Fatmir Terziu: Për Agim Gjakovën në ditëlindje

Vargpesha
(Për Agim Gjakovën në ditëlindje)
Një varg duhet të ketë peshën e dritës
Kur prek ballin e një fëmije,
Të jetë i lehtë
Si fryma që zgjon një gjethe para agimit,
I qetë si uji që mban fytyrën e qiellit
Pa kërkuar ta zotërojë,
Një varg duhet të dijë të heshtë
Kur zemra e thotë emrin.
Një varg duhet të ecë përkrah kohës
Pa lënë gjurmë në pluhur,
Si hija që nuk e braktis pemën
Edhe kur dielli kthehet në perëndim,
Si era që ua mëson kodrave
Gjuhën e largësive,

Një varg duhet të ecë përkrah kohës
Pa u lodhur prej saj.
Një varg duhet të ketë aromën e bukës
Kur ndahet mes miqsh,
Ngrohtësinë e oxhakut
Që nuk pyet kush trokiti,
Dhe durimin e Rrugës së Kombit mbrolur,
Që i bashkon vëllezërit pa folur,
Një varg nuk matet me zë,
Por me dritën që lë pas.
Një poet duhet të mbetet pranë fjalës
Si Alpet pranë Valbonës,
Pa e urdhëruar këngën,
Pa e burgosur heshtjen,
Sepse fjala lind më e kthjellët
Kur nuk e tremb lavdia,
Dhe rritet më e gjatë se vetë njeriu
Kur ushqehet me të vërtetën.
Agim,
ditëlindjet nuk i numërojnë vitet,
Ato peshojnë vargjet
Që mbeten mbi supet e gjuhës,
Si dritare të hapura
Në shtëpinë e kujtesës,
Ku çdo lexues hyn pa trokitur
Dhe del me një copëz drite.
Prandaj sot, poet i dashur dëgjo Botën,
Mos e numëro kohën.
Le të numërojë koha
Peshën e fjalëve që ke lënë,
Sepse ka poetë që shkruajnë libra,
Dhe ka poetë, për aq sa dimë,
Që ua mësojnë librave
Si të marrin frymë.
Londër, 11 Korrik 2026








Urime z.Terziu dhe per Poetin Gjakova
Edhe 100!
Bukur poet, shkrimtar, analist,kritik.
Edhe per Agim Gjakova!
Respekt per dy figura te cmuara te letersise shqiptare: Fatmir Terziun e Agim Gjakoven!
E gëzoftë ditëlindjen Baca Agim,edhe për shumë mote !
Respekt.