Fatmir Terziu: Pse jam kundër atyre që kritikojnë PD-në dhe vizionin e Berishës?
- Prof Dr Fatmir Terziu
- 3 hours ago
- 3 min read

Pse jam kundër atyre që kritikojnë PD-në dhe vizionin e Berishës?
Kohë më parë… Kur ndërtohej një shtëpi, askush nuk dinte si do të dukej. I zoti i saj e ndërtoi, e shndërroi në vilë, dhe vetëm pasi mbaroi, shpërthyen kritikat. Pse këtu, pse pranë rrënojës së vjetër, pse nuk u shemb e shkuara, pse nuk u ndërtua ndryshe. Kjo metaforë përmbledh saktë raportin e sotëm të shumë kritikëve me Partinë Demokratike dhe vizionin e Sali Berishës. Shkurt, kritikë pas faktit, pa ide para faktit.
PD është sot në një situatë të vështirë, të goditur nga brenda dhe nga jashtë, e përballur me një pushtet që ka kapur institucionet, mediat dhe drejtësinë. Në këtë realitet, Sali Berisha ka zgjedhur të mos largohet, por të qëndrojë dhe të organizojë rezistencë politike. Ky është thelbi i vizionit të tij, mosdorëzimi përballë një regjimi të konsoliduar autoritar.
Kritika e protestave: realizëm apo cinizëm?
Protesta e radhës e PD-së u kritikua ashpër. U tha se nuk e rrëzoi qeverinë, se nuk e tronditi fronin e Edi Ramës, se ishte “si zjarret me degëza pishe”. Por këtu lind pyetja thelbësore. A janë protestat një akt magjik që rrëzojnë pushtete me një të rënë të bilbilit, apo janë procese politike, kumulative, të lodhshme, por të domosdoshme? Krahasimet me Athinën, Teheranin apo 21 janarin 2011 janë tërheqëse, por të padrejta. Shqipëria e sotme nuk është as Greqia me sindikata të fuqishme, as Irani me shpërthime sociale të pakontrolluara, e as Shqipëria e 2011-ës me një opozitë në pushtet lokal dhe mbështetje të gjerë ndërkombëtare. Sot kemi një realitet tjetër, një pushtet i centralizuar dhe një opozitë e përjashtuar sistematikisht. Në këtë kontekst, fakti që mijëra qytetarë dalin ende në shesh, përballë dhunës policore, presionit dhe demoralizimit, nuk është dështim, është rezistencë.
Podiumi, fjalimet dhe “oratoria”
Po, protestat nuk janë spontane si dikur. Po, ka podiume, fjalime, flamuj. Por kush i “varrosi” protestat spontane? A ishte Berisha, apo ishte një sistem që i ndëshkon protestuesit, i rreh, i arreston dhe i demonizon? Të kërkosh protesta “të pastra” në një regjim që kontrollon gjithçka, është ose naivitet, ose hipokrizi. Ata që thonë se protestuesit u shpërndanë pa rezultat, harrojnë një fakt thelbësor. Protesta nuk është vetëm rrëzim, por dëshmi. Dëshmi se ka ende opozitë. Dëshmi se ka ende mosbindje. Dëshmi se normaliteti i Ramës nuk është i pranuar nga të gjithë.
Kritika ndaj Berishës: pyetje legjitime apo alibi politike?
Pyetjet për “kilometrin e fundit” dhe “triumfin e madh” janë të drejta, por shpesh përdoren si alibi për dorëzim. Kritika reale duhet të shoqërohet me alternativë. Por ku janë alternativat e kritikëve? Ku është strategjia e tyre? Ku janë protestat e tyre? Ku është lidershipi i tyre? Është e lehtë të kritikosh nga distanca, nga studiot, nga rrjetet sociale. Është më e vështirë të përballesh çdo muaj me një pushtet që të godet dhe të përqesh.
Pse i shërben kjo kritikë Edi Ramës?
Sepse për Edi Ramën, protestat e përçara, opozita e përçarë dhe kritikët e brendshëm janë dhurata politike. Çdo goditje ndaj Berishës nga “opozitarë” të vetëshpallur, pa aksion dhe pa sakrificë, i zgjat jetën pushtetit. Me protesta të diskredituara dhe opozitë të demoralizuar, Rama fle i qetë, bën pazare dhe qesh.
Rezistenca e Berishës
Unë jam kundër atyre që kritikojnë PD-në dhe vizionin e Berishës, jo sepse PD është e përsosur, por sepse kritika pa alternativë është shërbim ndaj pushtetit. Sepse sot, më shumë se kurrë, opozita ka nevojë për qëndrueshmëri, jo për gurë në shpinë. Historia nuk i mban mend ata që komentuan nga ekrani, por ata që zbritën në shesh, edhe kur sheshi nuk rrëzoi pushtetin. Dhe në këtë kuptim, pavarësisht mangësive, rezistenca e Berishës mbetet sot boshti i vetëm real i opozitarizmit politik në Shqipëri.









Comments