top of page

Fatmir Terziu: SHAKAJA

7 hours ago
6 min read

Fatmir Terziu: SHAKAJA

 

Rruga e vjetër nga Elbasani drejt Durrësit kalonte nëpër Peqin, si një damar i vjetër që e njihte mirë atë tokë dhe, ndoshta më mirë se ne, dinte se ku duhej të ndalonte historia për të bërë ndonjë shaka me njerëzit. Në hyrje të qytetit të vogël ndodhej një repart ushtarak, i rrethuar me mure dhe me atë portën e madhe, të lyer me një të gjelbër të errët, që dukej sikur nuk ishte lyer për të zbukuruar hyrjen, por për t’i kujtuar kujtdo që afrohej se pas saj fillonte një botë ku edhe frymëmarrja, nëse bëhej pak më fort se ç’duhej, mund të konsiderohej shkelje e rregullores. Porta hapej vetëm kur hynin makina të mëdha, por atë ditë të vitit 1981, u hap edhe për ne, për djemtë e vajzat e viteve të treta e të katërta të Shkollës së Mesme të Përgjithshme “Dhaskal Todhri” të Elbasanit, të cilët kishim ardhur për një muaj stërvitje intensive ushtarake.

Për një muaj, ai repart do të bëhej shkolla jonë, fjetorja jonë, mensa jonë dhe, në njëfarë mënyre, edhe një laborator i vogël ku do të shihnim se çfarë ndodh me njeriun kur i heq për pak kohë lirinë e zakonshme dhe ia zëvendëson me komandën, bilbilin, rreshtin dhe orarin. Aty hanim, aty stërviteshim, aty flinim dhe, për një muaj, duhej të ndiheshim ushtarë të vërtetë, bashkë me ata që kishin marrë përsipër detyrimin ushtarak për njëzet e katër muaj. Ne kishim ardhur për një muaj, ata kishin ardhur për njëzet e katër. Ndoshta kjo ishte diferenca më e madhe mes nesh, ndonëse atëherë na dukej se uniforma na kishte bërë të barabartë.

Ditët e para kaluan mirë, madje aq mirë sa një repart ushtarak mund të quhej i tillë nga nxënës që ende e shihnin gjithë atë regjim me një përzierje kureshtjeje, frike dhe dëshire për të qeshur kur nuk duhej. Pastaj, në javën e dytë, mbërritën nga Tirana dhe nga rrethi makina ushtarake, komandantë, komisarë dhe një atmosferë e tillë hetimi, sikur të ishte zhdukur jo një palë vegla pastrimi, por një pjesë e rëndësishme e mbrojtjes së atdheut. Kishin humbur veglat e pastrimit të automatikut Model 56. Dikush i kishte përvetësuar.

Fjala “përvetësuar” kishte atë peshën e saj të rëndë në ato kohë, sepse një send mund të ishte i vogël, por emërtimi i tij në një procesverbal e bënte menjëherë të madh. Veglat nuk ishin më thjesht vegla. Ato ishin bërë çështje. Çështja ishte bërë hetim. Hetimi kërkonte fajtor. Dhe fajtori, siç ndodh zakonisht në histori të tilla, duhej të ishte patjetër dikush. Dhe ishte një nxënës i vitit të tretë.

Por historia kishte një hollësi që e ndryshonte disi pamjen e fajit. Ai djalë ia kishte dhënë veglat një ushtari, të cilit i ishte sëmurur nëna dhe, për shkak se i kishin humbur veglat e pastrimit të armës së tij, nuk fitonte leje për të shkuar në shtëpi. Në atë botë, ku rregullorja kishte më shumë zë se njeriu, një palë vegla mund të bëheshin pengesë mes një djali dhe nënës së tij të sëmurë.

Ndoshta kjo ishte ironia e parë e madhe e gjithë historisë, një send i vogël metalik kishte fituar më shumë autoritet se një nënë që priste të birin. Por, sikur kjo të mos mjaftonte, në repart kishte ndodhur edhe diçka tjetër, shumë më e madhe në zhurmë dhe shumë më e vogël në rëndësi, megjithëse atë natë askush nuk e dinte këtë.

Ishte nisur si një shaka. Dy nxënës, një i vitit të tretë dhe një i vitit të katërt, kishin mbledhur rrobat e djemve të tjerë ndërsa ata flinin dhe, me atë guximin e veçantë që kanë vetëm shakatë e bëra natën, i kishin hedhur në gropën septike të WC-së.

Rra çanga e alarmit. Në repart, një çangë alarmi nuk ishte si zilja e shkollës që të njoftonte orën e matematikës. Ajo kishte një tingull tjetër, një tingull që i jepte edhe gjësë më qesharake pamjen e një katastrofe. Në pak çaste gjithçka u vu në lëvizje. Urdhra, hapa, britma, pyetje, fytyra të ngrysura. Por askush nuk dilte nga djemtë. Të gjithë ishin me penebrekë të bardha. Rrobat nuk gjendeshin.

Dhe, për një çast, mbase edhe vetë gropa septike u bë pjesë e historisë ushtarake të repartit, sepse aty brenda nuk ndodheshin thjesht rroba të hedhura nga dy nxënës që kishin dashur të qeshnin, por prova e parë e një lloj çrregullimi që, në sytë e atyre që kishin ardhur për të vendosur rregullin, mund të merrte përmasa shumë më serioze.

Ne nuk e dinim ende se çfarë po ndodhte, por po shihnim diçka që do të na mbetej gjatë, kur një sistem ka frikë nga kaosi, edhe një palë pantallona të hedhura në një gropë mund të duken si fillimi i një revolucioni. Dhe ndoshta pikërisht këtu fillon filozofia e kësaj shakaje. Sepse çfarë është një shaka? Është një veprim që bëhet pa e matur pasojën. Njeriu qesh sepse mendon se e ka nën kontroll situatën, ndërsa jeta, e cila ka një humor shumë më të madh se njeriu, pret vetëm çastin kur të tregojë se kontrolli ishte një iluzion. Dy nxënës kishin dashur të qeshnin me shokët e tyre. Por repartit iu desh të mendonte për sigurinë, disiplinën, përgjegjësinë, fajin dhe fajtorin. Nëse do të kishim qenë jashtë atij muri, ndoshta do të qeshnim më lirshëm. Brenda tij, edhe e qeshura duhej të kishte leje.

Hetimet nisën. Fytyrat e komandantëve u bënë gjithnjë e më serioze, ndërsa ne shikonim njëri-tjetrin me atë heshtjen karakteristike të nxënësve që e dinë diçka, por nuk janë të sigurt nëse duhet ta thonë. Në një repart ushtarak, heshtja nuk ishte gjithmonë mungesë fjale. Shpesh ishte një mënyrë për të mbrojtur veten nga fjala e gabuar. Dhe ndërsa kërkoheshin fajtorët, dukej sikur gjithçka po merrte një përmasë që nuk i ngjante më as shakasë, as humbjes së veglave. Ishte bërë një çështje e rendit.

Atëherë kuptova, shumë vite më vonë, se sistemet që mbështeten fort te rregulli kanë një dobësi të çuditshme. Ato mund të dinë saktësisht ku ndodhet një armë, një palë vegla pastrimi apo një uniformë, por mund ta kenë shumë më të vështirë të kuptojnë pse një djalë ia jep dikujt një send që tjetri të mund të shkojë të shohë nënën e sëmurë. Rregulli e di çfarë është e ndaluar. Njeriu pyet pse. Dhe mes këtyre dy pyetjeve, ndonjëherë, qëndron e gjithë historia.

Ne ishim ende nxënës, por për një muaj po na mësonin një lëndë që nuk shkruhej në asnjë program mësimor, si të sillesh kur pushteti e merr seriozisht edhe atë që ti e ke bërë për të qeshur. Na mësonin se një shaka mund të bëhej faj, se një send mund të bëhej provë dhe se një gropë septike mund të kishte më shumë dëshmi sesa një dëshmitar. Në fund, rrobat u gjetën. Veglat u gjetën edhe ato. Por ajo që nuk u gjet dot lehtë ishte kuptimi i gjithë asaj zhurme. Ndoshta sepse kuptimi nuk ishte fshehur në repart. Ishte fshehur tek ne. Ne kishim hyrë aty si nxënës dhe do të dilnim prej andej me një mësim të çuditshëm, se njeriu mund të jetojë mes rregullave, por nuk mund të kuptohet vetëm përmes tyre.

Dhe sot, kur e kujtoj atë portë të madhe të gjelbër të errët në hyrje të Peqinit, më duket se ajo nuk hapej vetëm për makinat e mëdha. Ajo u hap edhe për një pjesë të vogël të jetës sonë, një pjesë ku një palë vegla pastrimi, një nënë e sëmurë, disa rroba të hedhura në gropën septike dhe dy djem që kishin dashur të bënin shaka u bashkuan në një histori që, për nga absurdi, mund ta kishte shkruar vetë jeta. Sepse jeta ka këtë ves të çuditshëm, na lejon të qeshim me një gjë, pastaj na detyron të mendojmë për të.

Dhe ndoshta kjo është arsyeja pse disa shaka nuk mbarojnë kur e qeshura pushon. Ato mbeten gjatë në kujtesë, jo sepse ishin të bukura, por sepse na treguan diçka që atëherë nuk e kuptonim, se njeriu mund të humbasë rrobat, mund të humbasë veglat, mund të humbasë një ditë, një muaj apo edhe një lloj lirie, por ajo që mbetet është pyetja se kush ishte më qesharak në gjithë atë histori, ai që bëri shakanë, ai që e mori seriozisht, apo një sistem që kishte aq frikë nga një shaka sa iu desh të shpallte alarm. Dhe ndoshta përgjigjja nuk ka nevojë të thuhet, sepse, në fund të fundit, shakaja ishte e jona, por ironia ishte e kohës.

Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page