dhe lëvizjet e kontrolluara e përforcojnë këtë status sakral. Ndërkohë, përjashtimi i grave të veshura me të zeza nga vallja përfaqëson një ndarje të qartë midis eros-it ritual dhe thanatos-it. Gruaja në zi mbart kujtesën e vdekjes dhe për këtë arsye nuk mund të bëhet pjesë e aktit që simbolizon jetën, ripërtëritjen dhe vazhdimësinë.
Origjina mortore e valles: një arketip universal
Një nga tezat më origjinale të esesë është lidhja e valles me ritet mortore. Autori argumenton se lëvizja e lëkundur e vallës buron nga ecja e kortezheve funerale, ku dhimbja kolektive shprehej përmes trupit. Ky respekt absolut ndaj kortezhit mortor është transferuar më pas në vallen rituale, duke i dhënë asaj statusin e paprekshmërisë. Procesi i sublimimit artistik e ka transformuar dhimbjen në festë, por pa e zhdukur thelbin sakral. Pikërisht kjo aftësi për të evoluar, pa humbur funksionin simbolik, shpjegon mbijetesën e valles në kohë.
Teza e Mërkurit mbi origjinën mortore të valles ka paralele të shumta. Në Egjiptin e Lashtë, vallëzime rituale shoqëronin ceremonitë funerale për të ndihmuar shpirtin në kalimin drejt botës tjetër. Në kulturat afrikane, vallja mortore është mënyrë për të komunikuar me paraardhësit. Në traditat amerindiane, vallëzimet funerale përfaqësojnë ciklin e jetës dhe vdekjes. Këto praktika tregojnë se transformimi i dhimbjes në rit estetik është një mekanizëm universal njerëzor, çka e bën vallen shqiptare pjesë të një trashëgimie globale.
Vazhdimësia historike dhe universaliteti i shenjtërisë
Duke e vendosur vallen shqiptare në një kornizë krahasuese, del qartë se ajo ndan tipare themelore me vallëzime rituale në mbarë botën: rrethin, pandërprerjen, femrën si figurë sakrale, respektin tabu dhe lidhjen me jetën dhe vdekjen. Kjo e shndërron vallen shqiptare nga një fenomen lokal në një manifestim universal të sakrales përmes trupit. Mërkuri e trajton vallen edhe si një mekanizëm social që kanalizon dëshirën erotike brenda kufijve të pranueshëm kulturorë. Vështrimi i djemve ndaj vajzave, i shoqëruar me ndrojtje dhe vetëpërmbajtje, tregon se vallja funksionon si hapësirë e sublimimit, ku impulset individuale nuk shndërrohen në veprim të drejtpërdrejtë.
Ky kontroll nuk ushtrohet nga autoriteti patriarkal (prindër, vëllezër), por nga vetë rituali. Kështu, vallja shndërrohet në një instrument disiplinues, që ruan ekuilibrin midis lirisë estetike dhe rendit moral. Tek kjo ese, sikurse tek vallja që hedh salla me këngëtarët më në zë të kohës së sotme shqiptare, shihet diskursi ndërkulturor si një nga nyjet bartëse tek vazhdimësia historike. Duke e lidhur vallen shqiptare në këtë sallë, por dhe me mendimin e Timo Mërkurit që e ndërlidh me praktika të ngjashme në qytetërimet antike mesdhetare, vetë konteksti ndërton një diskurs ndërkulturor që e nxjerr traditën lokale nga izolimi. Vallja shfaqet si pjesë e një matrice universale rituale, ku njeriu i drejtohet së shenjtës përmes trupit, këngës dhe lëvizjes. Ky këndvështrim i jep tekstit vlerë studimore, duke e pozicionuar si një kontribut në fushën e antropologjisë kulturore dhe studimeve të ritualit.
Duke konkluduar: Vallja e sallës dhe vlera e esesë së Mërkurit
Në përfundim, vallja tek EWD dhe eseja “Shenjtëria e valles” e Timo Mërkurit fitojnë dimension të veçantë kur krahasohen dhe lexohen krahasimisht me kultura të tjera. Kjo dëshmon se vallja shqiptare është pjesë e një arkeologjie simbolike botërore, ku rituali, trupi dhe shenjtëria ndërthuren. Krahasimi ndërkulturor jo vetëm që e forcon tezën e autorit mbi shenjtërinë e valles, por e vendos tekstin në një dialog të gjerë me studimet antropologjike dhe kulturore, duke e bërë atë një kontribut me vlerë të qëndrueshme shkencore për kuptimin e traditës dhe identitetit kulturor shqiptar.
Në këtë kontekst vallja tek salla e EWD shërben dhe si memorie e shenjtë kolektive. Më tej dhe në përfundim, edhe “Shenjtëria e valles” është një ese që argumenton se vallja tradicionale shqiptare është një formë e kristalizuar e kujtesës kolektive, ku bashkohen jeta dhe vdekja, e shenjta dhe profania, individi dhe komuniteti. Shënjtëria e saj nuk buron nga dogma fetare, por nga vazhdimësia e një besimi arkaik në fuqinë rregulluese të ritualit. Teksti i Timo Mërkurit përbën një thirrje për ta lexuar folklorin jo si relikt muzeal, por si tekst kulturor të gjallë, i aftë të flasë ende për identitetin, historinë dhe shpirtëroren e shoqërisë shqiptare.
________________________________________________
Shenjtëria e valles
Nga Timo Mërkuri
Shumkujt i ka rënë rasti të asistojë në një ditë feste në një fshat të Bregdetit apo Labërisë, në një dasëm në këto treva apo në një gëzim çfardo. Jo vetëm në ditët tona por edhe në të shkuarën. Me siguri që i ka bërë përshtypje atmosfera e gëzueshme që krijohet,thua se në këtë vend s’kanë patur kurrë halle e derte,por vetëm këngë e valle.S’do flasim tani për këngët e romuzet,por le të shohim vallen e vajzave,valle që kërcehet me një hap të shtruar e të qetë.Vajzat e nuset lidhur dorë për dore me një shami,me kokën lart sikur do fluturonin apo prisnin diçka nga qielli,hedhin vallen me qetësi.Valle në formë rethore,sikur në mes të sheshit dhe të rethit të valles të ishte dicka e shënjtë.Vajza që heq vallen( kështu quhet vajza që është e para në vargun e valltareve) tund një shami herë pas here sikur të jetë një flamur që i prin grupit të vajzave dhe ato duhet medoemos ta shohin e ta ndjekin pas,thua se do humbasin rrugën në këtë gazmend kolektiv.
Djemtë rinë reth e rrotull e shohin me bisht të syrit,sikur s’u intereson dhe aqë shumë kjo vallë ‘’çupëlinash’’.Medemek,ata janë bërë burra,u ka dirsur mustaqia(ah sa vonon kjo e shkretë që të ritet dhe ca e të dallohet që përtejë) e janë gati të bëjnë ndonjë trimëri e heroizëm e jo të meren me kësi vallesh.
Por ama ,ashtu si shkarazi,i shohin mirë vajzat që hedhin valle,se aty tek ai reth është ajo që do bëhet nesër nusja e tij.
Për të parë i shohin,por s’guxojnë t’u hedhin ndonjë fjalë në valle e ca më pak t’u thonë të ndalin vallen e të shkojnë të bisedojnë atje tejë te koria.Jo se kanë frikën e prindërve të vajzave të cilët bëjnë sikur s’dinë gjë që e bija është pleksur me filanin.As vëllezërve s’ua kanë frikën se dhe ata djem janë dhe shikojnë ‘’ miket’’ e tyre.Vëllezërit i mirëkuptojnë motrat në këto raste .Pastaj motrat janë edhe shoqe me miket e tyre dhe i ndihmojnë kur ua do rasti . Për nënat e për gjyshet as që bëhet fjalë.Ato janë si shpirti.Vetëm mirësi buron prej tyre.
Pengesa është pikërisht ajo,vallja. Atë s’mund ta ndalin kursesi as vajzat që vallzojnë por dhe as ata që shikojnë.Vallja është e shënjtë si një ritual fetar ku askush s’guxon të pipëtijë.
Valltaret vetë nuk e ndërprisnin vallen por edhe të pranishmit nuk guxonin të kërkonin këtë gjë...Ndonjëra në reth të valles që stononte a qe lodhur, a qe e sëmurë mund të tërhiqej nga fillimi në fund të vargut duke u lënë vendimn më të zonjave,dhe në heshtje rallë,shumë rrallë,mund të pranonte të zvendësohej,por kursesi nuk mund të prishej vallja.Sepse edhe vallja është e shënjtë dhe ka regullat e saj.
Burrat e shkuar në moshë vallzonin veç,djemtë e rinj dhe ata martuarit rishtas vallzonin veç,vajzat po se po vallzonin veç.Mund të hynin ne rrethin e djemve burrat ,mund të vallzonin bashkëVajza e djem,mund të vallzohej dyshe,në kuptimin në dy rrathë,me reth të gjërë a të ngushtë etj etj sajimë për ta bërë sa më të gëzueshme atmosferën festive.Për këto gjëndeshin plot mënyra dhe plot arsye.
Por asnjë arsye nuk egzistonte që ti detyronte valltaret që ta linin vallen.
Ka ndodhur që ndonjë çapkën i dashuruar të hidhej në mes të grupit te vajzave dhe ti hiqte shaminë nga koka vajzës që donte dhe që familja e saj për ndonjë arsye sja jipte,duke shpallur kështu botërisht që ajo vajzë qe e tij,nusja e tij e ardhëshme.Vëllezërit dhe babai i vajzes mund të kenë rëmbyer edhe armët për të vënë ‘’nderin në vend’’,por vajza gjithsesi nuk e ka lënë vallen.Ska rëndësi për ne si kanë rjedhur ngjarjet më pas.Rëndësi për ne ka të mësojmë pse nuk ndërpritej vallja .
Këtu ndoshta duhet të bëjmë një ndërprerje të vogël për sqarim.Thamë më sipër që vallzonin djemta ë vajzat,burrat e pleqtë,por nuk i përmëndëm gratë.Nuk kemi haruar përmëndjen e tyre por është fakt se gratë e bregut të detit dhe të labërisë nuk vallzonin.Jo se nuk dinin por se ato qenë të veshur me të zeza dhe sipas zakonit,gruaja e veshur me të zeza është duke mbajtur zi për ndonjë vdekje të ndodhur.Dhe zia në zonat tona mbahej gati gati gjithë jetën pavarësisht se për kë mbahej ajo,për një plak a për një të ri.Zia mund të thyhej vetëm në raste të caktuara dhe rëndom ajo thyhej në një dasëm të djalit të vetëm,të djalit të madh apo të djalit të vogël.Atëherë gruaja e hiqte nga koka shaminë e zezë të zisë,hidhte mbi flokë një shami të bardhë si shënjë e lumturisë dhe ja mirte këngës e vallës.Ama robat e zeza kurrë nuk i hiqte.Bënte një kontrast veshja e zezë ose tepër e errët(varej nga buxheti familjar) dhe shamia e bardhë,por kjo shamia e bardhë e saj identifikohej me shaminë që tundte në krye ta valles ajo që printe në valle.
Por ama ,në një shesh fshati të heqin valle një grup vajzash veshur me të bardha si nuse apo me veshje plot ngjyra dhe në mes të tyre të vallzonte edhe një grua me të zeza,kjo sikur nuk shkonte.Për këtë arsye gratë ishin spektatoret e përjetëshme të valleve.
Diku kemi hedhur idenë se edhë vallja e ka origjinën nga ritet mortore.Vetkuptohet jo në këtë gjëndje e stad që e disponojmë ne,sepse është përmirësuar e ‘modernizuar’’ nëpër shekuj,pavarësisht se ky modernizim është bërë në një shesh fshati.
Por para se të vinim te sheshi i fshatit ku kërcehet në ditën e Pashkës se Madhe a të ndonjë feste tjetër fetare,shumë shekuj para se të krijoheshin këto festa fetare që flisnin për ringjallje të birit të zotit ,në Dodonë psh,bëhej një ceremoni tjetër.
Aty qe orakulli i Dodonës që parathoshte fatin siç ja diktonte vetë Zeuzi.
Aty qe edhe tempulli i Zeuzit ku shërbenin disa vajza,domosdo virgjëresha.
Këto vajza, murgesha,apo virgjëresha që i qenë kushtuar (me dëshirë apo jo) vetë zotit bënin gjithë shërbimet në tempull ku edhe banonin.
Një ndër shërbimet e tyre ishte ti këndonin hymne zotit,Zeuzit.Veshur me të bardha apo ngjyra te çelura,krehur bukur,ziheshin dorë për dore dhe duke kënduar himne për nder të Zeuzit,vallzonin reth simbolit të tij që mund të ishte një statujë,një piedestal apo diçka tjetër.Sipas besimit,Zeuzi i shihte ato nga kupa qiellore ,ndaj ato kursesi s’mund ta linin të kënduarit të hymneve ndaj zotit dhe vallzimin reth simbolit të tij.Gjithashtu askush s’guxonte të kërkonte të ndërpriste këtë ceremoni kushtuar më të fortit të zotave,pa marë si ‘’resto’’ ndonjë rufe zeuziane pas koke.
Kështu veprohej te orakulli i Dodonës,kështu u veprua dhe te orakulli i Delfit pak më von.Kështu vepronin edhe vestalet romake,në këtë mënyrë shërbejnë dhe i thurin hymne zotit edhe murgeshat kristiane.Por ama filloi nga Dodona.
Mirë se filloi nga Dodona dhe u zhvillua në Dodonë,por këtë ceremoni nuk e panë vetëm vajzat që shërbenin te tempulli i Zeuzit.Këtë ceremoni e panë edhe shumë të pranishëm ,dhe midis tyre shumë vajza të reja që u lindi dëshira të imitonin vajzat e tempullit.Ndoshta nga që u pëlqeu,ndoshta nga që doninti shërbenin Zeuzit si vajzat e tempullit,por smund të shërbenin të gjitha aty në Dodonë,keto vajza të reja kur shkuan në fshatin a qytetin e tyre filluan të imitojnë Dodonën.E kishin një statujë perëndie në vendbanimin e tyre,a një rap në mes të sheshit a një simbol tjetër.Filluan të vallzojnë reth këtij simboli të ri,duke kënduar hymnet që dëgjuan në Dodonë a duke krijuar të reja për perëndinë vendase.E filluan si rastësisht gjersa u ‘’ligjërua’’ me apo pa dekret dhe u bë një festë e qytetit,fshatit apo krahinës.Duke qënë se simboli i perëndisë qe në qëndër të sheshit të fshatit a qytetit,kjo kushtëzoi formën rethore të valles e cila ka mbritur gjer në ditët tona.
Hapja e valles dhe spërdredhjet e trupit të vajzave gjatë valles nuk janë gjë tjetër veçse ekspozim i hireve femërore të trupit për tu admiruar në fillim nga Zoti apo Zotat dhe më pas nga më të zotët e më trimat e fshatit ,qytetit apo të krahinës.
Ama ende vazhdon të qëndrojë ajo ndrojtja e çuditëshme se ‘’po prishe vallen të vret zoti’’ ndaj askush nuk guxon ta ndërpresë vallen.Mos t’u duket e çuditëshme kjo.A nuk ju ka rënë në sy që edhe djemtë më ‘’trazovaçë’’ kanë njëfarë ndrojtjeje para murgeshave apo vajzave muslimane me veshjen fetare.
Kjo ndrojtje nuk është vetëm respekt për ‘’shërbëtorët ‘’a’’ nuset e zotit’’,por edhe njëfarë ‘’frike’’ ndaj ‘’zemërimit’’ të zotit .Emrin mund tja vëmë si të duam.
Fakti është që ajo egziston.
Fakti është që edhe vallja respektohet si e shënjtë dhe askush s’guxon ta ndërpresë atë.Dhe një nga arsyet është edhe kjo që parashtruam më sipër.
Më sipër thamë që edhe vallja e ka origjinën nga ritet mortore ,dhe pikërisht nga momenti që të afërmit afrohen sup më sup,ose mbanë për supesh prindin a vëllanë e të vdekurit .Në këtë moment si të dehur prej dhimbjes ,ecja nuk është normale,por duke u lëkundur .Kjo qoftë në momentin e vajtjes në vareza qoftë edhe në kthimin prej tyre pas përfundimit të varimit.E kush guxon t’i dalë përpara e të ndalë këtë grup mortor që mbart vetëm dhimbje.Kushdo që e takon në rugë një grup të tillë,kortezh,çohet në këmbë po të jetë ulur,zbret nga kali po të jetë kalorës,mandje dhe sot ndalin makinën , dalin prej saj e qëndrojnë me nderim në anë të rrugës.
Pikërisht këtë moment mendojmë se kanë shfrytëzuar ‘’artistët’’ e parë që krijuan vallen ‘’artistike’’dhe e vunë këtë respekt në shërbim të zotave qoftë në Dodonë apo gjethkë.
Duke marë respektin mortor dhe duke e vënë në shërbim të zotave ka një llogjikë.Shpirti i të vdekurit a nuk shkonte te zoti apo zotat?A nuk i luteshin zotit që të kujdesej për shpirtin e të dashurit të tyre të porsa vdekur?A nuk i blatonin dhurata zotit qysh nga ovullat që i vinin të vdekurit te sytë apo në gojë për të paguar Karontin në udhëtimin e tyre të përtej jetës e gjer të pasuria që i vinin në var?
Përpunimi i saj artistikisht,shkëputja dhe krijimi i llojeve të ndryshme të valleve
qoftë vallja e rëndë e burrave,qoftë vallja e vajzave dhe djemve është një proces evolimi tepër i natyrshëm.Mandje duhet thënë se pikërisht ky evolim,kjo shkëputje dhe rikrijim stilesh të reja është shkaku që vallja nuk humbi nëpër humbëtirat e shekujve.
Por gjithsesi ,ajo që e vlen të theksohet dhe të mos harohet kursesi është pikërisht ‘’ shënjtëria ‘’ e valles,pavarësisht se cila valle është duke u kërcyer dhe në cilin fshat a qytet kërcehet.
Ajo është kudo e njëjtë.
Shënim: Kjo ese ishte dërguar më 11 gusht 2009 nga Agim Mato „Mjeshtër i Madh“









Po Fatmir Terziu , je tepër i saktë shkencërisht dhe shpirtërisht dhe më nderon me "leximin" tuaj, që është në fakt një studim i thellë. Vallja dhe kënga jonë nuk janë produkte rastësore apo qejfi, ato janë produkte shënjërimi dhe mesazhe të transmetuara nëpër epoka. Dhe vallëtarja e valltari më çapkën e gazmor në jetë, në çastin e valles është tepër serioz, si në një ceremonial kishtar. Faleminderit që mu referove mua për këtë studimin tuaj. Mirënjohje.