Fatmir Terziu: Pas modestisë së heshtur të Xhimi Vilës, fryma e “Ress Egnatia”
- 2 hours ago
- 2 min read

Para pak ditësh ai dhe shoqata e tij ishin mjaft vlera e „Margaritarët e Fjalës“ në Elbasan, por në një kohë kur ekspozimi virtual shpesh ngatërrohet me kontributin real, Xhimi Vila mbetet një prej atyre njerëzve që zgjedhin të ndërtojnë në heshtje. Profili i tij në rrjetet sociale është thuajse minimalist, fotografia bardhë e zi, ndërsa prania publike pa bujë. Megjithatë, pas kësaj thjeshtësie qëndron një nga emrat më aktivë të projekteve kulturore dhe sociale në Qarkun e Elbasanit dhe më gjerë. Emri i tij lidhet natyrshëm me Shoqatën Kulturore “Ress Egnatia”, organizatë që prej vitesh ka sjellë projekte të rëndësishme në fushën e kulturës, trashëgimisë dhe aktivizimit rinor. Përmes kësaj shoqate, Xhimi Vila ka krijuar një model pune ku kultura nuk shihet si dekor ceremonial, por si energji qytetare dhe zhvillim komunitar.
Një nga projektet më domethënëse ishte “Vitalizimi i Trashëgimisë Artistike-Kulturore të Elbasanit përmes të Rinjve”, i mbështetur nga Agjencia për Mbështetjen e Shoqërisë Civile. Ky projekt synoi të afrojë brezin e ri me identitetin kulturor të qytetit, duke i përfshirë të rinjtë në krijimtarinë artistike, dizenjimin dhe promovimin e produkteve kulturore në funksion edhe të turizmit kulturor. Në këtë mënyrë, trashëgimia nuk mbeti vetëm kujtesë historike, por u kthye në një komunikim të gjallë me kohën. Në aktivitetet e “Ress Egnatia” kanë zënë vend të rëndësishëm edhe promovimet kushtuar figurave kombëtare, si Aristidh Kola, intelektuali dhe studiuesi arvanitas që mbetet simbol i identitetit dhe ndërgjegjes kombëtare. Pikërisht në këtë frymë u organizuan edhe Çmimet “Aristidh Kola”, një aktivitet tashmë i konsoliduar, që ka marrë vëmendje të gjerë publike.
Edicioni i katërt i këtyre çmimeve, i zhvilluar në Divjakë, solli në qendër figura të njohura të gazetarisë shqiptare. Mes të vlerësuarve ishte gazetari Besim Dybeli, një emër i njohur për angazhimin e tij profesional dhe përkushtimin ndaj gazetarisë kulturore e qytetare. Krahas tij u nderuan edhe gazetarja investigative Anila Hoxha, si dhe Erion Braçe, për kontributin publik dhe komunikimin mediatik ndër vite. Roli i Besim Dybelit në këtë aktivitet ishte më shumë se simbolik. Ai përfaqëson atë lloj gazetarie që ruan lidhjen me kulturën, me kujtesën dhe me identitetin kombëtar, duke i dhënë vlerë fjalës së shkruar dhe komunikimit publik me përgjegjësi. Prania e tij në një aktivitet të tillë përforcoi vetë mesazhin e Çmimeve “Aristidh Kola”: nevojën për të vlerësuar zërat që mbrojnë kulturën, historinë dhe ndërgjegjen qytetare. Një tjetër dimension i punës së Xhimi Vilës është angazhimi social me të rinjtë. Përmes projekteve të realizuara në Elbasan, Belsh dhe Peqin, “Ress Egnatia” ka organizuar trajnime, sesione ndërgjegjësimi dhe aktivitete edukative mbi rolin e të rinjve në çështjet sociale dhe jetën komunitare. Këto iniciativa kanë ndihmuar në krijimin e një fryme më aktive qytetare dhe në afrimin e të rinjve me jetën publike.
Ndoshta veçantia e Xhimi Vilës qëndron pikërisht këtu, ai nuk ndërton protagonizëm personal, por ndërton hapësira ku të tjerët mund të kontribuojnë dhe të vlerësohen. Në heshtje, larg zhurmës së vetëpromovimit, ai ka arritur të krijojë një identitet serioz për “Ress Egnatia”, duke e kthyer atë në një nga organizatat më aktive në promovimin e kulturës dhe të shoqërisë civile. Dhe kjo është arsyeja pse emri i tij përmendet me respekt, jo për bujën që krijon, por për gjurmët që lë.








Comments