Fatmir Terziu: Receta Orwell
- Mar 7, 2025
- 1 min read

Receta Orwell
Nga Fatmir Terziu
Ka një recetë zyrtare të quhet kryevend,
e shoh nga larg të ngrihet mbi varg,
hesht dhe kur nuk flet, flet dhe kur nuk hesht,
ditë të reja, me lëvizje të tjera si në ndonjë përrallë,
zvarritje që gëlltisin përhumbjen e qetë,
nëpërka, luanesha, kafshë të tjera plotë helm,
ato që ikën, gëlltitën vetveten, ata që mbetën u shumuan,
rreth i zvarranikëve që sorrollaten jerm,
protestojnë pse nuk u shkruan,
kërkojnë të gëlltisin Fermën Orwell.

Oreksi është shpërngulur në pyllin e egërsirave,
ushqehet me gjëra të vogla,
hardhuca laramane qëndrojnë para pasqyrave,
riprodhojnë specie që s'i ka parë bota,
mbushin CV-i të të gjitha ngjyrave,
receta dioptike sikurse vetë koha,
për recetën e lartë të zyrave.
Ka një vendim që veç në heshtje gëlltit,
krijesat e reja kërkojnë zyra, para, prona,
grykësi që s'ka një të dytë,
e gatshme të gëlltis bishën kur t'i vijë koha.
Ka një të tillë dhe jashtë vijës së verdhë,
gjithë përallat e quajnë kryevend i nëpërkave me ves,
të cilat nuk i perceptoi dot Orwell,
sikurse gjithë donkishotët nuk i përmbledh një Servantes.
Receta Orwell gjithnjë lë diçka për një herë tjetër,
duke shfletuar faqen pas faqes,
nëpërkat e reja po rishkruajnë këtë vepër,
me recetën e paqes.









Comments