top of page

Fatmir Terziu: Postmodernizmi tek “Duart” e autorit Ramazan Hushi

  • 8 hours ago
  • 3 min read

 

Në fakt tregimin “Duart” të autorit Ramazan Hushi do të isha më i interesuar ta analizoja për mënyrën se si tregimi e shpërbën idenë moderne të një uni të vetëm, të qëndrueshëm dhe plotësisht racional. Sipas një leximi të tillë, tregimi “Duart” është në thelb një alegori e krizës së subjektit modern. Në traditën moderne, njeriu shihej si një qenie e bashkuar, e aftë të kontrollojë vetveten dhe të japë shpjegime logjike për sjelljen e tij. Mirëpo personazhi i panjohur tek shatërvani paraqet pikërisht të kundërtën. Trupi i tij nuk funksionon si një tërësi harmonike. Brenda tij duket sikur jetojnë vullnete të ndryshme. Dora e majtë rebelohet kundër së djathtës, organet nuk bashkëpunojnë më si pjesë të një identiteti unik, por si zëra të ndryshëm që konkurrojnë me njëri-tjetrin.

Mendoj se ky fragmentim është një nga tiparet themelore të vetëdijes postmoderne. Njeriu nuk paraqitet më si një qendër e qëndrueshme kuptimi, por si një fushë tensionesh, kujtimesh, fajesh, dëshirash dhe kundërshtish të brendshme. Po aq domethënëse është edhe figura e narratorit. Ai nuk arrin kurrë të zbulojë të vërtetën. Për dy vjet rresht ndërton hipoteza të ndryshme. Ndoshta njeriu ka vrarë. Ndoshta ka vjedhur. Ndoshta është penduar. Ndoshta duart po vetëndëshkojnë njëra-tjetrën. Ndoshta asgjë nga këto nuk është e vërtetë. Kjo pamundësi për të arritur në një shpjegim përfundimtar është thellësisht postmoderne. Stanley Grenz, autori i studimit „Primari i Postmodernizmit“ ka argumentuar se postmodernizmi karakterizohet nga mosbesimi ndaj pretendimeve absolute për të vërtetën. Pikërisht këtë bën tregimi, nuk ofron asnjë zgjidhje definitive. Lexuesi mbetet në hapësirën e pasigurisë. E vërteta nuk zbulohet; ajo vetëm interpretohet. Nga ky këndvështrim, duart nuk janë thjesht duar. Ato bëhen një tekst.

Dhe si çdo tekst, ato mund të lexohen në mënyra të ndryshme. Narratori i lexon si shenjë faji. Një psikolog mund t’i lexonte si simptomë. Një neurolog si pasojë e një dëmtimi cerebral. Një teolog si manifestim të ndërgjegjes morale. Një sociolog si metaforë të konfliktit shoqëror. Asnjë interpretim nuk fiton statusin e autoritetit përfundimtar. Ky pluralizëm kuptimesh është një tjetër element që Grenz do ta konsideronte tipikisht postmodern.

Një aspekt edhe më interesant është raporti midis fajit dhe identitetit. Narratori ndërton gradualisht një teori sipas së cilës dora e majtë po ndëshkon të djathtën për mëkatet e kryera në të kaluarën. Këtu tregimi prek një temë që Grenz e trajton shpesh, njeriu nuk mund ta shkëpusë veten nga historia e tij morale. Edhe kur krimi nuk dënohet nga ligji, kujtesa vazhdon të jetojë. Subjekti nuk arrin të bëhet plotësisht autonom, sepse mbetet i lidhur me rrëfimet që ka ndërtuar për veten. Në këtë kuptim, duart mund të lexohen si metaforë e konfliktit ndërmjet veprimit dhe ndërgjegjes.

Njëra dorë përfaqëson aktin.

Tjetra kujtesën.

Njëra kryen.

Tjetra gjykon.

Njëra dëshiron të harrojë.

Tjetra refuzon.

Bazuar sa analizova mendoj gjithashtu se tregimi lëviz nga një përshkrim realist drejt një hapësire simbolike. Në fillim kemi një shesh, një shatërvan, stola, kalimtarë. Gjithçka duket konkrete. Por dalëngadalë realiteti transformohet në metaforë. Duart nuk janë më organe biologjike; ato bëhen personazhe. Konflikti i tyre nuk është më fizik; është moral, filozofik dhe ekzistencial. 

Ky kalim nga realja tek simbolikja krijon atë që Grenz do ta quante një sfidë ndaj leximit linear të realitetit. Bota nuk është ajo që duket në sipërfaqe. Pas çdo gjesti fshihet një rrëfim tjetër.

Si konkludim, sipas Stanley J. Grenz tregimi i autorit Ramazan Hushi, “Duart”, shihet jo si një tregim mbi një individ të çuditshëm, por si një meditim mbi gjendjen njerëzore në epokën e pasigurisë. Njeriu i shatërvanit mbetet një figurë e subjektit postmodern, i fragmentuar, i paqartë për vetveten, i ndarë mes zërave të brendshëm, i përndjekur nga kujtesa dhe i paaftë të mbërrijë në një të vërtetë të vetme e përfundimtare. Paradoksi i madh i tregimit është se narratori kalon dy vjet duke u përpjekur të kuptojë duart e tjetrit, por në fund zbulon diçka më të thellë, misteri i vërtetë nuk janë duart e atij njeriu, misteri është vetë njeriu. Dhe, sipas Grenz-it, ky mister nuk mund të mbyllet kurrë në një interpretim të vetëm.

Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page