top of page

Fatmir Terziu: Realizmi si nevojë, jo si doktrinë

ree

Realizmi si nevojë, jo si doktrinë

 

 

Duke lexuar George J. Becker dhe disa sfida të realizmit në letërsinë shqipe sot

 

 

Kur George J. Becker botoi në vitin 1963 librin „Dokumente të Realizmit Letrar Modern“ (Documents of Modern Literary Realism), ai nuk synonte të shkruante një histori përfundimtare të realizmit, as të shpallte një teori të re. Përkundrazi, libri i tij është një akt besimi te dokumenti, te fjala publike e shkrimtarëve dhe kritikëve që, në momente të ndryshme historike, u përpoqën të kuptonin marrëdhënien e letërsisë me realitetin. Ky qëndrim, i shpjeguar qartë në parathënie, e bën librin aktual edhe sot, veçanërisht për një hapësirë letrare si ajo shqiptare, ende në kërkim të një raporti të qartë me realizmin.

Becker e sheh realizmin jo si stil të mbyllur, por si impuls, si një shtysë të vazhdueshme për t’u shkëputur nga format e konsumuara dhe për t’u kthyer nga jeta bashkëkohore. Në shekullin XIX, ky impuls u drejtua kundër romantizmit dhe abstragimit estetik; sot, në Shqipëri, ai mund të shihet si reagim ndaj një tjetër lloj shmangieje, ndaj një letërsie që shpesh rrotullohet rreth vetes, simbolikës së paankoruar, ose temave të trajtuara sipërfaqësisht. Në këtë kuptim, realizmi nuk është kthim prapa, por rikthim i vëmendjes.

Por meqenwse jemi tek „realizmi“ dua tw sqaroj qw nw fillim se nuk duhet ngatwrruar Realizmi Modern me Realizmin Socijalist. Realizmi socialist ishte doktrinë ideologjike. Ai nuk përshkruante realitetin siç ishte, por siç duhej të ishte sipas vijës politike. Personazhet ishin tipa model, konflikti i parapërcaktuar dhe e ardhmja gjithmonë optimiste. Realiteti filtrohej nga propaganda. Realizmi modern, siç e koncepton George J. Becker, është etikë vëzhgimi, jo program. Ai nuk shpall të vërteta, por dëshmon përvoja. Personazhet janë të zakonshëm, shpesh të pasigurt, pa rol heroik. Nuk ka fund të detyruar, as mesazh ideologjik. Në realizmin socialist, shkrimtari ishte zë i pushtetit. Në realizmin modern, shkrimtari është dëshmitar i jetës. Ky është dallimi thelbësor.

 

Realizmi dhe frika nga realiteti

 

Një nga seksionet më domethënëse të librit të Becker-it është ai mbi natyralizmin dhe polemikat rreth Émile Zolas. Ajo që del në pah nuk është vetëm rëndësia e Zolas, por frika që realizmi i pakompromis shkaktoi, frika nga banalja, nga e shëmtuara, nga ekspozimi i strukturave sociale dhe biologjike që letërsia më parë i shmangte. Kjo frikë është e njohur edhe në kontekstin shqiptar. Ende sot, çdo përpjekje për të shkruar drejtpërdrejt mbi varfërinë, dhunën, korrupsionin, jetën periferike apo dështimin moral, rrezikon të etiketohet si “tepri”, “vulgaritet” apo “mungesë finesse”. Kjo tregon se problemi nuk është mungesa e realizmit, por rezistenca kulturore ndaj tij. Becker na kujton se polemikat nuk janë shenjë krize, por shenjë se letërsia po prek diçka reale.

 

Realizmi pa manifest

 

Një vëzhgim thelbësor i Becker-it është se, në shekullin XX, realizmi vazhdon pa manifeste. Ai nuk ka më nevojë të shpallet, sepse është bërë pjesë e vetëdijes letrare. Ky është një mësim i drejtpërdrejtë për Shqipërinë e sotme, ku mungesa e rrymave të shpallura shpesh shihet si konfuzion ose varfëri estetike. Në të vërtetë, kjo gjendje mund të lexohet si hapësirë lirie. Realizmi bashkëkohor shqiptar nuk ka pse të jetë programatik, as ideologjik. Ai mund të ekzistojë në forma të ndryshme: në prozë urbane, në rrëfime intime, në fragmente jete të papërfunduara, në heshtje po aq sa në deklarata. Problemi lind kur realizmi ngatërrohet ende me hijen e realizmit socialist. Becker bën dallimin e qartë: realizmi modern është vëzhgim kritik, jo instrument propagande. Ky dallim është ende i paqartë në debatin letrar shqiptar.

 

Proza si terren prove

 

Nuk është rastësi që Becker përqendrohet pothuajse tërësisht te proza. Historikisht, realizmi e ka gjetur formën e vet më të plotë në roman dhe tregim. Edhe në Shqipëri, proza është fusha ku përplasja me realitetin është më e dukshme, por edhe më pak e artikuluar kritikisht.

Shpesh, mungon jo vepra realiste, por leximi realist i veprës. Kritika tenton të moralizojë ose të përgjithësojë, në vend që të analizojë mënyrën se si teksti ndërton realitetin e vet. Qasja e Becker-it, dokumenti që flet vetë, pa ndërhyrje doktrinare, mund të shërbejë si model për një kritikë më të ndershme dhe më pak autoritare.

 

Realizmi si rikthim i vazhdueshëm

 

Në fund, „Dokumente të Realizmit Letrar Modern“ (Documents of Modern Literary Realism) edhe pse nuk ofron receta ai ofron kujtesë historike. Na tregon se realizmi kthehet gjithmonë kur letërsia rrezikon të humbasë lidhjen me jetën reale. Në Shqipërinë e sotme, ku realiteti është i fragmentuar, kontradiktor dhe shpesh i dhimbshëm, realizmi nuk është zgjedhje estetike, por domosdoshmëri morale. Jo si doktrinë, por as jo si model dhe vetëm si guxim për të parë dhe për të treguar.

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page