Fatmir Terziu: PRIVILEGJ „CIVILIZIMI“
- Aug 4, 2025
- 6 min read

PRIVILEGJ „CIVILIZIMI“
Nga Fatmir Terziu
Privilegj „civilizimi“
… dhe sytë mbetën si metri tek Kadastra
ky është ligji…
… meqë mashkullorët kanë privilegjin e stinës,
po i zbrazim percetimet më të pastra
këmbëve femërore u ngrejnë përditë e më shumë takat,
pëshpërisim me mendjen e përhumbur tinëz.
Shtatë shpirtra më shumë kanë vajzat.
Xhirrot zgjasin më shumë
po i shkruajmë të padukshmet nga këmbët
në këtë stinë nuk ka gjumë.
Pimë verë të ëmbël
me kupën e Hënës që shtrydh perceptimet,
bëhet dashuri dhe… ecet dalldisë së një gote
në cipalin tridhjetë e një vjeçar të një brenge
që derdhe Ti
në privilegjin tim të panginjur ende…
… ende kushedi…
E DIMË KU VEMI?!
Çdo gjë ka një stinë
lumenjtë rrjedhin përditë
pemët mbillen për nesër
për brezat që do të vijnë.
Por çfarë ndodh, ndodh
dhe kur është një vijëz e hollë
dhe kur helmi hidhet mbi Det
dhe kur ajri nis e të vret...
Ne jemi si çdo gjë
shkulim e mbjellim pemë
të kemi oksigjen?! Për kë?
e dimë vetë ku vemë?!
NGA KUSH KE FRIKË QYTETI I MIRË?
Zvarritet i dremitur
përkëlleljeve të athta të fijeve të barërzave
shtrydhet mbi pellgjet i uritur
dhe nuk pi
etjen e thek në gji
qyteti im
(Me dhe pa Shkumbin).
Kridhet mbi malin faturim
ëndërra e largët e dashurisë
lexohet në plazmën e kafesë që flik
Kristoforidhi
me një mik të hershëm e të ri
Abetaren e tij.
Deri në të gdhirë
nga avulli angushtia për bela
ndërton e rindërton vetëm kala.
Nga kush ke frikë qyteti i mirë?
BUKA E NËNËS
Bujanë në lumin e madh të lotit
buit buhërt brumin e ngjeshur
duart
vetëm ato të hapura përqafojnë agimet
shtruar... Buka
e ndorme ia kalon bukës
cilët duar nuk u panë nga sytë
e përlotur të nënave në sofrën e shtruar?
BEGONJËZA
Komshija ime në kopshtin e saj mbolli një begonjë,
u rrit begonjëza dhe kokën vari nga gardhi im.
Pas disa muajve çeli lulet e saj, në atë Gusht
rrezet e Diellit iu bënë ar
me orë të tëra pas vite me radhë
më dehte era e saj.
Kohë të tjera më vonë begonjëza plakë
shtriu filizat e saj gjerë e gjatë
poshtë gardhit lëshoi disi midis
një rrënjëz të vockël me një filiz.
viteve memorjet u fshinë
mbeti kujtimi i begonjëzës mbi thinjë.
SYRI I DETIT
Syri i detit fjetur në bonacë. Koha
kalëron majë lapsit të mprehur si majë shpate,
drita ngulet ngadalë e s’merr frymë,
po dihat vargu,
do të duhen muaj, javë të tëra, ditë të tjera,
të riskicojnë ajrit pulëbardhat e mjera,
shfaqesh i dehur, më i bukuri Apolon
historia shkund gazetat e verdha,
dredh marihuanë,
pas stërkalave të vogla,
lexoj dynjanë.
Koha çapitet mohit të saj
dallgë e shkulur si dhëmbi i qumështit
herë gjerb limfën e vet,
herë tungjatjeton valën e së kotës,
e hedh në breg.
Syri i detit fjetur në bonacë
vërtet na ndjek e dashur
kaq mote e pikturojmë
gjymtë e heshtur e përlotur
na bart mohimit të verbër tej sikletit
luajmë me dallgë, gazmojmë yshtin e ndrojtur
me tiklimin e syrit të detit.
FLUTURAKE
Të dy i kemi ndasitë tona,
emërzimet ndoshta,
sa zanore artikulojnë në gjuhën e huaj
dredhitë kushedi
më shumë bashkëtingëllore se orenditë
që i duhen një dhome për dashuri,
pa midetë e ndjeshme hyjnore
na bënë të tretemi me vete
në gotën e mërzisë
ku ti fap hyn pa leje
dhe na bezdis.
Këto dhe të tjerat janë thjesht hamendësi,
a nuk e kemi një zot që të na dojë të dy palëve?
Por edhe ashtu kurrë s’ka pasur një zot për ty,
ca prodhojnë mutrat e tua laboratorëve
disa imitojnë fluturimet në askundi
e të tjerë vetëm në një stinë qesëndisin irnik
kontratën tuaj pa histori
si grumbullim zoologjik.
E pranojmë se jeni e keqja rutinë
duke pritur ikjen, si të thuash mizore,
fluturakë pakthinë…
GOTË
Kjo gotë është rrethorja e madhe,
një objekt i thellë,
që përdoret ngeshëm e në kohë.
Është një shpellë e damkosur,
një hajdute,
buza e përlyer memece
loja e mendjes.
Poshtë saj është katarakti
poeti shkruan me të njomë
llava e ndezur,
lëngu ku krihen zjarret dhe gratë,
ku vargu mbetet lum i (pa)fjetur,
dhe shpirti hepohet në të thatë
gradacion i gjallë...
që të sjell mendjen vërdallë.
FILXHAN
Ky filxhan është një hartë e madhe
një mulli i kurdisur
që mat e pret ngadalë e pa kohë.
Është një Det i tumbosur,
një shkëmb,
teatri shushuritës i mendjes
që shqep
virozën hutaqe të kohës.
Kaluç i sjell fjalët
asgjë e re në shkallën e grimuar
një fasadë kalku
ku gjithkush është një askush
një dritare e errët. Koha
shterpë kullon mes djersëve
ikin e vijnë lakuriqësi të pashpirta
përposhtë mbetjeve që tinëz bluhen
ku fatet shtypen nën gishta.
Varre kafenesh të errëta. Shpella
ngecur vragave në mendime,
mirazhet e orëve memece të mendjes
ku kalben zhgaravinat e shkrimeve,
në rrjeshtat përgjatë fabulave
të mbetura dhëmbëshkulura librave.
Një korr shtufinash i bren
kodet, i shqyen
fjalomani e kripur në lotë
të fryrë. Si një vetëtimë
shpate nga qielli
ma turbullon dritën
e fjalës që arnohet
ndërkohë që humusi i kalbur,
një pleh i radhës
është moçali ku e mishta vegjeton.
Me t’u thyer filxhani
udhëtim i buzëve të pista vdes
si tingujt e një instrumenti,
që bën muzikë në haur shterpë,
dënesa është për vetë filxhanin
dhe jo për fjalën që vret.
KUR BËHET FJALË PËR PARATË
Kemi vite që i qepim dashurisë kostume sode
stomakut gargara të specializuar kimike
syve plastika stereotipe
Ironikisht ...
Jemi lumturuar. Dashuria
është gjithmonë në ikje
poshtë kravatave të lidhura me ngjitje
i kemi parë atje
i kemi parë dje
i kemi parë në spot
i shohim sot
i kemi në galeri
i përcjellim me neveri.
Fytyrëkthyer ndaj nesh, duke buzëqeshur,
duke u përçartur në fjalë
gurnajë
figurina nga mijëvjeçarë më parë ...
Gurshkrepës
buzëqeshje e shembur
gjatë shekujve me radhë.
Çfarë është frymëzuar aty
në faqet gëlqerore
dhe buzët
ajo që mendonin prore “të paudhët”
përcëllamë e dashurisë
rrënojave të tilla të fatit
ku loton zemra e fëmijërisë
si e një djali të braktisur rrugëve
lakuriq i ngrirë
i vetëm
pa dashurinë për nënën e tij ...
Një të tillë buzëqeshje na falin këta guruguç
që bëjnë xheloz edhe Akhenaten ...
nëse vërtet do ta kishin takuar
si do të kishin konkuruar?
Ky fakt sot nuk është misterioz
tek ky format gurishtor i mbaruar,
guriq skandaloz ...
Një gjë është fare e qartë
pesëfish i bëjnë më të dashura gratë
kur bëhet fjalë për paratë...
Shënim: Akhenaten, që do të thotë “mbaj me frymë gjallë Athinën”, është i njohur para vitit të pestë të mbretërimit të tij si Amenhotepi IV ishte faraoni i dinastisë tetëmbëdhjetë të Egjiptit i cili sundoi për 17 vjet.
DREDHËZA
Kur s’kisha mall
kisha zjarr
më ndizej flakë…
Kur më dogji malli
loti i valuar u hodh mbi zjarr.
A do të ketë djegje intime
edhe në retinën tënde
dredhëza ime?!
SHTATË AKTE BUKURIE... PA TË FUNDIT
Akti i parë:
Era u lidh fjongo në gjoks
luleve të sapoçelura,
në paradën e bukurisë.
Akti i dytë:
Ti,
vallëzon si gonxhe në shpërthim
në kopshtin tim.
Të gjitha lulet ballo me maska,
në heshtje vrasin xhelozinë...
Akti i tretë:
Rruza të bardha,
ndrisin gjoksin tënd mëngjesor.
Pikuar nga pjalmi i fateve të radha,
kokrrizat e ndritshme të vesës,
ndezin zjarrin e saponisur të jetës.
Akti i katërt:
Korridoret e tua të ngushta
qafojnë kalimin tim të vrullshëm,
poshtë tyre vërshojnë përrenjtë e frymëzimit,
shkulin bedenat e panjohura të perceptimit.
Akti i pestë:
Era nxiton të thurr kurorë për ty,
në këtë paradë lulesh
ndërsa lëndina jote stërpiket
të gjithë bulëzat e vesës përpihen...
Akti i gjashtë:
Një diell i nxehtë ndez dashurinë e zjarrtë,
në këtë paradë të paparë,
lulja ime e mirë,
mbete e radhë.
Akti i shtatë:
Dal çdo mëngjes në dritare,
të shoh si shpërthejnë gjinjtë e tu petale.
Akti i fundit:
Jam i bindur si kohë më parë,
Ti je fitimtare pa hyrë në garë...









Comments