top of page

Fatmir Terziu: Rastësia e leximit si shkas…

  • 6 days ago
  • 5 min read

Rastësia e leximit si shkas…

 

Rastësia e leximit shpeshherë shndërrohet në një akt zbulimi ontologjik. Aty, prej leximit, teksti nuk është më thjesht objekt estetik. Ai diskursohet, dhe mbetet një hapësirë përjetimi që ndërmjetëson marrëdhënien midis trupit, shqisave dhe ndërgjegjes. Poezia e Tetuta Shaqirajt, veçanërisht në ciklin “Ca pengje” dhe “Prekje shpirti”, hap një diskurs të ndërlikuar e të ndjeshëm mbi prekjen, syrin dhe shpirtin, duke i vendosur ato në një raport dialektik mes të dukshmes dhe të padukshmes, një nga nyjet themelore të filozofisë moderne, nga fenomenologjia deri te hermeneutika.

Në këtë kontekst, “pengu” si motiv themelor nuk është thjesht një kujtesë emocionale apo një mbetje e së shkuarës, por një formë e pezullimit ekzistencial. Ai është një gjendje ndërmjetësuese, ku subjekti poetik jeton në kufirin midis asaj që është përjetuar dhe asaj që nuk mund të përmbushet më. Kjo gjendje i afrohet konceptit fenomenologjik të “intencionalitetit të ndërgjegjes”, ku çdo përjetim është gjithmonë i drejtuar kah diçka që mungon, që është e dëshiruar, por jo e pranishme në mënyrë të plotë.

 

1.     Syri dhe e dukshmja: një perceptim i trazuar

 

Në vargjet “Kam peng dy sy me shpirt e të ullinjtë”, syri nuk është vetëm organ perceptimi, por një entitet i shpirtëzuar. Ai bëhet bartës i një kujtese të gjallë, një dritare që nuk shikon thjesht botën, por e përthith atë në një dimension emocional. Kjo përputhet me idenë se e dukshmja nuk është kurrë neutrale; ajo është gjithmonë e ngarkuar me përvojë, me histori dhe me ndjeshmëri.

Por syri tek Shaqiraj nuk është i qetë; ai “ndjell”, ai “nuk fle dot”. Pra, kemi një krizë të perceptimit, ku e dukshmja nuk arrin të stabilizohet si përvojë e plotë. Kjo e çon lexuesin drejt një tensioni të brendshëm: ajo që shihet nuk përkon me atë që kërkohet të përjetohet. Këtu lind një hendek mes shikimit dhe kuptimit, një nga çështjet qendrore të mendimit modern.

 

2.     Prekja dhe e padukshmja, trupëzimi i mungesës

 

Në pjesën “Prekje shpirti”, prekja shfaqet si një fenomen paradoksal: ajo ekziston pikërisht në mungesë. “Malli lind nga mosprekja e gjatë”, ky varg e përmbys logjikën e zakonshme të shqisave. Prekja nuk është më një akt fizik, por një përvojë e brendshme që lind nga mungesa e kontaktit. Kjo e afron poezinë me idenë se trupi nuk është vetëm një objekt në botë, por një mënyrë e të qenit në botë.

Prekja përshkruhet si diçka që “fshehur diku, nën lëkurë”, një lëvizje e brendshme që nuk mund të lokalizohet plotësisht. Kjo e vendos atë në sferën e së padukshmes, ku ndjesia nuk ka formë të qartë, por është një përhapje, një valëzim (“valë valë bredh”). Në këtë kuptim, prekja bëhet një gjuhë e heshtur e shpirtit, një komunikim që ndodh përtej fjalës.

 

3.     Shpirti si hapësirë ndërmjetësuese

 

Shpirti në këtë poezi nuk është një entitet metafizik i shkëputur, por një fushë dinamike ku takohen kujtesa, dëshira dhe mungesa. Ai është vendi ku “zogu” mbahet “fillthi”, një metaforë e brishtësisë dhe e mbajtjes së një gjallërie të brendshme që nuk mund të lirohet plotësisht.

Në këtë aspekt, shpirti funksionon si një liman, një hapësirë pritjeje, siç thotë vetë poetja: “Mbetem një liman ku pres të zgjohem nga ëndërra.” Kjo pritje nuk është pasive; ajo është një formë e të qenit në tension, një gjendje ku e tashmja është e mbushur me të kaluarën dhe e orientuar drejt një të ardhmeje që nuk vjen kurrë plotësisht.

 

4.     Diskursi i ndërmjetëm, mes dukjes dhe zhdukjes

 

Ajo që e bën këtë poezi të veçantë është mënyra se si ajo ndërton një diskurs të ndërmjetëm. Nuk kemi një ndarje të prerë midis të dukshmes dhe të padukshmes, midis trupit dhe shpirtit, midis prekjes dhe mungesës. Përkundrazi, këto elemente ndërthuren vazhdimisht, duke krijuar një hapësirë ku kuptimi është gjithmonë në lëvizje.

Flakëzat që “i ndeza dhe i fika”, zëri që “vjen prap”, nata që “nuk dihet kur ikën”, të gjitha këto janë figura të një realiteti që nuk stabilizohet. Kjo përputhet me një vizion modern të botës si një proces i vazhdueshëm, ku identiteti dhe përvoja nuk janë të fiksuara, por të rrjedhshme.

 

5.     Konkluzion

 

Poezia e Tetuta Shaqirajt ndërton një univers ku shqisat nuk janë thjesht mjete perceptimi, por mënyra të thella të të qenit. Syri, prekja dhe shpirti nuk funksionojnë të ndara, por si një triadë që prodhon kuptim nëpërmjet tensionit midis pranisë dhe mungesës.

Në këtë diskurs, e dukshmja nuk është e mjaftueshme dhe e padukshmja nuk është e paarritshme. Ato bashkëjetojnë në një gjendje të ndërmjetme, ku poezia bëhet një akt zbulimi, jo i botës siç është, por i botës siç përjetohet në thellësinë e saj më intime.

 ______________________________________________________

TEUTA SHAQIRAJ: CA PENGJE.

 

Kam peng dy sy me shpirt e të ullinjtë

ca nanuritje të ëmbla, muzikë në vesh,

drithërima të largëta që netësh shkrepëtijnë,

ca gishtërinj të butë kadife kam peng.

 

Kam peng disa flakëza që shkrepin veç ëndrra,

q’i ndeza dhe i fika me frymëzën e erës.

U tremba se mos digjesha dhe vetë aty brenda,

me shpirtin pjalmuar prej flladeve të verës.

 

Me vjen prap ai zë, më vjen puhi Prilli,

e syrin ma ndjell, por ja që s’fle dot.

Kështu dhe atë, si zog e mbaj fillthi

në shpirt e kam peng, kaq ditë e kaq mot!

 

Kam mall për buzët me afshin e tij

E peng i tyre jam, dëshirash përflakur

Në jerm po digjem e kthehem në hi

në shpuzën e mallit në zjarrin e mpakur.

 

Sa pengje mblodha këtu në nënkresë;

Por pengu m’i madh më erdhi në varg

e kam mu këtu: një zog mes folesë

dhe nata nuk dihet kur ikën, kur zbardh.

 

PREKJE SHPIRTI

   

Ti je aq larg  e afër, sa të shoh, të ndjej.

Prekja jote kushedi ç'formë ka marrë.

Një prekje malli më vjen nga larg,

se malli lind nga mosprekja e gjatë.

 

Prekja jote..

një prekje e hyjit zbritur në tokë,

nje prekje e tultë, e butë,

një mornice derdhur me drithërimë,

fshehur diku, nën lëkurë.

Valë valë bredh shtigjeve të harresës,

shpluhuros e ndez vatrën e kujtesës.

Është ngërçi yt, që ngjitet

e ndalet në fyt.

 

Të prekësh shpirtin tënd,

jo s'qenka e lehtë.

Sikur ke prekur universin,

e universi pranveron aty brenda,

është erë e lehtë,

është aroma jote, që ikën e vjen pa adresë.

Është shpresë e agut që nxiton,

një batice dashurie në pritje,

një melankoni në ikje,

që lë mallin në buzët e mia të pafajshme.

 

Mbetem një liman ku pres të zgjohem nga ëndërra.

Mos më prek pra i dashur, po vuaj nga malli i viseve të largëta.

Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page