top of page

Fatmir Terziu: „Rrugëtimi im“ tek Mero Baze

Shumëkush mund të pikëtakoj vetveten, në të tilla raste, kur ndjek „Rrugëtimi im“ nga Mero Baze

 

 

Një pluhur i tistë, i dukshëm dhe i padukshëm, godet hapësirën që herë vjen e gjelbërt e herë e grimuar nën fokusin e kameramit të televizonit shqiptar. Skenari është i thjeshtë dhe kameramani e ka objektivin e qartë. Koha rrëshqet në histori dhe mall dhe fjala përmbushet me respekt të paparë. Disa figura, të njohura e të panjohura në lëvizjen dhe zhurmën e vazhdueshme, fytyrat e rrudhura nga memorja, distancat e shkelmuara dhe aroma ndërhyrëse e vazhdueshme e zbrazëtisë, e ndiqnin me kërshëri dhe këmbëngulje hapin e protagonistit. Ai e urren vetminë, por nuk e adhuron as kaosin. Shqisat e tij po përshtaten me detyrimin për të qenë vazhdimisht vigjilent dhe për të skanuar me kujdes çdo kornizë lëvizjeje në këtë rrugëtim, të përhumbur në turmën kohore, më shumë se sa në ekzistencën dhe mbijetesën njerëzore. Të mbajturit mend lëvizin pa dallim. Të gjithë nga kudo. Secili përqark njëri-tjetrit. Të palëkundur. Dashamirë. Vazhdimisht. Një rreth vicioz i pafund, fshirës dhe memorjevrasës nëse devijohesh vetëm për një çast nga ajo që të mban memorjen dhe kujtimet  gjallë, për t'i shpëtuar kurthit të kohës dhe për të mbijetuar të gjitha ato që mund të mbeten si perla për brezat.

Në përhumbje të ekranit. Kaq ishte. Më vonë, mund të kujtoje edhe kush ishe, nga vije dhe pse përfundove këtu, edhe pa qenë aty, sepse ekrani dhe siglat e tij të përpinin. Mendim pas mendimi dhe fjalë pas fjale, për t'u mbledhur në qenien njerëzore që ishe dhe që do të doje të ishe përsëri, pra si Ai, protagonisti… Emri. Mbiemri. Emri i familjes. Mosha dhe gjinia. Statusi shoqëror. Interesat... Shpirti dhe materia në gëzimin e egër të shansit për të ekzistuar pak më gjatë. Dhe vetëm kaq. Kaq mjafton të përshkruash më qartë … Ti po ndjek një emision dhe ndoshta nuk je në mision. Por ja që një emision, ndonjëherë të delegon të përfshihesh edhe vetë në një mision…

Në një emision të shkëlqyer të RTSH-së ndoqa nën titullin „Rrugëtimi im“ një nga figurat e gazetarisë së sotme shqiptare, Mero Baze, që është dhe botues i gazetës „Tema“. Në thelb dukej sikur të ishte thjesht kthimi te rrënjët në Peshtan dhe dëshmia për krijimin e PD Mat, që në fakt ishte vetë itinerari i memorjes Baze tek „Rrugëtimi im“, ai që shkonte nga mosha fëminore, që ishte rrethuar me moshën e tretë, dhe nën përkujdesjen e gjyshit, deri tek dalja në jetë si inxhnier i Gjeologjisë shqiptare të para viteve nëntëdhjetë, pas emërimit të tij në Mat. Sikurse citohet nga burimi televiziv „Përmes rrëfimit të tij, ai shoqëron shikuesin në fëmijërinë e vet, frikën e mbetjes pa arsim të lartë për shkak të biografisë, si dhe nëpër sulmet dhe aleancat e pastra që formuan inxhinierin dhe gazetarin.“ Më tej rreth pyetjes se  „Sa i lidhur është Mero me fshatin dhe rrënjët e tij dhe si investon ai për to?“ është një gërvishtje e lehtë intelektuale dhe patriotike, të cilën ai e thellon duke na treguar ringritjen nga rrënojat të një kishe dhe rigjenerimin e banesës ku lindi, si amanet dhe porosi e të Atit.

Kthim te rrënjët në Peshtan dhe dëshmia për krijimin e PD-së Mat, ky është një fragment-rrugëtimi  i Mero Bazes, ai rrugëtim që na mbush me frymëzim, që na jep një pasqyrë më të saktë të njohim jo vetëm penën që lexohet mjaft, por dhe njeriun e rrethuar me disa të panjohura në këtë fakt. Sikurse e cituam pra, dhe sipas emisionit në fjalë, RTSH e detyron atë që sjell përmes rrëfimit atë që e shoqëron shikuesin në fëmijërinë e tij, frikën e mbetjes pa arsim të lartë për faj të biografisë, sulmet dhe aleancat qe krijuan inxhinierin dhe gazetarin. Dhe kështu 40 minuta, personalitete të artit, kulturës, letërsisë, jetës politike e jo vetëm, rrëfejnë mbi femijërinë, rininë, personazhe e ngjarje, që kanë ndikuar në formimin e tyre. Sekrete, emocione, dobësi, analizë, rikthim në kohë e kujtime, që të mbajnë pezull. Një rijetim i momenteve kulmore në karrierën e tyre. Pasione, hobi, pendesa. Gjithçka në një rrëfim ekskluziv për RTSH 1 HD, erdhi si një produkt në vijim i kësaj figure të talentuar, që nxënës model në letrësi në gjimnazin e Delvinës, një student, pos peripecive të tjera që më në fund e bëri veten inxhinier, dhe një i emëruar diku larg, larg e shumë larg dhe ëndërrave të tij për gazetarinë që e kishte fituar me talent, por që duhej kohë ta ushtronte në të vërtetë.

E kështu Baze i njohur i shkrimeve pa kompromis, në këtë emision është një fëmijë, një rinosh, një student, një intelektual, një rrogëtar, një aktivist dhe në fund një njeri që ndjen edhe lotë edhe mall, për udhëtimin e tij afër dhe larg. Dhe në këtë hapësirë, në këtë realitet e këtë udhëtim real, mendoj se shumëkush mund ta ketë gjetur vetevten e tij ndoshta po në atë standart, në atë stad, në atë rrethrrotullim imagjinar të një kohe në kohëudhë tjetër e me një mirëkuptim të heshtur e të ndjeshëm.

Baze i gazetës, i shtypit, por dhe i inxhinierisë së gjeologjisë së Matit, është midis të përditshmes dhe të shkruarës mes artit, është një realitet që lind nga mosha e tij rinore një poet, por që asnjëherë nuk e shpreh dhe mbetet modest, derisa duhej që Iliriana Zhupa poeti me emër nga Tepelena ta bënte të sinqertë dhe ardhjen e një vëllimi të tij të begatë kohët e fundit, ku duket jo vetëm poezi e mirëfilltë por dhe art.

Mero Baze përmend me kenari të parët e tij, përmend të gjithë dhe natyrisht dhe mban respekt, flet për bashkëmoshatarë, flet për halle, vuajtje, frikëra dhe sjell ndërmend të Tjerët e afërt të një kohe, si Lazër Stanin, Faruk Myrtajn, Ilirian Zhupën, e mjaft të tjerë që iu ndeshën në udhën e tij dhe ai i gjen si intelektualë të ndjeshëm e me vlerë. Ai nisi të shkruaj poezi që në vitet tetëdhjetë, por më pas i perfeksionoi duke botuar tek “Studenti” dhe “Zëri i rinisë”. Ai është vlerësuar si në poezi, ide, ashtu dhe në shkrime me nivel e standart të kënaqshëm që në atë kohë.

Mero Baze vetëm pas rënies së monizmit filloi si gazetar, në fillim tek gazeta „Alternativa SD“ e më pas në Agjencinë Telegrafike Shqiptare (ATSH), në gazetën “Rilindja” të Kosovës që botohej në Tiranë. Më pas si Korrespondent i „Zërit të Amerikës“ dhe „Evropa e lirë“. Më 1999 themeloi gazetën „TemA“ ku është botues dhe editorialist i saj. Ndër krijimet e tij të tjera në lëminë e publicistikës përfshihen “Kthim grek”, “Realitete shqiptaro-amerikane”, “Shqipëria dhe lufta në Kosovë”, “Përballja me antiopozitarizmin”, “Viti 97”, “Republika e dytë”. Ndërsa në poezi “Jug”; dhe vëllimi i tij i kohëve të fundit “Shi me baltë” që përfshin krijime kryesisht të rinisë e më vonë. “Ky libër me poezi, kjo poemë elegjiake, me të katër pjesët e saj, i këndon humbjes, asaj të përgjithshmes dhe asaj vetjakes, asaj të përbotshmes dhe asaj të përveçmes, asaj të priturës dhe asaj të stisurës. Braktisjes së gjërave të shtrenjta, botës që na ikën përditë, na shket nga sytë, nga duart, nga mendja e nga shpirti si rëra…” – shkruan Ilirian Zhupa në parathënie.

Duke përfunduar vërtet ndjej një shans të mirë për të ritheksuar se shumëkush mund të pikëtakoj vetveten, në të tilla raste, kur ndjek „Rrugëtimi im“ nga Mero Baze. Seriozisht për rrugëtimin, seriozisht për poezinë? Oh, çfarë poezie! Bota është çmendur nga kontradiktat, politikat e urrejtjes, ne ende nuk mund ta provojmë veten në karrierat tona, paratë po shkrihen si një akullnajë në ngrohjen globale, dhe fëmijët po i nënshkruajnë emrat e tyre në ndryshesa të paartikuluara! Kjo jetë është një garë, e dini! Makina të reja, rroba të shtrenjta, një paradë mirëqenieje, asgjë që mund të jetë e dorës së dytë dhe në vend të një etikete të importuar, për një sy rural, fshatar, shqiptar, më me përvojë që të ndriçojë një palë mure të bëra gërmadhë, të ringresh merjen në art, në varg, në poezi. Gjëja e rëndësishme është të qëndrosh në hap me kohën, dhe poezia duket se po mbetet pas saj.

Si këtu, në Ishull, ashtu edhe atje, në shtëpi, njerëzit duan ta zemërojnë konkurrencën me stilin e tyre të shndritshëm dhe të plotë. Dhe gjithashtu të shprehin spiritualitetin e tyre në anglisht, sepse kjo është kremi i edukimit verbal këto ditë, ku të gjithë janë të magjepsur nëse dikush futet përpara në shoqëri me ketchup të huaj.

E kuptova filozofinë e modernitetit saktë, apo jo? I frymëzuar nga mendimi i ri në një kohë të lirë udhëtova në Youtube, shkova për një shëtitje në vendlindjen e Meros, i pushtuar nga një mall i pakuptueshëm. Nuk ishte diçka e përcaktuar, përveçse thjesht nuk mund të isha i lumtur për përmbledhjen time të botuar të poezive, sepse të gjithë dhe kudo më bindën se tani nuk ishte koha për të tilla emisione, për të tilla shkrime, për të tilla…. Njerëzit u brutalizuan nga kriza dhe askush nuk ndihej sikur kishte spiritualitet. Dhe sa para kushtonte kjo krahasuar me dëshirat e konsumatorit të shqiptarit modern, një emigranti potencial si unë si mund ti kuptohej se ku e ka qëllimin...

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page