top of page

Fatmir Terziu: Portreti i gdhendur në memorie dhe libra

32 minutes ago
18 min read

Portreti i gdhendur në memorie dhe libra

 

Një udhëtim në kujtesën e bibliotekave, te njerëzit që ia kushtuan jetën librit dhe te misioni i tyre për ta çuar dijen nga raftet drejt lexuesit.

 

Prof. Dr. Fatmir Terziu

"Mjeshtër i Madh'

 

Në ditët e para kur vizitova shtëpinë e bashkëshortes sime, në lagjen Haxhias të Elbasanit, një prej lagjeve të vjetra të qytetit, vëmendjen time e tërhoqi një dokument i vogël, por me një vlerë të veçantë kujtimore, një Fletë Lavdërimi e lëshuar nga Biblioteka e lagjes „Vullnetari“, në kohën kur ajo ishte ende nxënëse e shkollës fillore. Në fund të dokumentit dallova emrin dhe firmën e zonjës Myrvet Dhono, ndërsa pranë tij, si një dëshmi e bukur e marrëdhënies së hershme ndërmjet fëmijës dhe librit, qëndronte edhe një tjetër vlerësim simbolik, „Mikja e Vogël e Librit“, një emërtim që, përtej fjalëve të shkruara në letër, më bëri të mendoja për atë punë të heshtur e të përditshme që kryejnë bibliotekarët për ta afruar librin me fëmijët, për ta kthyer leximin në një dëshirë dhe për ta bërë bibliotekën pjesë të natyrshme të jetës së tyre. E mblodha atëherë këtë kujtim, sistemova shënimet dhe përgatita një shkrim për gazetën ku punoja në ato vite, me bindjen se pas një dokumenti të tillë fshihej një histori që meritonte të bëhej e njohur, por njëri prej redaktorëve të faqes më tha se artikullit i duhej „pak politikë“, ndaj shkrimi mbeti i papublikuar, i ruajtur mes shënimeve të mia, siç mbeten nganjëherë edhe histori të vlefshme që nuk arrijnë të gjejnë vend në faqet e gazetave, ndonëse kanë brenda tyre më shumë jetë, përkushtim dhe dëshmi njerëzore sesa shumë ngjarje që zënë përkohësisht qendrën e vëmendjes publike.

Sot, kur rikthehem te ajo fletë e ruajtur në kujtesën time, e kuptoj se nuk ishte thjesht një dokument i fëmijërisë së bashkëshortes sime, as vetëm një gjurmë e veprimtarisë së Bibliotekës „Vullnetari“, por një pikënisje për të folur mbi një histori më të gjerë, mbi bibliotekat si institucione të kujtesës, mbi njerëzit që u kushtuan jetën librave dhe mbi mënyrat se si ata, në periudha të ndryshme, kanë bërë të mundur që dija të dalë nga raftet e bibliotekës e të hyjë në jetën e lexuesve. Në këtë histori, emri i Myrvet Dhonos zë një vend të veçantë, sepse ajo, pasi nisi punën në Bibliotekën e lagjes „Vullnetari“ në vitin 1978, vijoi më pas shërbimin në Bibliotekën Publike „Qemal Baholli“ të Elbasanit deri në daljen në pension, duke lënë gjurmë përmes përkushtimit ndaj lexuesve, njohurive të thella mbi librin dhe gjuhën latine, si dhe punës së saj me vlerë bibliografike, ndër të cilat veçohet studimi „Bibliografia e botimeve të viteve 1500–1800“. Kështu, një dokument i vogël më çoi drejt një portreti më të plotë, nga kujtimi familjar te historia e bibliotekave, nga një emër i shkruar në fund të një flete lavdërimi te një traditë e tërë njerëzish që kanë kuptuar se profesioni i bibliotekarit nuk është vetëm ruajtja dhe sistemimi i librave, por edhe arti për t'i bërë ata të gjallë në mendjen dhe në jetën e njeriut.

Këtu qëndron një prej dallimeve më të rëndësishme ndërmjet një shërbimi rutinor dhe një misioni kulturor, bibliotekari i përkushtuar nuk e sheh librin vetëm si një njësi që merret dhe kthehet në raft, por si një dëshmi të historisë së mendimit njerëzor, si një burim që duhet njohur, ruajtur, përshkruar dhe bërë i përdorshëm për ata që vijnë pas nesh.

Fleta e Lavdërimit e ruajtur në shtëpinë e bashkëshortes sime në Lagjen Haxhias, prandaj, merr një kuptim shumë më të gjerë se ai i një mirënjohjeje të dhënë dikur një nxënëseje të vogël. Ajo dëshmon një kohë kur bibliotekat e lagjeve përpiqeshin të ndërtonin ura të drejtpërdrejta me fëmijët, kur lexuesi i ri nuk pritej vetëm pas një sporteli, por kërkohej, nxitej dhe shoqërohej në hapat e parë drejt leximit. Përmes nismave të tilla, bibliotekarja bëhej njëkohësisht këshilluese, edukatore, njohëse e letërsisë dhe ndërmjetëse mes librit dhe fëmijës, duke i dhënë këtij të fundit një përvojë që mund të zgjaste shumë më tepër sesa vitet e shkollës fillore. Dhe pikërisht këtu, në këtë marrëdhënie të thjeshtë e të drejtpërdrejtë, qëndron një nga të vërtetat më të bukura të kulturës: shpesh, një libër i zgjedhur në kohën e duhur, një fjalë e ngrohtë ose një vlerësim i vogël mund të ndikojë në formimin e një lexuesi për gjithë jetën.

„Vullnetari“, një bibliotekë e lagjes që u bë pjesë e historisë së qytetit

 

Historia e Myrvet Dhonos nuk mund të kuptohet plotësisht pa u kthyer te institucioni ku ajo hodhi hapat e parë të punës së saj, Biblioteka e lagjes „Vullnetari“, e cila u krijua rreth viteve 1972–1973, falë një kontributi bamirës të shqiptaro-amerikanit me origjinë elbasanase Ibrahim Çoçoli. Në një kohë kur libri kishte një rol të veçantë në formimin e fëmijëve dhe të rinjve, kjo bibliotekë u bë një pikë takimi për breza lexuesish, duke funksionuar në varësi të Bibliotekës Publike „Qemal Baholli“ dhe duke u shërbyer jo vetëm banorëve të lagjes, por edhe fëmijëve e të rinjve të tjerë të qytetit. Aty, në një mjedis që nuk kishte nevojë për madhështi arkitekturore për të qenë i rëndësishëm, puna e bibliotekareve merrte kuptimin e një shërbimi të drejtpërdrejtë ndaj komunitetit, sepse secili fëmijë që hynte për të kërkuar një libër sillte me vete një kureshtje, një ëndërr, një pyetje dhe, nganjëherë, edhe një mundësi të re për të zbuluar vetveten.

Biblioteka nisi veprimtarinë në një hapësirë të vogël që më parë shërbente si bibliotekë për fëmijë, ku kishte punuar Nashifer Çërraga, e cila ishte edhe punonjësja e parë e këtij institucioni; më pas, në vazhdën e punës së saj, erdhën Zhaneta Janku, Zenep Tafa, Tatjana Cani, Myrvet Dhono dhe të tjera punonjëse, emrat e të cilave përbëjnë një histori kolektive të përkushtimit ndaj librit. Secila prej tyre i përkiste kohës së vet, me përvojat, njohuritë dhe mënyrën e saj të komunikimit me lexuesit, por të gjitha i bashkonte ideja se biblioteka duhej të ishte një hapësirë e hapur për fëmijët dhe rininë, ku leximi të mos mbetej një detyrim i shkollës, por të shndërrohej në kënaqësi, zakon dhe nevojë shpirtërore. Në vitin 1991, biblioteka e lagjes ndërpreu veprimtarinë në atë formë, ndërsa godina kaloi në përdorim të Universitetit të Elbasanit. Pasuria më e çmuar e saj, librat, përfundoi për një periudhë në kushte që nuk garantonin sigurinë e nevojshme dhe vetëm në vitin 2004 vëllimet që kishin mbetur u transferuan në Bibliotekën Publike „Qemal Baholli“. Ky është një episod që kërkon të lexohet përtej kronologjisë institucionale, sepse në fatin e një biblioteke të lagjes shfaqet edhe një problem më i gjerë i kujtesës kulturore: sa herë që një institucion mbyll dyert, nuk rrezikohen vetëm muret, mobiliet apo inventari, por edhe marrëdhëniet që janë ndërtuar mes tij dhe komunitetit. Një bibliotekë mund të zhvendoset, librat e saj mund të inventarizohen sërish dhe katalogët mund të rindërtohen, por kujtimet e lexuesve, atmosfera e një dhome leximi dhe lidhjet njerëzore që lindën aty nuk mund të transferohen me një procesverbal.

Megjithatë, asnjë ndërprerje institucionale nuk e fshin tërësisht gjurmën që një bibliotekë ka lënë në jetën e njerëzve. Ajo vazhdon të jetojë në kujtesën e atyre që morën librin e parë prej saj, në një diplomë të ruajtur në një sirtar, në një fotografi të vjetër, në emrin e një punonjëseje që kujtohet me respekt dhe në dëshirën e dikujt për t'u kthyer pas shumë vitesh e për të treguar se ku nisi marrëdhënia e tij me leximin. Pikërisht kështu, „Vullnetari“ vazhdon të jetë e pranishme edhe përtej kohës kur funksionoi si bibliotekë e lagjes, sepse historia e saj nuk përfundon me mbylljen e dyerve, por vijon në jetën e atyre që ajo ndihmoi të formoheshin.

„Qemal Baholli“, tempulli i kujtesës dhe i dijes elbasanase

Nëse „Vullnetari“ përfaqësonte afërsinë e librit me fëmijët dhe jetën e lagjes, Biblioteka Publike „Qemal Baholli“ përfaqëson një nga dëshmitë më të rëndësishme të traditës së bamirësisë kulturore dhe të përpjekjes për ta kthyer dijen në pasuri publike. Historia e saj lidhet me Nazif Bahollin, patriot me origjinë nga Dibra, i vendosur në Elbasan, i cili vendosi të përjetësonte kujtimin e djalit të tij Qemal, të ndarë nga jeta në moshë të re. Qemali kishte studiuar në Normalen e Elbasanit dhe më pas në Liceun e Korçës, ku, sipas kujtimeve të Dhimitër Shuteriqit, ishte dalluar për punën e jashtëzakonshme dhe për rezultatet e tij. Në vend që dhimbja familjare të mbetej vetëm një kujtim privat, Nazif Baholli e shndërroi atë në një vepër me dobi shoqërore, duke blerë truallin për ndërtimin e bibliotekës me një shumë prej 800 napolona ari dhe duke nisur kështu një histori që do t'i përkiste jo vetëm familjes së tij, por të gjithë qytetit.

Themelet e godinës u hodhën në vitin 1931 dhe ndërtimi përfundoi në vitin 1934, ndërsa biblioteka iu dorëzua Bashkisë së Elbasanit në vitin 1935, sipas kronologjisë së institucionit dhe të dhënave historike të përcjella për të. Pas vdekjes së Nazifit, veprën e vijuan djemtë e tij, Hyqmeti dhe Nazmiu, të cilët mbështetën pasurimin e fondit dhe sigurimin e kushteve për funksionimin e bibliotekës. Në këtë nismë u përfshinë familje elbasanase, intelektualë, institucione dhe përfaqësues të jetës publike të kohës. Kështu, një ide e lindur nga dhimbja e një babai u bë një projekt i përbashkët kulturor, ndërsa emri i Qemal Bahollit u kthye në një kujtesë të gjallë se humbja personale mund të marrë kuptimin e një trashëgimie që u shërben brezave. Kjo është edhe arsyeja pse biblioteka nuk mund të shihet thjesht si një ndërtesë e vjetër apo si një institucion që ruan libra, por si një akt qytetarie i mishëruar në arkitekturë, në koleksione dhe në shërbim publik. Në historinë e qyteteve, disa prej institucioneve më jetëgjata lindin pikërisht nga nisma të tilla, kur një familje, një individ apo një grup qytetarësh kupton se pasuria merr vlerë më të madhe kur ndahet me të tjerët. Biblioteka „Qemal Baholli“ u bë një shembull i kësaj bindjeje në Elbasan, duke dëshmuar se investimi në dije është një nga format më të qëndrueshme të përkushtimit ndaj së ardhmes.

Fondi i saj u pasurua ndër vite me koleksione që e kapërcejnë kufirin e leximit të zakonshëm dhe hyjnë në territorin e kërkimit shkencor, të historisë së shtypit, të albanologjisë dhe të balkanologjisë. Një vend të rëndësishëm zë biblioteka personale e Lef Nosit, prej së cilës vjen një pjesë thelbësore e fondit albanologjik, ndërsa koleksionet e periodikut të vjetër përfshijnë botime me rëndësi të veçantë për historinë kulturore shqiptare, ndër to „Flamuri i Arbërit“, „Albania“, „Dituria“, „Dielli“ dhe „Vëllazënija“. Në fond ruhen gjithashtu libra të rrallë, përfshirë një botim në gjuhën latine të vitit 1526 mbi luftërat iliro-romake, që lidhet me veprën e historianit antik Appian, si dhe një botim të vitit 1664 të „Doktrinës së Krishterë“, përkthyer nga Pjetër Budi. Këto vepra nuk kanë vlerë vetëm për moshën e tyre, por sepse përfaqësojnë shtresa të ndryshme të historisë së mendimit, të gjuhës dhe të komunikimit kulturor, duke i dhënë bibliotekës mundësinë të shërbejë si burim për studiuesit që kërkojnë të rindërtojnë rrugëtimin e dijes në hapësirën shqiptare dhe më gjerë. Nuk është rastësi që në këtë bibliotekë kanë studiuar dhe janë formuar personalitete të rëndësishme të kulturës, shkencës, arsimit dhe jetës publike shqiptare, mes të cilëve përmenden Aleksandër Xhuvani, Aleks Buda, Mahir Domi, Kostaq Cipo, Ylli Popa, Neritan Ceka, Dhimitër Shuteriqi dhe Mehmet Çeliku. Emrat e tyre e bëjnë më të dukshëm rolin e institucionit, por vlera e tij nuk qëndron vetëm te personalitetet e njohura që kanë kaluar nëpër sallat e leximit. Ajo qëndron edhe te mijëra lexuesit e tjerë, emrat e të cilëve mund të mos jenë regjistruar në historitë zyrtare, por që kanë gjetur aty një burim formimi, një përgjigje për një pyetje, një udhëzim për një studim apo një libër që u ka ndryshuar mënyrën e të menduarit.

 

Bibliotekari, një profesion që i jep librit drejtim njerëzor

 

Në këtë pikë, portreti i Myrvet Dhonos fiton një dimension tjetër, sepse puna e saj në dy biblioteka të ndryshme e lidh përvojën e shërbimit ndaj fëmijëve me kërkesat e një institucioni që ruan fondet e trashëgimisë kulturore. Për të kuptuar rëndësinë e një bibliotekareje të tillë, duhet të kujtojmë se bibliotekaria nuk ka qenë kurrë vetëm një profesion i klasifikimit dhe i administrimit të librave. Në traditën e saj më të mirë, ajo është një formë ndërmjetësimi kulturor, ku njohja e autorëve, e gjuhëve, e periudhave letrare dhe e nevojave të lexuesve shndërrohet në një shërbim që e bën dijen më të arritshme. Një bibliotekare e aftë mund të kuptojë se cili lexues ka nevojë për një hyrje të thjeshtë në një temë të vështirë, cili nxënës kërkon një histori që do ta mbajë pranë librit, cili studiues ka nevojë për një botim të rrallë dhe cili i moshuar dëshiron të rikthehet te një autor që ka shoqëruar rininë e tij. Në këtë kuptim, puna e bibliotekarit është një art i njohjes së njerëzve po aq sa është një profesion i njohjes së librave, sepse nuk mjafton të dish se ku ndodhet një vëllim në raft; duhet të kuptosh edhe se përse ai vëllim mund të jetë i rëndësishëm për personin që e kërkon.

Nëse në një periudhë të caktuar biblioteka ishte vendi ku lexuesi shkonte për të gjetur librin, sot bibliotekari duhet të jetë gjithnjë e më shumë ai që e ndihmon librin të gjejë lexuesin. Ky ndryshim nuk e zvogëlon rolin tradicional të profesionit, por e zgjeron atë, duke e bërë më të domosdoshëm në një shoqëri ku informacioni është i bollshëm, por jo gjithmonë i besueshëm, ku mundësitë e leximit janë të shumta, por vëmendja shpesh është e shpërndarë, dhe ku fëmijët mund të kenë qasje në mijëra materiale digjitale, pa e pasur domosdoshmërisht udhëzimin që u nevojitet për të dalluar një burim të vlefshëm nga një tjetër. Pikërisht këtu qëndron një nga vlerat e bibliotekarit të mirë, ai nuk e zëvendëson lexuesin në zgjedhjen e tij, por e ndihmon të zgjedhë më me vetëdije; nuk ia imponon librin, por ia zbulon mundësinë; nuk e shndërron leximin në një detyrim tjetër, por e ndihmon atë të bëhet pjesë e natyrshme e jetës. Fleta „Mikja e Vogël e Librit“ që ruhet në kujtesën time e shpreh këtë filozofi me një thjeshtësi të admirueshme, sepse në të nuk shpërblehet vetëm leximi i kryer, por krijohet një identitet i ri për fëmijën: ai nuk është thjesht nxënës që ka lexuar një libër, por mik i librit, dikush që ka nisur të ndërtojë një marrëdhënie me dijen.

 

Nga Ballkani në Britani: bibliotekat që dalin përtej mureve

 

Historia e bibliotekave në Elbasan bëhet edhe më domethënëse kur vendoset në një kornizë më të gjerë ballkanike dhe ndërkombëtare, sepse shumë prej përvojave më të mira të bibliotekarisë janë ndërtuar mbi të njëjtin parim, institucioni kulturor nuk duhet të presë vetëm ata që i afrohen vetë, por duhet të krijojë mënyra për të mbërritur te ata që, për arsye të ndryshme, mbeten larg tij. Në Ballkan, ky parim ka marrë forma të ndryshme dhe është ushqyer nga tradita të veçanta kulturore. Një shembull me rëndësi është Biblioteka e Qytetit të Beogradit, e cila u hap si institucion modern në vitin 1931, nën drejtimin e bibliotekares dhe studiueses Marija Ilić Agapova. Përveç organizimit të koleksioneve sipas parimeve bashkëkohore të klasifikimit, në të njëjtin vit u hap edhe salla e parë publike e leximit për fëmijë në Mbretërinë e Jugosllavisë, duke dëshmuar se lexuesi i ri ishte parë herët si pjesë e rëndësishme e misionit publik të bibliotekës. Kjo përvojë na kujton se bibliotekat nuk bëhen moderne vetëm kur pasurojnë fondet ose ndërtojnë godina të reja, por edhe kur e njohin fëmijën si lexues me nevoja të veçanta dhe krijojnë për të hapësira, shërbime e mënyra komunikimi që e nxisin të rikthehet. Në Bullgari, tradita e 'chitalishteve', qendrave të leximit dhe të jetës kulturore komunitare, paraqet një tjetër përvojë interesante krahasimi me bibliotekat e lagjeve shqiptare. Këto institucione kanë bashkuar leximin, edukimin dhe veprimtarinë kulturore, duke u bërë në shumë komunitete më tepër sesa vende ku ruhen libra: ato kanë shërbyer si hapësira të përbashkëta ku njerëzit takohen, mësojnë dhe marrin pjesë në jetën publike. Studimet krahasuese mbi traditën bullgare dhe bibliotekat publike amerikane vënë në dukje pikërisht këtë afërsi në misionin e tyre, atë të nxitjes së leximit, të vetëformimit dhe të zhvillimit të komunitetit. Në Kroaci, ndërkohë, përvojat e bibliotekave publike në promovimin e leximit tregojnë se suksesi nuk varet vetëm nga pasuria e fondit, por edhe nga aftësia për të komunikuar me grupe të ndryshme lexuesish, për të organizuar fushata leximi, për të përdorur platformat digjitale dhe për t'i bërë veprimtaritë e bibliotekës të dukshme për komunitetin. Studimi mbi promovimin e leximit në bibliotekat publike kroate, i mbështetur në intervista me bibliotekarë, evidenton rëndësinë e projekteve të menduara për kategori të ndryshme përdoruesish dhe nevojën që puna e mirë e bibliotekës të mos mbetet e panjohur për publikun.

Ky është një mësim që lidhet drejtpërdrejt me përvojën e „Vullnetarit“, puna mund të jetë e çmuar, por ajo duhet edhe të tregojë veten, të dokumentohet, të komunikohet dhe të bëhet pjesë e historisë së komunitetit. Një tjetër shembull vjen nga Hungaria, ku programi kombëtar „Library Challenge“, i zhvilluar me mbështetjen profesionale të Bibliotekës Kombëtare Széchényi, synon të rrisë përdorimin e bibliotekave, huazimin e librave, pjesëmarrjen në veprimtari dhe numrin e lexuesve fëmijë, duke nxitur institucione të madhësive të ndryshme të hartojnë fushata dhe të vlerësojnë rezultatet e tyre.  Këto përvoja na tregojnë se bibliotekaria bashkëkohore kërkon një ndërthurje të traditës me nismën, të fondit me komunikimin dhe të shërbimit të përditshëm me projekte që i japin leximit një prani më të madhe në jetën publike.

Në Britaninë e Madhe, ku bibliotekat publike kanë një traditë të gjatë të shërbimit komunitar, ideja se libri duhet të shkojë drejt lexuesit është zhvilluar përmes bibliotekave lëvizëse, shërbimeve në shtëpi, vizitave në shkolla dhe nismave që synojnë njerëzit të cilët nuk mund të shkojnë lehtësisht në një bibliotekë fizike. Historia e bibliotekave publike britanike tregon se shtrirja e shërbimeve përtej godinës ka qenë një pjesë e rëndësishme e përpjekjeve për ta kthyer bibliotekën në një qendër të jetës intelektuale dhe shoqërore të zonës që ajo mbulon. Një shembull konkret është Shërbimi i Bibliotekave të Essex-it, ku bibliotekat lëvizëse dhe shërbimet në terren vizitojnë komunitete të moshuarish, shkolla, kopshte fëmijësh, qendra rinore dhe hapësira të tjera komunitare, duke u mundësuar qasje në libra e materiale njerëzve që nuk i frekuentojnë rregullisht bibliotekat. Në Bath dhe zonën përreth, shërbimet lëvizëse kanë një histori shumëvjeçare, ndërsa modeli i bibliotekës në shtëpi u jep mundësi edhe atyre që e kanë të vështirë të dalin të marrin pjesë në jetën e leximit.

Në këto modele britanike, bibliotekari nuk është vetëm ai që pret lexuesin në një hapësirë të caktuar, por edhe ai që shkon drejt tij, duke e kuptuar se distanca nga libri mund të jetë fizike, shoqërore, ekonomike ose kulturore. Një fëmijë që jeton larg qendrës, një i moshuar që nuk mund të udhëtojë, një familje që nuk e njeh ende bibliotekën si shërbim të përditshëm apo një i ri që ka nevojë për udhëzim në zgjedhjen e leximeve, të gjithë mund të bëhen pjesë e një komuniteti lexuesish nëse institucioni e mendon shërbimin në mënyrë krijuese. Në këtë këndvështrim, biblioteka lëvizëse nuk është thjesht një automjet me rafte librash, por një ide mbi barazinë e mundësive, sipas së cilës qasja në kulturë nuk duhet të varet vetëm nga vendbanimi, mosha apo mundësia për të udhëtuar.

Këto shembuj nuk duhen marrë si modele që mund të kopjohen mekanikisht në çdo qytet, sepse secila bibliotekë punon brenda kushteve të veta ekonomike, shoqërore dhe institucionale. Por ato dëshmojnë se ekziston një familje e gjerë përvojash, në Ballkan, në Britani dhe më tej, që ndajnë të njëjtin synim: ta bëjnë librin të pranishëm aty ku njerëzit jetojnë, mësojnë, punojnë dhe rriten. Dhe pikërisht në këtë familje përvojash duhet vendosur edhe historia e bibliotekareve të Elbasanit, të cilat, me mjetet dhe mundësitë e kohës së tyre, e çuan librin drejt fëmijëve dhe e bënë bibliotekën një pjesë të jetës së lagjes.

 

Nga fleta e lavdërimit te biblioteka pa mure

 

Në ditët tona, kur teknologjia po ndryshon mënyrën se si kërkojmë informacion, lexojmë dhe komunikojmë, bibliotekat përballen me një sfidë që është njëkohësisht mundësi dhe përgjegjësi. Digjitalizimi i katalogëve, skanimi i materialeve të rralla, krijimi i koleksioneve elektronike dhe mundësia për të kërkuar nga shtëpia një botim që dikur mund të gjendej vetëm në sallën e leximit janë zhvillime që mund ta zgjerojnë ndjeshëm rolin e institucioneve bibliotekare. Megjithatë, teknologjia nuk duhet të shihet si zëvendësim i bibliotekarit, por si një mjet që ia shton atij mundësitë për t'i shërbyer publikut, sepse edhe në botën digjitale mbetet e nevojshme njohuria profesionale për të identifikuar burimet, për të vlerësuar informacionin, për të ruajtur materialet dhe për t'i udhëhequr lexuesit drejt përmbajtjeve me vlerë.

Biblioteka „Qemal Baholli“, me fondet e saj të pasura dhe me trashëgiminë e rëndësishme albanologjike e balkanologjike, ka mundësinë të luajë një rol të veçantë në këtë drejtim, duke e ndërthurur kujdesin për koleksionet fizike me zhvillimin e shërbimeve të reja. Digjitalizimi i periodikut të vjetër, krijimi i katalogëve të kërkueshëm, dokumentimi i historisë së bibliotekës dhe publikimi i bibliografive tematike do të ndihmonin jo vetëm studiuesit, por edhe mësuesit, studentët, gazetarët dhe lexuesit që kërkojnë të njohin më mirë historinë e qytetit dhe të kulturës shqiptare. Një bibliotekë që ruan botime të rralla nuk e përmbush plotësisht misionin e saj nëse ato mbeten të panjohura për publikun; ruajtja është e domosdoshme, por ajo merr kuptimin e plotë kur shoqërohet me përshkrimin, kërkimin, interpretimin dhe mundësinë e qasjes së kontrolluar.

Por, përtej teknologjisë, ekziston edhe një punë tjetër që nuk mund të shtyhet: dokumentimi i njerëzve që e kanë ndërtuar jetën e bibliotekës. Përvojat e bibliotekareve të „Vullnetarit“, të punonjësve të „Qemal Bahollit“ dhe të brezave që kanë shërbyer në institucione të tjera kulturore meritojnë të mblidhen në kujtime, intervista, fotografi dhe dokumente, sepse historia e bibliotekës nuk është vetëm historia e godinës dhe e fondit, por edhe historia e njerëzve që e kanë bërë atë të funksionojë. Në këtë drejtim, edhe një Fletë Lavdërimi mund të shërbejë si pikënisje për një projekt më të gjerë të kujtesës lokale, ku të ruhen emrat e punonjësve, të dokumentohen nismat për fëmijët, të rindërtohen rrugëtimet e librave dhe të dëgjohen zërat e lexuesve që e kanë përjetuar bibliotekën në periudha të ndryshme.

Një projekt i tillë do të kishte vlerë të veçantë nëse do të bashkonte kujtesën familjare me arkivin institucional, duke i kthyer dokumentet e vogla të jetës së përditshme në pjesë të një historie më të plotë kulturore. Fletët e lavdërimit, kartelat e lexuesve, regjistrat e huazimit, fotografitë e veprimtarive, shënimet e bibliotekareve dhe botimet bibliografike mund të na ndihmojnë të kuptojmë se si ka ndryshuar leximi në Elbasan, cilët autorë janë kërkuar nga fëmijët në periudha të ndryshme, çfarë vendi kanë zënë bibliotekat e lagjeve dhe si janë zhvilluar marrëdhëniet mes shkollës, familjes dhe institucionit kulturor. Kështu, kujtesa nuk do të mbetej një përmbledhje nostalgjike e së shkuarës, por do të bëhej një burim për të menduar të ardhmen.

Në këtë kuptim, portreti i Myrvet Dhonos lidhet natyrshëm me idenë e bibliotekës pa mure, sepse ajo që ka vlerë në punën e një bibliotekareje nuk kufizohet te hapësira ku ka shërbyer. Ajo vazhdon të jetë e pranishme në lexuesit që ka ndihmuar, në njohuritë që ka ndarë, në punën bibliografike që ka lënë pas dhe në dokumentet që kanë mbijetuar për të dëshmuar se një institucion kulturor ndërtohet jo vetëm me libra, por edhe me përkushtimin e njerëzve që kujdesen për ta.

 

Portreti që mbetet

 

Kur e kujtoj sot atë dokument të gjetur në shtëpinë e bashkëshortes sime, në Haxhias, më duket sikur përmes tij më foli një kohë që nuk kisha arritur ta dëgjoja plotësisht atëherë, kur përgatita shkrimin që mbeti i papublikuar. Një fletë e thjeshtë, me një firmë dhe një titull që i drejtohej një fëmije si „Mikja e Vogël e Librit“, më ktheu te një bibliotekë lagjeje, te një brez bibliotekareje dhe te një mënyrë e të menduarit për kulturën, ku vlera e punës matej nga ndikimi që ajo linte në jetën e njerëzve. Sot, duke e vendosur atë kujtim përkrah historisë së Bibliotekës „Qemal Baholli“, përkrah përvojave të bibliotekave ballkanike dhe britanike dhe përkrah përpjekjeve bashkëkohore për ta çuar librin te lexuesi, e kuptoj se ajo fletë përmban më shumë sesa një mirënjohje të së kaluarës: ajo përfaqëson një ide që nuk e humbet vlerën me kalimin e viteve.

Myrvet Dhono meriton të kujtohet jo thjesht sepse ka punuar për shumë vite në bibliotekë, por sepse puna e saj lidhet me një mision që mbetet thelbësor për çdo shoqëri që synon të zhvillohet përmes dijes. Kontributi i saj në shërbimin ndaj lexuesve, njohuritë mbi librat dhe gjuhën latine, si dhe puna bibliografike për botimet e viteve 1500–1800, e vendosin emrin e saj në atë traditë bibliotekarësh që e kuptojnë librin njëkohësisht si objekt kulture, burim studimi dhe mjet për formimin njerëzor. Kujtimi i saj na ndihmon të kuptojmë se historia e bibliotekave nuk shkruhet vetëm nga arkitektët e godinave, nga drejtuesit e institucioneve apo nga emrat e mëdhenj që kanë studiuar në sallat e tyre, por edhe nga ata që kanë qëndruar çdo ditë pranë rafteve, kanë orientuar lexuesit, kanë mbrojtur fondet dhe kanë ndërtuar, me durim, marrëdhënien mes librit dhe njeriut. Dhe ndoshta pikërisht kjo është arsyeja pse titulli „Portreti i gdhendur në memorie dhe libra“ i përshtatet aq natyrshëm kësaj historie: portreti i një bibliotekareje gdhendet në kujtesë jo sepse koha e ka ndalur për të, por sepse puna e saj ka vazhduar të jetojë përmes të tjerëve. Ai gdhendet në një dokument që nuk është hedhur, në një libër që është ruajtur, në një bibliografi që ndihmon një studiues, në një fëmijë që është bërë lexues dhe në një qytet që vazhdon të mbajë brenda vetes historinë e bibliotekave të tij. Kur këto gjurmë bashkohen, ato krijojnë një portret që nuk i përket më vetëm një personi, por një kulture të tërë, një tradite të shërbimit publik dhe një bindjeje që ka mbijetuar në kohë e në vende të ndryshme: libri ka vlerë të plotë vetëm kur gjen njeriun për të cilin është shkruar.

Duhet theksuar se, në fund të fundit, biblioteka më e mirë nuk është vetëm ajo që ka më shumë libra, katalogët më të përparuar apo ndërtesën më të bukur, por ajo që arrin ta bëjë librin të nevojshëm në jetën e njerëzve, që ua afron fëmijëve pa ua imponuar, që ua bën të mundur studiuesve pa ua vështirësuar kërkimin, që kujdeset për të moshuarit dhe për ata që nuk mund të shkojnë vetë drejt rafteve, që e ruan të kaluarën pa ia mbyllur dyert së ardhmes dhe që e kupton se kultura nuk është një pasuri e mbyllur në inventar, por një marrëdhënie që duhet ripërtërirë çdo ditë. Nëse sot, pas shumë vitesh, një fletë e vjetër më shtyn të shkruaj sërish për Myrvet Dhonon, atëherë ajo e ka përmbushur edhe një herë misionin e saj të heshtur, sepse më ka bërë të kthehem te libri, te kujtesa dhe te njerëzit që i lidhin të dyja. Dhe, nëse një fëmijë i dikurshëm është shpallur „Mikja e Vogël e Librit“, ndoshta një ditë, shumë vite më pas, edhe ajo do të mund të tregojë se një bibliotekare, një libër dhe një fletë lavdërimi e ndihmuan të kuptojë se kujtesa nuk ruhet vetëm në arkiva, por edhe në zemrat e atyre që kanë mësuar ta duan dijen. Kështu, portreti mbetet i gdhendur në memorie dhe libra, ndërsa biblioteka, me të gjithë njerëzit që e kanë bërë të jetojë, vazhdon të na kujtojë se një qytet që kujdeset për librin kujdeset edhe për shpirtin, identitetin dhe të ardhmen e vet.


Shpirti në bibliotekën „Vullnetari“

 

Biblioteka ka pozuar mbylljen e saj

në mëngjesin e heshtur. Një dritare e hapur

mbi dekada të palosura në letër,

mbi jetë të mbetura pezull

mes një presjeje dhe një pike.

 

Aroma e librave të vjetër,

pluhur i artë mbi rafte. Burra dhe gra

në kujtesë lënë gjurmën e tyre të thellë,

ngarkesa e shpirtit

(Miku i Vogël i Librit).

 

Korridori është një lumë i drejtë

dhe drita rrëshqet

nga xhamat e qetë të pasdites.

 

një lexues i vetëm, larg, duke kërkuar një emër

dhe një përgjigje, kalon ngadalë ndër raftet,

fjalët qëndrojnë pranë, roje të heshtura të kohës.

 

Është një punë pa zhurmë

dhe një pritje pa zhurmë.

 

Kemi harruar sa rrugë

janë fshehur brenda një libri,

të harruara janë duart

që shkruan netëve të gjata,

fletët që udhëtuan përtej deteve

dhe kthyen në strehë vetminë e njerëzve.

 

Nga tavolinat ngrihet

një frymë e butë mendimesh.

Ora ecën pa u dëgjuar,

por faqet vazhdojnë të lëvizin

si krahë zogjsh mbi ujë.

 

Jashtë bie mbrëmja,

brenda mbetet një agim i vogël

që nuk lodhet kurrë.

Shpirti në bibliotekë

nuk ka fytyrë të vetën.

 

Ai banon në secilin titull,

në secilin nënvizim të zbehtë,

në secilën fjalë që ka mbijetuar stuhitë.

 

Duart e mia mbajnë erë letre

dhe unë vazhdoj të pres,

mes ardhjes dhe largimit të lexuesve,

për atë çast të qetë

kur një libër hapet

dhe një shpirt gjen më në fund

Ankorimin e tij

memorjeve.

 

(Poezi e realizuar nga autori në vitin 1990)

 

Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page