top of page

Fatmir Terziu: Rikthimi tek stili i Qamil Buxheli

  • May 7
  • 3 min read

 

Shkrimtarin dhe profesorin Qamil Buxheli e kam njohur nga afër qysh herët, si mik të dajave të mi, në ato vite kur prania e tij sillte gjithmonë një atmosferë të veçantë. Nuk ishte nga ata njerëz që imponoheshin me zë të lartë apo me autoritetin e emrit. Përkundrazi. Fliste butë, me një qetësi të mençur, por në sytë e tij ndjeje menjëherë atë shkëndijën ironike që më vonë e gjeje në gjithë letërsinë e tij. E kam lexuar qëkur punonte si pedagog në Institutin e Lartë Pedagogjik “Aleksandër Xhuvani”, kohë kur emri i tij qarkullonte jo vetëm si shkrimtar i talentuar, por si një njeri me kulturë të gjerë dhe me një mënyrë krejt të veçantë të të parit të jetës.


Qamili nuk e donte pompozitetin. Ai nuk kishte nevojë të bënte moral apo të ngrinte zërin për të goditur një fenomen. Satira e tij vinte natyrshëm, si një buzëqeshje e lehtë që të mbetej gjatë në mendje. Dhe pikërisht aty qëndronte forca e tij. Ai e kuptonte se shoqëria shqiptare kishte aq shumë tragjikomedi brenda vetes, sa mjaftonte t’i vije përballë pasqyrës së humorit dhe gjithçka zbulohej vetvetiu. Tregimet e tij, që nga “A doni më për Belulin”, “Ndodhi në plazh”, “Kameleoni”, “E ëma e Zeqos”, apo “Faraonë e firaunë”, nuk ishin thjesht pjesë humoristike. Ato ishin diagnoza të kohës. Në to gjeje burokratë të fryrë nga vetja, servilë të lindur, njerëz që flisnin shumë dhe bënin pak, tipa që e merrnin seriozisht kotësinë e tyre. Dhe e gjithë kjo vinte përmes një gjuhe brilante, të rrjedhshme, plot ritëm, plot jetë dhe me një shqipe që shijonte në çdo fjali.

Kur lexon sot tregimin satirik të Sadik Përvetica, “Rendi i ditës: ‘RRAH PORTI PESËVJEÇAR’”, ndien menjëherë atë frymë të hershme të humorit inteligjent shqiptar, që të kujton mjeshtrin Qamil Buxheli. Jo si imitim, por si vazhdimësi e një tradite të bukur satirike, ku absurdi burokratik shndërrohet në art letrar. Sadik Përvetica, i lindur në Breznicë të Prishtinës, me një përvojë të gjatë si mësues, profesor, gazetar, redaktor dhe lektor në Radio Prishtina e Radio Kosova, e njeh nga afër mekanizmin e jetës publike shqiptare. Dhe kjo ndihet në mënyrën se si ai ndërton personazhet dhe dialogun. Në tregimin e tij, mbledhja groteske e “Rrethit të Rrathëve të Rrahur Rrëmisht qysh më parë” duket sikur ka dalë nga ndonjë laborator humori buxhelian.

Që në hyrje të tregimit, lexuesi futet në një atmosferë absurde ku rendi i ditës ka më shumë rëndësi se vetë puna. Kryetari Adalet Brifshehti, me barkun e madh, me kravatën vertikale dhe me kravatën flutur të kuqe sipër saj, është një figurë që mbetet menjëherë në mendje. Ai mishëron tipin e burokratit pompoz, që merret më shumë me ceremonialin sesa me përmbajtjen. E gjithë mbledhja sillet rreth pyetjes qesharake: “A me shti, a mos me shti?” Dhe aty fillon loja e madhe e satirës. Humori i Sadik Përvetica është organik. Ai lind nga vetë gjuha e personazheve. Nuk ka nevojë për sforcime. Fjalët, ndërhyrjet, batutat spontane dhe ritmi i dialogut krijojnë një gjallëri që të kujton menjëherë tregimet e Qamil Buxheli. Personazhet nuk janë thjesht figura komike; ata janë pjesë e një realiteti që e njohim të gjithë.

Veçanërisht domethënëse është figura e plakut “me krryle”, i cili në mes të gjithë rrëmujës së sallës guxon të bëjë pyetjen më të thjeshtë dhe më të rëndë: si është e mundur që për punë kaq të rëndësishme të thuhet vetëm “veç shpejt” dhe “shtine ku t’mundesh”? Kjo është pika ku humori shndërrohet në reflektim. Qeshja ndalet për një moment dhe lexuesi kupton se problemi nuk është vetëm komik; ai është thellësisht shoqëror. Kjo ishte edhe fuqia e letërsisë së Qamil Buxheli. Ai nuk sulmonte individin thjesht për ta tallur, por mendësinë që prodhonte mediokritetin, zbrazëtinë dhe burokracinë. Dhe pikërisht kjo frymë ndihet edhe te proza e Sadik Përvetica. Në një kohë kur humori shpesh ngatërrohet me banalitetin ose me zhurmën pa ide, rikthimi tek stili i Qamil Buxheli është një rikthim tek inteligjenca e të shkruarit. Tek ajo satirë që nuk ka nevojë të bërtasë për të goditur. Tek ai art që të bën të qeshësh dhe, menjëherë pas kësaj, të mendosh gjatë.

1 Comment


Sadik Përvetica
May 07

Shumë faleminderit, mik i nderuar - Fatmir Terziu për analizën dhe publikimin e tregimit tim satirik "Rrahporti pesëvjeçar"! Miqtë e vërtetë si ju, duke analizuar, publikuar dhe fuqizuar vlerat e krijimtarisë së një autori, njëkohësisht i bëjnë një shërbim të mirë edhe gjithë letërsisë sonë kombëtare. Andaj qofsh i nderuar për jetë e mit, miku im, për këtë nderim që ma bëre përmes kësaj analize të tregimit tim! Shëndet dhe suksese të pandalshme në gjithë krijimtarinë tuaj!

Like

Shkrimet e fundit

bottom of page