top of page

Fatmir Terziu: Pse Anton Nikë Berisha është çelës i arbërishtes

Pse Anton Nikë Berisha është çelës i arbërishtes

 

Anton Nikë Berisha, sikurse dihet, është autor i mbi 50 veprave letrare në poezi, prozë, përkthimeve letrare, antologjive dhe studimeve teorike-estetike dhe letrare. Por kjo është një temë më vete. Ajo që mendoj se duhet mëshuar më shumë, është diçka më sublime, diçka më diskursive, më e denjë e më thellë për tu trajtuar. Anton Nikë Berisha është çelës i arbërishtes. Si i tillë, nuk është thjesht se është prej vitesh Profesor i Gjuhës Shqipe në Universitetin e Kalabrisë, por sepse puna e tij shkencore dhe krijuese ka hapur, sistemuar dhe ndriçuar një trashëgimi që për shekuj ka jetuar në kufijtë e heshtjes, të shpërndarë në dorëshkrime, këngë, rite dhe kujtesë kolektive. Me mbi dhjetëra e dhjetëra studime, ai ka ndërtuar një univers interpretimi ku arbërishtja nuk shihet si relike folklorike, por si gjuhë e gjallë e një qytetërimi shpirtëror shqiptar.

Përkushtimi i Berishës ndaj kulturës arbëreshe është një zgjedhje e vetëdijshme intelektuale dhe atdhetare. Ai i është qasur kësaj kulture jo si një periferie të letërsisë shqipe, por si një qendre alternative kujtese, ku ruhen forma të hershme të mendimit poetik, të ndjenjës historike dhe të etikës kolektive shqiptare. Në këtë kuptim, arbërishtja për të është jo vetëm gjuhë komunikimi, por strukturë mendimi, mënyrë e të jetuarit dhe e të kuptuarit të botës. Në studimet e tij mbi poezinë gojore arbëreshe, Berisha e vendos theksin tek roli themelor që kjo krijimtari ka pasur në formimin, gjallimin dhe zhvillimin e popullit shqiptar. Poezia gojore shfaqet si arkiv i shpirtit, si kronikë e pathënë e historisë, ku gërshetohen lirizmi familjar, epika historike, miti dhe legjenda. Përmes analizave të imëta dhe interpretimit të kujdesshëm, ai dëshmon se pa njohjen e kësaj baze, çdo lexim i letërsisë së shkruar arbëreshe dhe më gjerë shqiptare mbetet i cunguar.

Vepra si Antologji e poezisë gojore arbëreshe dhe Interpretime të letërsisë së arbëreshëve të Italisë janë dëshmi konkrete të kësaj qasjeje. Aty Berisha jo vetëm mbledh dhe sistematizon një pasuri të rrallë këngësh, baladash, ninullash e vajtimesh, por edhe i lexon ato si struktura komplekse ku historia nuk mungon kurrë, edhe kur fshihet pas simbolit, metonimisë apo kohës së papërcaktuar. Këngë si “Konstandini dhe Garentina” apo rapsodia e Pal Golemit shndërrohen në modele interpretimi, ku ndërthuren besa, sakrifica, dhimbja dhe kujtesa historike. Një meritë thelbësore e Berishës është rikthimi i vëmendjes tek dorëshkrimet e vjetra arbëreshe, si “Dorëshkrimi i Kieutit”, të cilat përbëjnë nyje vendimtare për kuptimin e traditës letrare dhe gjuhësore. Ai e sheh këtë trashëgimi jo si material muzeal, por si burim të hapur studimi, që kërkon botime të plota, përkthime dhe rilexime kritike. Kështu, arbërishtja del nga margjinat dhe vendoset në dialog me dijen bashkëkohore.

Në tërësi, Anton Nikë Berisha është çelës i arbërishtes, sepse ai di të lidhë kohën në cepat e saj, të shkuarën e largët, kujtesën e mërgimit dhe nevojën e sotme për identitet kulturor. Studimet e tij nuk janë vetëm kontribute akademike, por akte ruajtjeje dhe rilindjeje shpirtërore. Përmes tij, arbërishtja flet sërish me zë të plotë, si një dëshmi e qëndrueshmërisë dhe thellësisë së kulturës shqiptare.

1 Comment


Timo Merkuri
an hour ago

Ky shkrim i juaji i dashur Fatmir Terziu më së pari lexohet si një akt mirënjohjeje kulturore, por edhe si një vlerësim i një pune që ka shpëtuar nga harrimi një pjesë të qenies sonë. Ju nuk e trajton Anton Nikë Berishën si objekt studimi, ju e shihni atë si prani të gjallë shpirtërore, si një njeri që ka ditur të dëgjojë zërat e thellë të arbërishtes dhe t’i kthejë ata në dije, në dritë, në vetëdije. Pikërisht fjala juaj e qetë, e rrjedhshme, pa zhurmë teorike, por me peshë kuptimore, e bën vlerësimin të ndjerë dhe të besueshëm.

Merita juaj qëndron në faktin se e shihni Berishën jo thjesht si studiues prodhimtar, por si “çelës”, si figurë lidhëse mes…

Like

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page