Fatmir Terziu: Rakip Zhguni – intelektuali që përkëdhel me zemër Gjuhën Shqipe
- Prof Dr Fatmir Terziu
- 8 hours ago
- 3 min read

Rakip Zhguni – intelektuali që përkëdhel me zemër Gjuhën Shqipe
Nga Fatmir Terziu
Biblioteka Publike "Qemal Baholli" në bashkëpunim me Misionin "Kujtesë për Vazhdimësi" dhe me disa intelektualë të qytetit, organizojnë takimin: „Rrugëtim … në krjimtarinë e autorit Rakip Zhguni“ më datën 16 dhjetor 2025 në sallën e bibliotekës, dhe në pamundësi për të qenë në këtë takim mjaft të rëndësishëm, uroj nga zemra këtë figurë intelektule, komplekse, edhe pse shumë modeste. Ndaj me këtë rast dua të shtoj se figura e intelektualit në shoqërinë shqiptare shpesh është ndërtuar mbi zërin publik, polemikën dhe ekspozimin mediatik, ku kjo figurë e nderuar tregon se ekziston edhe një tipologji tjetër, po aq e rëndësishme: intelektuali i heshtur, i cili vepron përmes punës së vazhdueshme, përkushtimit profesional dhe ndjenjës së përgjegjësisë ndaj gjuhës dhe

kulturës. Rakip Zhguni, pra e them me plotë gojë, përfaqëson këtë model të dytë, duke u shfaqur si një ndër kontribuuesit më të qëndrueshëm në fushën e arsimit, letërsisë dhe studimeve gjuhësore në hapësirën elbasanase dhe më gjerë.
Formimi i tij arsimor në traditën e Normales së Elbasanit dhe më pas në Institutin e Lartë Pedagogjik “Aleksandër Xhuvani” në degën gjuhë-letërsi shqipe, përbën bazën epistemologjike të veprimtarisë së tij intelektuale. Përvoja shumëvjeçare si mësues në zona të ndryshme rurale të Elbasanit i dha Zhgunit një njohje të drejtpërdrejtë të realitetit shoqëror dhe gjuhësor shqiptar. Kjo përvojë u shndërrua në kapital kulturor, i cili do të ushqente më vonë krijimtarinë e tij letrare dhe punën studimore, duke e mbajtur gjithmonë të lidhur me jetën konkrete dhe me njeriun e zakonshëm.

Krijimtaria letrare e Rakip Zhgunit, e shtrirë në poezi, prozë të shkurtër dhe letërsi për fëmijë, karakterizohet nga një estetikë e thjeshtësisë dhe nga një etikë e humanizmit. Temat e dashurisë, familjes, kujtesës, vendlindjes dhe reflektimit shoqëror trajtohen jo si motive abstrakte, por si përvoja të jetuara. Në këtë aspekt, letërsia e tij funksionon si një formë dëshmie kulturore, ku subjekti lirik ndërthuret me realitetin social, pa synuar eksperimentimin formal ekstrem, por qartësinë komunikative dhe ndjeshmërinë emocionale.
Një dimension i veçantë i veprës së Zhgunit është kontributi i tij në fushën e leksikografisë dhe studimeve krahinore. Fjalori krahinor: fjalë dhe shprehje nga zona e Shmilit përfaqëson një akt të rëndësishëm të ruajtjes së trashëgimisë gjuhësore lokale. Ky botim ka vlerë shkencore dhe kulturore, pasi dokumenton një pasuri leksikore që rrezikon të humbasë nën presionin e standardizimit gjuhësor dhe globalizimit kulturor. Në këtë kuptim, Zhguni shfaqet si një ndërmjetës midis traditës orale dhe diskursit akademik, duke i dhënë gjuhës së vendlindjes një status të dokumentuar dhe të qëndrueshëm.
Megjithatë, roli më i spikatur i Rakip Zhgunit në jetën letrare shqiptare mbetet ai i redaktorit. Me redaktimin e mbi 70 librave të autorëve të ndryshëm, kryesisht elbasanas, përfshirë edhe edhe romanin tim „Kojrillat“, ai ka ushtruar një ndikim të drejtpërdrejtë në cilësinë e prodhimit letrar lokal. Redaktimi, në rastin e Zhgunit, nuk reduktohet në korrektësi gjuhësore, por shndërrohet në akt kritik dhe interpretues. Analizat e tij shoqëruese ndihmojnë në orientimin e lexuesit dhe në ndërgjegjësimin estetik të autorëve, duke e bërë atë një autoritet të heshtur, por të respektuar në fushën e kritikës letrare.
Në përfundim, Rakip Zhguni përfaqëson figurën e intelektualit organik, i cili i shërben gjuhës shqipe jo vetëm përmes krijimtarisë personale, por edhe përmes kujdesit ndaj veprës së tjetrit dhe ruajtjes së trashëgimisë gjuhësore. Ai është dëshmi se kultura nuk ndërtohet vetëm nga emra të mëdhenj kanonikë, por edhe nga punëtorë të palodhur të fjalës, të cilët, me përkushtim dhe integritet, kontribuojnë në formësimin dhe pasurimin e identitetit kulturor shqiptar.









Rakip Zhguni eshtè emblema e krijueseve letrare te Elbasanit.
Ai ka botuar mbi 25 vepra letrare.Mbi te gjitha eshte libri studimor "Rrugetimi", ku ka permbledhur studime te veprave letrare te autoreve elbasanas dhe te tjere.Lexuesit(mesues letersie dhe krijues letrare) perfitojne nivelin me te larte te menyrave te krijimit poezi,proze dhe te gjinive te tjera letrare.
I uroj shendet dhe jetegjatesi!
Pershendetje, i nderuar! Faleminderit shume per vleresimin qe me beni. Le te jete kjo nje nxitje e frymezim per te shkruar edhe ne te ardhmen. Respekt e mirenjohje. Faleminderit shume!