top of page

Fatmir Terziu: “Gjaku më qorton” i Din Mehmetit në dritën e ekzistencializmit të kohës sonë

ree

“Gjaku më qorton” i Din Mehmetit në dritën e ekzistencializmit të kohës sonë

 

Poeti shqiptar Din Mehmeti (Gjocaj, 1929 - Gjakovë, 11 nëntor 2010) u shfaq para lexuesve me një mori poezish tipike ekzistenciale. Në këtë mori spikat një nga poezitë e tij të pavdekshme „Gjaku më qorton“ (1984). Ndërsa kishte publikuar shtatë vëllimet e tij poetike që nisën nga viti 1961, ai në vitin 1984 publikoi „Fatin tim nuk e nënshkruaj“ (“Rilindja”, Prishtinë; 1984), poezi të këtij vëllimi arritën edhe në Shqipërinë e atyre viteve, falë një bashkëpunimi midis dy shteteve. Dhe kështu „Gjaku më qorton“ ndërsa lexohej, që në atë kohë shtronte të vetëkuptohej menjëherë një problem ontologjik i gjuhës. Në këtë kontekst, ndërsa poeti nuk është në mungesë të mendimit, dukej se mbetej në pamundësi të strukturimit të kuptimit. Sipas leximit të asaj kohe fjala dukej se humbte linearitetin e saj (fillim–fund), duke hyrë në një hapësirë paralogjike, tipike për poezinë moderne dhe ekzistenciale. Dhe kjo ndodhte pasi stili i poetit Mehmeti në vetvete strukej tek kriza e fjalës dhe ontologjia e shprehjes. Kjo ndikohej nga vargu hapës: “Çka të them / s’ka fillim as fund”.

Por teksa leximi i asaj kohe mbetej tek mungesa e konteksualitetit dhe njohurive, kjo gjendje natyrshëm pas shumë vitesh mund të lexohet edhe si refuzim i diskursit racional, edhe si krizë e logos-it, por edhe si shenjë e një bote të fragmentuar ku kuptimi nuk rrjedh më natyrshëm. Në këtë kuptim, Mehmeti, sipas leximit në kohë tjetër, natyrshëm i afrohet Heideggerit, për të cilin gjuha nuk është mjet shprehjeje, por shtëpia e qenies, dhe këtu kjo shtëpi është e rrënuar.

Për pasojë del në pah vetë situata ekzistenciale dhe kriza e kuptimit, dhe kjo sikurse e cituam poezia hapet me një gjendje tipike ekzistenciale: “Çka të them / s’ka fillim as fund”.

Parë në kontekstin filozofik, këtu subjekti poetik ndodhet në atë që Karl Jaspers do ta quante „Grenzsituation“ (situatë kufitare), ku mendimi racional dështon. Mungesa e fillimit dhe e fundit nuk është vetëm formale, por shenjë e krizës së kuptimit. Diskursi sqaron thelbin, se jeta nuk shfaqet më si narrativë e rregullt, por si përvojë e shpërndarë, pa teleologji. Kjo gjendje e afron subjektin e Mehmetit me njeriun absurd të Albert Camusë, i cili kërkon kuptim në një botë që nuk përgjigjet.

Duke ndjekur konceptin e Camusë, në një aspekt themelor të diskursit shfaqet heshtja, më saktë heshtja si autoritet metafizik, e cila përkon me vazhdimin “Të flas me zë / heshtja s’më lejon.” Këtu kemi një paradoks poetik, ku heshtja nuk është mungesë e zërit, por fuqi ndaluese. Ajo bëhet subjekt veprues, autoritet metafizik që e ndalon fjalën. Në traditën filozofike, heshtja tek Ëittgenstein shënon kufijtë e gjuhës, ndërsa tek poezia moderne ajo është shpesh forma më e thellë e së vërtetës. Te Din Mehmeti, heshtja nuk është paqe, por dhunë e brendshme, një presion që vjen nga historia, nga trauma kolektive dhe nga përvoja ekzistenciale shqiptare.

Në thellim të këtij diskursi me filozofinë e Ëittgenstein-it, heshtja shfaqet atje ku gjuha nuk arrin të thotë të vërtetën (“Për atë që nuk mund të flitet, duhet të heshtet”). Por Mehmeti e përmbys këtë tezë. Heshtja nuk është zgjedhje etike, por dhunë ontologjike. Në termat e Heidegger-it, subjekti poetik është i zënë në një gjendje të Befindlichkeit (gjendje e të qenit i hedhur në botë), ku gjuha nuk është më mjet i lirë shprehjeje, por një hapësirë e bllokuar. Fjala dështon, sepse qenia është e ngarkuar me përvoja që nuk artikulohen dot.

Diskursi me këtë artikulim të cunguar cek vetvetiu pikën më nevralgjike të poetit, atë që trupi e ka zjarr në vetvete, gjakun. Dhe gjaku pikëtakon filozofin Sartre që të na parathotë se Ggjaku si fakticitet nënkupton dhe faj ekzistencial, “Të hesht si varri / gjaku më qorton”. Në ekzistencializmin e Sartres, njeriu është i lirë, por gjithmonë i kushtëzuar nga facticiteti . Në këtë diksurs duket se gjërat që nuk i ka zgjedhur (lindja, historia, trupi). Te Din Mehmeti, gjaku përfaqëson pikërisht këtë fakticitet. Gjaku “qorton” sepse, subjekti nuk mund të arratiset nga origjina e vet, heshtja do të ishte mohim i vetes (mauvaise foi). Kështu, poeti ndodhet në tension midis dëshirës për heshtje dhe detyrimit për të qenë autentik. Autenticiteti, në këtë poezi, nuk është zgjedhje e lirë, por peshë morale e trashëgimisë.

Pra më saktë gjaku mbetet si memorie ontologjike dhe thirrje etike “Të hesht si varri / gjaku më qorton”. Ky është vargu qendror i poezisë dhe boshti i saj filozofik. Dhe lexuesi i mirëfilltë nënkupton apriori se gjaku këtu nuk është biologji, por trashëgimi historike, kujtesë kolektive, ndërgjegje etike. Ai “qorton”, pra gjykohet, nuk lejon indiferencë, edhe pse duket se kemi një konflikt mes dëshirës për heshtje (qetësi, vdekje, harresë), dhe detyrimit për dëshmi. Në këtë sens, poeti është figurë tragjike. Ai nuk flet sepse do, por sepse është i detyruar nga gjaku, pra nga historia që flet përmes tij.

Në leximin filozofik të poezisë rrjedha të nxjerr në pah dialektikën e elementëve zjarr dhe ujë, tek “Zjarrin ma zgjon / ujin ma shfrenon”.  Zjarri dhe uji janë arketipe kozmike: zjarri → pasion, shkatërrim, pastrim, uji → jetë, rrjedhë, por edhe përmbytje. Dhe kjo pse? Sepse, gjaku i zgjon dhe i shfrenon këto elemente, duke treguar se brenda subjektit poetik ka një kaos ontologjik. Identiteti nuk është harmoni, por përplasje forcash. Kjo pasqyron gjendjen e njeriut modern në një kontekst historik të dhimbshëm, një qenie e trazuar nga energji që nuk i kontrollon dot, ku del qartë diskursi tjetër aty ku lexohet subjekti i copëzuar dhe absurdi ekzistencial. Kjo më saktë tek “Është diçka pa kokë”, “Koka” simbolizon arsyen, drejtimin, racionalitetin. “Pa kokë” do të thotë, pa orientim, pa kontroll logjik, pa sistem kuptimi.

Humbja e saj shënon rënien e racionalizmit klasik. Subjekti ekzistencial i Mehmetit është i vetëdijshëm për absurditetin, por i paaftë ta tejkalojë atë. Subjekti poetik është i decentralizuar, i copëzuar, i afërt me njeriun absurd të Camusë, dhe mbetet i vetëdijshëm për mungesën e kuptimit, por i paaftë ta shmangë atë. Kjo sepe  në termat e Camusë, subjekti nuk gjen pajtim me botën, ai përjeton një mos-përputhje të përhershme mes vetëdijes dhe realitetit, pasi mbetet thirrja e gjatë tek dielli që “sharron”, “Jam thirrje e gjatë / ku dielli sharron / në fund..”

Poeti nuk është zë, por thirrje, proces i pafund, jo përfundim. Dielli, simbol tradicional i jetës dhe dritës, këtu “sharron”, pra gërryen, shkatërron ngadalë. Drita nuk shpëton, por konsumon. Kjo është një përmbysje e simbolikës klasike, tipike për modernizmin e errët ballkanik. Kjo e afron poezinë me filozofinë e Camusë, ku njeriu absurd jeton pa iluzione, por edhe pa zgjidhje përfundimtare.

Thirrja në këtë diskurs del si mënyrë e të qenit, pra “Jam thirrje e gjatë” ku në vend të një identiteti të qëndrueshëm, subjekti përkufizohet si proces. Ai nuk është “qenie”, por thirrje, një lëvizje e vazhdueshme drejt kuptimit që nuk arrihet kurrë. Kjo përkon me idenë heideggeriane të Sein-zum-Tode (të qenit-drejt-vdekjes): njeriu e kupton veten si projekt i papërfunduar, ku vdekja mësyn si akt autenticiteti, “Dëshiroj të vdes / duke udhëtuar / në shpirtin tim…”.

Duke qenë se vdekja krijon nocion si udhëtim introspektiv tek vargjet e lartcituara kjo qasje filozofike nuk është dëshirë për zhdukje fizike, por për shkrirje totale në vetvete, ku nënkuptohet dhe një përfundim i kërkimit ekzistencial. Si shkas, vdekja shndërrohet në akt njohjeje, jo në nihilizëm. Është kulmi i introspeksionit filozofik, ku njeriu që nuk gjen kuptim jashtë vetes, e kërkon fundin brenda shpirtit të tij. Në ekzistencializëm, vdekja nuk është thjesht fund biologjik, por momenti ku qenia zbulohet plotësisht. Te Mehmeti, dëshira për vdekje nuk është nihiliste; ajo është dëshirë për njohje të thellë të vetes. Si e tillë breda këtij diskursi bëhet vetvetiu akt i autenticitetit, por dhe fund i kërkimit ekzistencial, si një pajtim i heshtur me absurdin.

Kështu vetë diskursi në këtë poezi të Din Mehmetit, ka në thelb një përfundim filozofik. Pra poezia, “Gjaku më qorton” është një poezi thellësisht ekzistenciale, ku fjala dështon, heshtja dhunon, gjaku detyron, dhe vdekja shfaqet si horizont kuptimor. Din Mehmeti e paraqet njeriun jo si qenie të lirë në kuptimin romantik, por si qenie të hedhur, të ngarkuar me histori dhe faj, që kërkon autenticitet në një botë pa kuptim të garantuar. Kjo poezi përfaqëson një ekzistencializëm poetik shqiptar, ku absurdi nuk është abstrakt, por i mishëruar në gjak, histori dhe heshtje.

Me këtë konkluzion poezia vjen për lexuesin edhe në këtë kohë si si fat dhe dëshmi pasi është dhe mbetet është një poezi e detyrimit moral, e heshtjes së dhunshme, e më së fundi e fjalës që lind nga dhimbja. Me këtë poezi Din Mehmeti paraqet vetë poetin jo si krijues të lirë, por si bartës të një fati historik, ku fjala është plagë, gjaku është zë dhe heshtja është faj. Në thelb, kjo poezi është një meditim filozofik mbi pamundësinë për të mos folur, mbi tragjedinë e të qenit zë në një botë që të detyron të dëshmosh.

 

Din Mehmeti: „Gjaku më qorton“

 

 

Çka të them

ska fillim as fund,

 

Të flas me zë

heshtja s'më lejon.

 

Te hesht si varri

gjaku më gorton,

 

Zjarrin ma zgjon

ujin ma shfrenon..

 

Çka të them

është diçka pa kokë

 

Jam thirrje e gjatë

ku dielli sharron

në fund..

 

Dëshiroj te vdes

duke udhëtuar

në shpirtin tim...

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page