top of page

Fatmir Terziu: Qofsha i gabuar?! Akademiku Rexhep Qosja ende Kryetar Jurie….

  • 4 days ago
  • 2 min read

Qofsha i gabuar?! Akademiku Rexhep Qosja ende Kryetar Jurie….

 

Qofsha i gabuar, por ndonjëherë një fjali e vetme mjafton për të ngritur një pyetje që nuk lidhet me thelbin e një nisme, por me kujdesin ndaj detajit që e mban atë të denjë. Njoftimi i Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit për “Titullin Mbarëkombëtar Çmimi ‘Jakov Xoxa’ – në letra, 2025–2026” është, në vetvete, një lajm i mirë për jetën letrare shqiptare. Çmime të tilla janë jo vetëm stimul për krijuesit, por edhe një mënyrë për të ruajtur një vijimësi të kujtesës kulturore, ku emra si Jakov Xoxa marrin një dimension të ri në kohë.

Megjithatë, pikërisht aty ku gjithçka duket në rregull, lind një ngërç i vogël, por domethënës: përmendja e Rexhep Qosja si “Kryetar i Jurisë”. Një figurë e përmasave të tij, akademik, kritik dhe mendimtar i shquar, meriton çdo respekt dhe nderim që mund t’i bëhet. Por respekti, në disa raste, kërkon edhe një përpikëri të veçantë në mënyrën si kujtohet dhe si përmendet. Sepse fjala publike, sidomos ajo institucionale, nuk është vetëm informim, është edhe kujdes simbolik.

Nuk bëhet fjalë për të vënë në diskutim përbërjen e jurisë, as për të zbehur vlerën e këtij çmimi, e as për të hapur një debat të panevojshëm. Përkundrazi, bëhet fjalë për një sugjerim të thjeshtë: a nuk do të ishte më e natyrshme dhe më e saktë të sqarohej se ai ka qenë kryetar i jurisë në kohën kur ishte në jetë? Sepse, ndryshe nga metaforat poetike që i japin jetës një përmasë të përtejme, dokumentet zyrtare kërkojnë një tokëzim më të qartë në realitet.

Në këtë pikë, ndoshta dikush mund të thotë: është një detaj. Dhe në pamje të parë, ashtu është. Por kultura, sidomos ajo letrare, ndërtohet pikërisht mbi detaje të tilla, mbi mënyrën si ne i vendosim fjalët, si i ruajmë raportet mes të gjallëve dhe të kujtuarve, mes historisë dhe aktualitetit. Një figurë si Qosja nuk ka nevojë për një titull të tillë për të qenë e pranishme, ajo është tashmë e ngulitur në vetë strukturën e mendimit kritik shqiptar.

Nga ana tjetër, lista e autorëve të nominuar, Andreas Dushi, Arian Leka, Adil Olluri, Gëzim Aliu, Selajdin Saliu, dëshmon për një hapësirë të gjerë përfaqësimi dhe për një frymë bashkëkohore në përzgjedhje. Edhe fakti që edicioni i kaluar u fitua nga Majlinda Rama me vota unanime, tregon se ky titull po përpiqet të krijojë një standard serioz vlerësimi. Prandaj, kjo vërejtje nuk është kundërshti, por një formë kujdesi. Një përpjekje për të thënë se, kur ndërtojmë institucione kulturore dhe simbole të përbashkëta, çdo fjalë ka peshë. Dhe ndonjëherë, një saktësim i vogël e bën gjithë narrativën më të drejtë, më të ndershme dhe më të qëndrueshme.

Në fund, urimet mbeten të plota, për fituesin që do të shpallet, për të nominuarit dhe për vetë nismën. Sepse kultura ka nevojë për këto hapësira vlerësimi. Thjesht, ndoshta ka nevojë edhe për një kujdes më të imët në mënyrën si i shkruan ato.

5 Comments


Dudiana Lela
4 days ago

Çfarë logjike e arrirë,në këtë argument’

Në fakt,si gjithmonë edhe në të gjitha argumentat e tjera, që na servirni!

Respekt!

Sa shumë kemi nevojë për filozofi të vërtetë , argumentuese!

Jam plotësisht dakort me argumentin shumë me finesë, që është përdorur!

Mirënjohje z. Fatmir Terziu!

Like

Remi Ilir Kushi
4 days ago

Jam kurioz, partia e Edi Ramës i perzgjedh kush nominohet për cmime letrare.

Like

Eqerem Canaj
4 days ago

Komisione standarte,Cmime standarte:lere mos e nga!

Like

Ismail Cala
4 days ago

Paska çmim Jakov Xoxe?

Po çmim Shefqet Musarai ka?

Like

Ildije Xhemali
4 days ago

Sa keq, të mos ndreqen në shkresat zyrtare këto gabime që nuk kërkojnë as kohë as ndonjë angazhim të madh!

Like

Shkrimet e fundit

bottom of page