Fatmir Terziu: Sa të pafajshëm paskemi qenë
- Prof Dr Fatmir Terziu
- 4 hours ago
- 1 min read

Sa të pafajshëm paskemi qenë
Nga Fatmir Terziu
Sa të pafajshëm paskemi qenë,
sot e shoh dhe më dhemb pak,
rinia ikën, kujtimet vetëm flenë,
si refren që s’hesht në shpirt gjatë.
Mbaj në shpinë zhurmë e rrëmujë,
britma, gjullurdira, trazim,
por mes tyre më rri pa bujë
një pëshpëritje, një zë kujtim.
Sa të pafajshëm paskemi qenë,
ia bëj me sy fotografisë,
qindra kujtime zgjojnë folenë,
e thurrur me fill të rinisë.
Një skenë në ëndërr më ndjek,
bardhë e zi televizori rri,
ekran i vogël, dashuri e thjeshtë,
ku pispillosej edhe miza aty.

Sa të pafajshëm paskemi qenë,
(trikon s’e di në e bëra pis,)
ngjyra e saj me mua ende flen,
një sekret që s’pranon ta braktis…
…jo vetëm për ditët e rinisë,
por për vetë syrin Tjetër që e pa,
kur dashuria hidhte shtat si një filiz,
sa të pafajshëm paskemi qenë, ah sa!
Sa të pafajshëm paskemi qenë,
pa e ditur pas ç’do të na vijë,
jetën e morëm si këngë të lehtë,
pa faj e plotë barrë mbi shpinë.
Kjo foto më thotë: „Eh, sa je plakur“!“
Por mua, më duket thjesht … një grim.
Një botë e thjeshtë, një zemër e hapur,
sa të pafajshëm paskemi qenë… miku im









Comments