top of page

Fatmir Terziu Rikthimi tek nocioni udhqyes filozofik i natyrës


Rikthimi tek nocioni udhqyes filozofik i natyrës, natyrisht vjen mes dëshirave të padukshme, që mbesin nën një harpë po aq të padukshme. Tërësitë e natyrës përfshihen në ëshira që nbesin duke dëgjuar muzikën e tek shpirtrat që kanë nevojë për vallëzim. Lartësia nga shpirti i dashurisë nuk pohohet, por Heshtja e zemrës zgjon gjithë krijimin. Ky mbetet parimi moral i natyrës para përgatitjes.

 

KUR ÇELIN MIMOZAT

(Ose dialogu i heshtur i nënës me dy mimozat)

 

Nga Fatmir Terziu

 

E shihte nëna mimozën të çelte çdo behar

për një ninullë pranvere të përlotej atë kohë.

Por kur dëgjonte një zhurmë aeroplani atje lart,

çdo brengë e mall i kthehej në këngë:

moj mimozë e bukur e verdhë

vallë a do të ma sjellësh Mimozën time në derë?

 

Që kur nisin e çelin syllkat e mimozës në bahçe

nënoken e shtrenjtë e tradhëton një bulë loti në faqe...

por sa herë nga qielli gumëzhima dihatet

me shpejtësi ia gris kalendarit faqet.

 

Sa herë që malli e ndez për bijën e saj,

sytë ia qep qiellit lart...

Bijëza ime e shtrenjtë!

 

Ti nuk erdhe për ballakumet

m’i thave karakaftet.

Ti nuk erdhe të shikoje dot

se si mimoza e veshi trupin plot!

 

Buzët e mia gati u shkulën prej vendit

kur ngisja mes lulëzave të saj nën dhëmbë,

ninullën e hershme që mallin më treti

dhe emrin tënd. 

 

JE ÇELUR KAJSIJA IME

Nga Fatmir Terziu

 

Je çelur kajsija ime e fëmijërisë. Kokëulur

buzë rrugicës ndjek takat e vajzave,

herë kërrusur mbi librat e shkollës,

herë kokën nga dritarja e tejlagur nga gjerbat e stinës,

ku janë nderur fjongot.

 

A e ndjen?

Gjithçka përreth meje bëlbëzon mall Shqipërie

e në atë zhaurimë,

përshpirtet nuri yt me fjalët e kësaj poezie.

 

Ke çelur me siguri atje

e të ndjej duke nusëruar,

natë e ditë në fronin tënd i bën karshillëk planetit.

Mund të të sulmojnë erërat e fundmarsit

e prilli mund të të zhgënjejë,

janë thjesht rrokada që mbarsin,

trillet, si fjalët pa vlerë.

 

A e kupton?

Prej shpirtit dhe zemrës s’të ndaj asnjëherë

është një kënd gjithmonë në zemrën time për ty,

se ti gjithnjë më sjell gjithandej pranverë,

kam portretin tënd në sy.

 

Duhet ta dish

se pemës njësoj si njeriut i kashtiset kallja

kur lë pas mirësinë, mbetet i trishtë

dhe në frut i pllakos kalbja.

 

Por ti, mbete Ti

kajsija ime je e çelur përherë,

mbete Pranverë!

 

29 Mars 2014 - 29 mars 2025

Comentários


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page