Fatmir Terziu: Poezia e Zyhdi Dervishit tregon ekzistencën njerëzore
- Prof Dr Fatmir Terziu
- Jun 13
- 4 min read

Poezia e Zyhdi Dervishit tregon ekzistencën njerëzore
Po i rikthehem një poezie. Po i ulem në ndjesi një vargu. Po lexoj… Titulli i përmbledhjes së poezive „Në Kryqin e Udhëkryqit“ nga Zyhdi Dervishi shënon /jo/ një oksimoron ironik. “Mesazhi” kryesor, më duket mua, është kalimi i kohës dhe mrekullia e të bërit-në-qenie… Pa/fundi i përzhitjes, dhe përsëritja e stereotipeve klimaterike dhe njerëzore për “ëndrrat e mia përzhisin si zjarre” („Kurban“; Pogradec, 16 gusht 2018), ndoshta i vetmi… Arketipi i ilaçit, i përmbysur përmes paradoksit “shpesh qiejt e trazuar të mendimit/m'i rëndojnë re të murme/stresi e mërzie“ („Ilaçi im“; Tiranë, 27 qershor 2018)” – ngjyros botëkuptimin, kozmopolit në thelbin e tij. Nën këtë ombrellë stilistike letrare, poetike dhe tërësisht origjinale, perceptuese, është edhe vetë koha.
Koha, e realizuar përmes një gjeografie lokale, të cilën autori e vëren me kujdes. Në të njëjtën kohë, shpjegimet e udhërrëfyesit mungojnë, sepse kozmopoliti viziton qytetet, por jo si toponime, apo si pika gjeografike, apo shënime në ditarë historikë, por si hallka në një zinxhir ndjesish, aromash dhe pamjesh, të shikimeve të shkëmbyera, të specifikave të paharrueshme. Burimi i dëshpërimit, si dhe tranziti melankolik që fluturon në ajër është i fshehur nën „Gjethe Vjeshte“ (po aty, faqe 124), origjina e tij është e zvetënuar, por paralajmëruese „Ma morën tokën e gjyshit/dhe më mashtruan me tapi/të shkruar në lëkurë gjarpri/të një trualli të lëruar/prej korbave“ (ibid). Ashtu siç jeta e sotme është pa drejtim, libri i Zyhdi Dervishit, nuk duhet lënë në harresë, nuk duhet zëvendësuar me kahje poetësh, apo lexime librash nga institucione, që me zor lexojnë e me zor dëgjojnë, sepse nuk dëshiron të na shpallë ndonjë të vërtetë supreme, megjithatë, në respektin e tij, na tregon më shumë për gjëra sesa për teori dhe diskurse të rënda "Në Kryqin e Udhëkryqit" të vetë dilemës njerëzore.

Duke skicuar siluetën e poetit me bojëra uji, libri na çon nëpër sallat e errëta të fateve të errëta ku vetëshkruhen e vetëlexohen „Vetëportretet në mjegull" (faqe 123), të cilat do të ishin të vdekura pa marrësin e tij, në fakt, janë pikërisht enët e lidhura të naivitetit të poetit dhe fëmijës që përmbajnë materien ku lulëzon poezia „Unë – një atom vetmitar/orbitës të skajshme/të nebulozës iki/pa kthim“. Sintezë, në vend të analizës, çiftëzimi kundër monedhës që fshihet pas asketit. Në fakt, në këtë rast, vetë poezia është një biografi; shkrim i lehtë, si apoteozë e jetesës së lehtë, sinqeritetit, thjeshtësisë dhe pastërtisë intelektuale, njerëzore dhe burërore, të atij që jeton me bulën e djersës, me përkushtimin adekuat dhe intelektual profesional (Faqe 122).
Ai nuk vuan, por vuan poezia. Vuan letërsia. Duke shkatërruar klishenë se letërsia po vuan, kjo poezi na kthen në kohët e Safos duke shkuar përtej madje, tek „Virgjëri e blertë“ (Faqe 93). Ajo gjithashtu rikthen dinjitetin e qëndrimit hyjnor të të gjithëve që qëndrojnë pranë poetit, duke shpallur një arkeologji të ndjenjave, siç është e natyrshme tek të gjithë ata për të cilët koha është një sasi lineare, madje edhe në përsëritjet ciklike të situatave, fytyrave dhe ëndrrave „Dua të çapitem/deri në mbrëmje/horizonteve të kësaj/virgjërie të blertë“ (ibid). Forma e poezive është gjithashtu e lirë nga zbukurimet, nuk flirton me gjëegjëza, thjesht flet gjuhën në të cilën ndihet, flet me gjuhën e nënës, ashtu sikurse tek „Portret i trishtë i një nëne“:
„Para duarve të reshkura të nënës
përgjunjen malet
e gjithë krenarive
Para shikimit të turbulluar të nënës
verbohen yjet
e të gjitha yjësive“ (Faqe 31)
Magjia e nënës është më e respektueshme se vëzhgimi i fëmijës në diksursin me botën mbetet jo vetëm tek sytë e zemra, por tek vetë diskursi, sepse bota e nënës është tashmë sa abstrakte dhe aq e pasur. Dogma që është vendosur në mendimin letrar shqiptar se bota shqisore është më e pasur se abstraksioni i fjalëve has rezistencë, më duket mua, në përmbledhjen e poezive të Zyhdi Dervishit. Ndërsa e shkuara e sedërtuar vargore gjoja na thirri përsëri te objektet, rezulton se vizionari i i kohës moderne është më afër poezisë parësore, ndjenjës së injorancës rebele, frymëzuese para botës.
Pa dyshim, sot poezia e disa vëllimeve poetike të autorit sikurse „Në Kryqin e Udhëkryqit“ (2019); „Mokra e Hijeve“ (2014), „Vetëklonimi i Maskave“ (2009), „“Jehonëlebetia“ (2004) apo „Qiej të përthyer“ (1999) po kërkon shtigje të reja dhe nuk dëshiron të mbetet në horizontet e mirazhit të shkrimtarëve të odave të tiranit.
Më duket se në fakt arti më naiv dhe autentik është të jesh i lirë. Kjo ndjesi krijohet dhe lexohet nga ky libër, i cili do të thoshim gjithashtu, se është më shumë në rolin e intelektualit të heshtur me audiencën, dhe jo anasjelltas. Krijimi i botës është një proces i ndërsjellë. Kjo e qartësuar dhe e konkluduar tek poeti akademik Zyhdi Dervishi, sepse, pavarësisht dëshpërimit dhe deklarimit të dështimeve, kjo poezi është krijuese dhe pohon ekzistencën njerëzore.
Analizë teorike ideo-artistike profesionalisht e arrirë nga ana e z.F.Terziu (që e përgëzoj!) për poezitë (do t'i quaja pa frikë "kafkiane") tejet konçize, por plot ide të gjetura (si 'fjalë të urta") të shprehura me një gjuhë të përsosur nëpër librat e poetit prof.dr. Zyhdi Dervishi. Analizë e kritike e merituar, që meriton falenderime dhe për publicitetin që i ka bërë veprës poetike të autorit (se Zyhdiu nga natyra është i tërhequr, nuk të imponohet..., por gurra e tij e shkrimeve është me plot perla, që lum kush i hulumton dhe i shijon... !) Prof.Zyhdi, me zemër të uroj frymëzime dhe më të ndjera për arritje në maja më ta nalta!
Duke ju falenderuar per kritiken kaq te arrire prr poezite e bashkemoshatarit dhe bashkenxenesit profesor ZYHDIUT ndjehem shume krenar per guximin dhe pergjegjesine qe keni marre se ne mendimin tim, ai do jete poet i shume brezave.
Urime dore e arte Terziu! Te pershendes Zudi.
Nje analize tekstore e zbulimit te vlerave estetike , morale dhe ekzistenciale qe poezia juaj percjell tek lexuesi. Urime Prof. Zyhdiu!
Një analizë e thellë, e gjithanshme dhe e plotë që përshfaq gjithë dimensionet e perceptimit dhe ndjenjave njerzore në të gjitha poezitë e Profesor Doktor Zyhdi Dervishi. Suksese në krijime të tjera Profesor dhe mik u nderuar.