top of page

Fatmir Terziu: PAMJA PANOPTIKE E HISTORISË LETRARE SHQIPTARE PAS VITIT 1990

7 hours ago
10 min read

 

Historia e letërsisë shqiptare pas vitit 1990 mbetet një histori e hapur, jo thjesht sepse vazhdojnë të shfaqen autorë, vepra dhe forma të reja krijimtarie, por sepse vetë kuptimi i kësaj periudhe është ende në proces formimi, interpretimi dhe rivlerësimi. Ndryshimi historik i vitit 1990 nuk solli vetëm përmbysjen e një sistemi politik, por edhe një tronditje të thellë në ndërgjegjen krijuese shqiptare, duke ndryshuar marrëdhënien e shkrimtarit me të vërtetën, kujtesën, historinë, lirinë dhe lexuesin. Letërsia, e cila për dekada kishte funksionuar nën trysninë e një sistemi ideologjik përcaktues, u gjend përballë një hapësire të re shprehjeje, ku kufizimet e mëparshme po shembeshin, por ku, njëkohësisht, duhej të ndërtoheshin kritere të reja të vlerësimit estetik dhe të përgjegjësisë artistike. Në këtë kuptim, historia e letërsisë shqiptare pas vitit 1990 nuk mund të trajtohet si një vazhdim i zakonshëm kronologjik i asaj që ishte shkruar më parë. Ajo kërkon një rishikim të marrëdhënieve ndërmjet traditës dhe modernitetit, ndërmjet trashëgimisë dhe shkëputjes, ndërmjet autorit të formuar në kushtet e censurës dhe krijuesit që tashmë përballet me lirinë e pakufizuar të zgjedhjes. Kjo liri, ndonëse përbën një fitore historike dhe estetike, nuk garanton vetvetiu cilësi letrare, as nuk e zgjidh automatikisht çështjen e identitetit krijues. Përkundrazi, ajo e vendos shkrimtarin përballë një përgjegjësie të re: të krijojë pa urdhër ideologjik, por edhe pa e ngatërruar lirinë me mungesën e kritereve, eksperimentimin me vlerën dhe shumësinë e botimeve me pasurinë e vërtetë të letërsisë.

Për këtë arsye, çdo përpjekje për të shkruar historinë e kësaj periudhe duhet të mbetet e hapur ndaj plotësimeve dhe korrigjimeve të ardhshme. Letërsia shqiptare pas vitit 1990 nuk është një trup i përfunduar, të cilit mund t'i caktohet një kufi i prerë historik, por një hapësirë ku vazhdojnë të ndërthuren përvoja të ndryshme krijuese, kujtesa të ndrydhura, zëra të rikthyer dhe prirje estetike që nuk kanë arritur ende të marrin një përcaktim përfundimtar. Disa vepra që sot mund të duken përfaqësuese të një periudhe, nesër mund të lexohen në një dritë tjetër, ndërsa autorë që kanë mbetur në periferi të vëmendjes mund të fitojnë një rëndësi të re në strukturën e përgjithshme të historisë sonë letrare. Në këtë pikë, çështja e distancës historike merr një rëndësi të veçantë. Studiuesit kanë mendime të ndryshme mbi kohën që duhet të kalojë përpara se një periudhë të mund të vlerësohet si një tërësi historike. Disa kërkojnë një largësi prej të paktën gjysmë shekulli, të tjerë e lidhin këtë proces me kalimin e dy brezave, duke argumentuar se vetëm atëherë ndikimet e drejtpërdrejta të kohës, emocionet politike dhe interesat e çastit mund të zbehen mjaftueshëm për t'i lënë vend një gjykimi më të qëndrueshëm. Megjithatë, në rastin e letërsisë shqiptare pas vitit 1990, pritja e një distance të tillë nuk mund të shërbejë si arsye për të shtyrë analizën. Përkundrazi, pikërisht transformimet e jashtëzakonshme të kësaj periudhe e bëjnë të domosdoshëm një vështrim kritik që nga e tashmja, me vetëdijen se përfundimet e tij janë të hapura ndaj rishikimit.

Historia e letërsisë, në këtë kuptim, mund të shihet përmes dy metaforave që shprehin njëkohësisht natyrën e saj përzgjedhëse dhe pasigurinë e kujtesës kulturore. Sipas metaforës së parë, ajo ngjan me një humnerë të madhe, ku koha depoziton gjithçka që është shkruar, duke përfshirë jo vetëm veprat që kanë gëzuar njohje dhe vlerësim, por edhe ato që janë lënë në harresë, janë përjashtuar ose nuk kanë pasur mundësi të komunikojnë me lexuesin. Në rastin shqiptar, kjo humnerë ka një kuptim edhe më të ndërlikuar, sepse brenda saj janë grumbulluar jo vetëm veprat e harruara nga kalimi i natyrshëm i kohës, por edhe krijimtaria e ndaluar, e censuruar, e burgosur ose e detyruar të heshtë për arsye politike. Vepra të autorëve të dënuar, të përndjekur, të internuar apo të larguar nga atdheu kanë mbetur për një kohë jashtë rrjedhës së njohur të historisë letrare, ndërsa një pjesë e krijimtarisë së tyre ka mundur të marrë jetë publike vetëm pas ndryshimit të sistemit. Këtu qëndron një nga detyrat më të rëndësishme të studimeve letrare pas vitit 1990: të zbresin në këtë hapësirë të heshtur dhe të rikthejnë në vëmendje atë që historia zyrtare e kishte përjashtuar. Ky rikthim nuk duhet të jetë një akt i thjeshtë kompensimi politik, as një përmbysje mekanike e hierarkive të mëparshme, por një proces i mirëfilltë rivlerësimi estetik dhe historik. Një vepër nuk fiton domosdoshmërisht vlerë të lartë vetëm sepse është ndaluar, as një autor nuk bëhet automatikisht klasik vetëm sepse ka qenë viktimë e një sistemi represiv. Por asnjë histori letrare nuk mund të pretendojë plotësi nëse nuk i përfshin këta autorë dhe nëse nuk shqyrton mënyrën se si censura, dhuna dhe përjashtimi kanë ndërhyrë në vetë strukturën e zhvillimit letrar shqiptar.

Metafora e dytë e paraqet historinë letrare si një sitë që përzgjedh atë që është e denjë të mbetet përtej kohës. Kjo përzgjedhje lidhet me atë që njihet si gjykimi i kohës, një proces i ndërlikuar në të cilin ndërthuren kritika, leximi, botimi, arsimi, kujtesa kolektive dhe ndryshimi i ndjeshmërive estetike. Në Shqipërinë e pas vitit 1990, kjo sitë është përballur me një sfidë të jashtëzakonshme, sepse duhej të rishikonte jo vetëm autorët dhe veprat e së kaluarës, por edhe vetë kriteret mbi të cilat ishte ndërtuar kanoni letrar. Ajo që dikur vlerësohej për përputhjen me normën ideologjike duhej të rishqyrtohej në dritën e cilësive të saj artistike, ndërsa vepra të përjashtuara për arsye jashtëletrare duhej të riktheheshin në një hapësirë të lirë interpretimi. Megjithatë, ndryshimi i kanonit nuk mund të reduktohet në një zëvendësim të emrave të mëparshëm me emra të rinj. Një histori e përgjegjshme letrare nuk mund të ndërtohet mbi përmbysje të nxituara, por mbi analizën e veprës, strukturës së saj estetike, risive gjuhësore, fuqisë shprehëse dhe ndikimit që ajo ka pasur në zhvillimin e letërsisë. Kanoni duhet të mbetet një strukturë e hapur, ku vlerat provohen në kohë dhe jo një listë e ngrirë, e përcaktuar nga autoriteti politik, akademik apo institucional i një periudhe të caktuar.

Një vështrim panoptik mbi letërsinë shqiptare pas vitit 1990 duhet të kapërcejë edhe kufijtë tradicionalë të ndarjes së saj gjeografike. Letërsia shqiptare nuk mund të kuptohet vetëm brenda hapësirës shtetërore të Shqipërisë, as vetëm nëpërmjet zhvillimeve të saj në Kosovë apo në qendrat e tjera të krijimtarisë shqiptare. Ajo përbën një hapësirë më të gjerë gjuhësore dhe kulturore, ku ndërthuren përvoja të ndryshme historike, shoqërore dhe estetike, të krijuara në Shqipëri, Kosovë, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi, në trojet e tjera shqiptare dhe në diasporë. Pas vitit 1990, lëvizja e njerëzve, emigrimi, hapja e kufijve dhe komunikimi me kulturat evropiane e botërore kanë krijuar kushte të reja për qarkullimin e ideve, përvojave dhe formave letrare. Kjo hapësirë e zgjeruar ka ndikuar në mënyrë të dukshme edhe mbi figurën e autorit shqiptar. Shkrimtari nuk është më i lidhur vetëm me një qendër kulturore, me një sistem botimi apo me një publik të kufizuar nga rrethanat politike. Ai mund të shkruajë në atdhe, të botojë jashtë tij, të jetojë në një gjuhë tjetër dhe të ruajë njëkohësisht lidhjen me shqipen si gjuhë të kujtesës dhe të identitetit krijues. Përvoja e emigrimit ka sjellë tema të reja, si ndarja, malli, përkatësia, humbja e vendit, identiteti i dyfishtë dhe përplasja ndërmjet kujtesës së vendlindjes dhe realitetit të shoqërisë pritëse. Por ajo ka sjellë edhe ndryshime në mënyrën e të shkruarit, në strukturën e rrëfimit dhe në perspektivën nga e cila vështrohet bota shqiptare.

Në të njëjtën kohë, periudha pas vitit 1990 karakterizohet nga një shumësi formash dhe prirjesh estetike që nuk mund të përmblidhen në një emërtim të vetëm. Poezia dhe proza shqiptare kanë përjetuar forma të reja eksperimentimi, fragmentarizim të rrëfimit, ndërthurje të kujtesës personale me historinë kolektive, rikthim te mitet, rishkrim të së kaluarës dhe përpjekje për të ndërtuar marrëdhënie të reja me modernizmin dhe postmodernizmin. Një pjesë e krijimtarisë është përqendruar te trauma e së kaluarës, te përvoja e diktaturës dhe te nevoja për të rikthyer të vërteta të mohuara; një pjesë tjetër ka zgjedhur të eksplorojë individin bashkëkohor, vetminë, qytetin, transformimin e shoqërisë, konfliktin e identiteteve dhe pasigurinë e njeriut përballë një bote që ndryshon me shpejtësi.

Por shumëllojshmëria e këtyre prirjeve nuk do të thotë se kemi të bëjmë me një zhvillim të njëtrajtshëm ose me një sistem të konsoliduar vlerash. Përkundrazi, letërsia shqiptare e këtyre dekadave është shoqëruar nga tensione të vazhdueshme ndërmjet traditës dhe risisë, ndërmjet përvojës dhe eksperimentit, ndërmjet angazhimit shoqëror dhe autonomisë estetike. Pikërisht këto tensione e bëjnë të nevojshëm një studim që nuk kënaqet me renditjen e emrave dhe titujve, por kërkon të zbulojë lidhjet e brendshme të procesit letrar, të kuptojë arsyet e shfaqjes së prirjeve të caktuara dhe të vlerësojë ndikimin e tyre në formësimin e një vetëdijeje të re krijuese. Një prej vështirësive më të mëdha të kësaj periudhe mbetet edhe raporti ndërmjet shtimit të botimeve dhe konsolidimit të vlerës letrare. Liria e botimit ka krijuar mundësi të reja për shumë autorë, ka zgjeruar hapësirën e komunikimit dhe ka sjellë në qarkullim vepra që më parë nuk do të kishin pasur mundësi të shihnin dritën e botimit. Megjithatë, zgjerimi sasior nuk është domosdoshmërisht tregues i një zhvillimi cilësor. Kur kritika profesionale dobësohet, kur periodikët letrarë humbasin funksionin e tyre vlerësues dhe kur mungojnë mekanizmat e qëndrueshëm të dokumentimit e të bibliografisë, letërsia rrezikon të humbasë një pjesë të aftësisë së saj për të dalluar vlerën nga prania, krijimin nga publiciteti dhe rëndësinë estetike nga dukshmëria e përkohshme.

Për rrjedhojë, një histori e plotë e letërsisë shqiptare pas vitit 1990 nuk mund të mbështetet vetëm në vëzhgimet e një studiuesi, sado të gjera të jenë ato. Ajo kërkon një punë të përbashkët kërkimore, arkivore, bibliografike dhe kritike, ku të përfshihen sa më shumë hapësira krijuese dhe sa më shumë përvoja letrare. Mungesa e një mbulimi të plotë nuk është vetëm një kufizim metodologjik, por edhe pasqyrim i një infrastrukture kulturore që ende nuk ka arritur të funksionojë në mënyrë të qëndrueshme. Për këtë arsye, çdo shqyrtim i kësaj periudhe duhet të përcaktojë qartë objektin e vet, kufijtë e kërkimit dhe kriteret e përzgjedhjes, pa pretenduar se ka përfshirë gjithçka që është shkruar apo se ka dhënë vendimin përfundimtar mbi vlerat. Këtu shfaqet edhe çështja e subjektivitetit në historiografinë letrare. Asnjë historian i letërsisë nuk mund të qëndrojë plotësisht jashtë procesit që analizon. Përzgjedhja e autorëve, përcaktimi i rëndësisë së një vepre, interpretimi i një rryme dhe vendosja e hierarkive mbartin gjithmonë një këndvështrim të caktuar. Studiuesi ndikohet nga formimi i vet, nga përvoja estetike, nga tradita kritike dhe nga pyetjet që koha e tij i drejton letërsisë. Në rastin e letërsisë shqiptare pas vitit 1990, kjo çështje bëhet edhe më e ndjeshme, sepse vlerësimi i së kaluarës lidhet shpesh me përvojat politike dhe shoqërore, me kujtesën e represionit, me rikthimin e autorëve të ndaluar dhe me nevojën për të dalluar gjykimin estetik nga qëndrimi ideologjik.

Objektiviteti i plotë në fushën e letërsisë nuk mund të jetë një gjendje absolute, por kjo nuk do të thotë se çdo interpretim është njëlloj i vlefshëm. Përkundrazi, objektiviteti duhet kërkuar në argumentimin shkencor, në krahasimin e burimeve, në njohjen e kontekstit historik, në analizën e tekstit dhe në dialogun ndërmjet studiuesve. Ai lind pikërisht nga ballafaqimi i këndvështrimeve të ndryshme, nga mundësia për të kundërshtuar një tezë dhe për ta rishikuar atë përballë provave të reja. Në këtë kuptim, dialogu ndërsubjektiv bëhet kushti më i rëndësishëm për një histori letrare që synon të jetë e besueshme dhe e hapur.

Pamja panoptike e historisë letrare shqiptare pas vitit 1990 duhet kuptuar, pra, si një kërkesë metodologjike për ta parë këtë letërsi në tërësinë e marrëdhënieve të saj, jo si një përpjekje për të zotëruar çdo autor, çdo vepër dhe çdo prirje nga një pikë e vetme vëzhgimi. Ajo kërkon të vendosë në të njëjtën fushë vështrimi traditën dhe shkëputjen, letërsinë e brendshme dhe atë të diasporës, autorët e njohur dhe ata të harruar, krijimtarinë e afirmuar dhe zërat që ende nuk kanë gjetur vendin e tyre në kritikën letrare. Një vështrim i tillë nuk e sheshon shumëllojshmërinë, por përpiqet të zbulojë strukturën e saj; nuk i imponon letërsisë një vijë të vetme zhvillimi, por identifikon rrugët e ndryshme që kanë bashkëjetuar, janë kundërshtuar ose kanë ndikuar njëra-tjetrën.

Megjithatë, epërsia panoptike e çdo historie mbetet në njëfarë mënyre iluzore. Sado gjithëpërfshirëse të synojë të jetë, ajo shkruhet gjithmonë nga një pozicion i caktuar kohor dhe intelektual. Çdo histori e shkruar hyn vetë në histori, bëhet objekt i leximeve të mëvonshme dhe mund të përballet me interpretime që e plotësojnë, e kundërshtojnë apo e rishikojnë. Kështu, historia e letërsisë shqiptare pas vitit 1990 nuk mund të shpallet e përfunduar vetëm sepse kanë kaluar disa dekada nga ndryshimi politik. Koha ka krijuar distancë të mjaftueshme për të nisur një vlerësim më të gjerë, por jo për të mbyllur procesin e interpretimit. Shumë vepra presin ende një lexim më të thellë, shumë autorë kërkojnë një rivendosje të drejtë në kujtesën kulturore dhe shumë zhvillime mbeten të pashpjeguara në marrëdhëniet e tyre me historinë e përgjithshme të letërsisë shqiptare.

Si koncept konkludiv, çështja më e rëndësishme nuk është nëse letërsia shqiptare pas vitit 1990 ka prodhuar mjaftueshëm autorë dhe vepra për të ndërtuar një periudhë të re historike, por nëse ne kemi arritur të krijojmë instrumentet e duhura për ta kuptuar, dokumentuar dhe vlerësuar këtë zhvillim. A kemi arritur të dallojmë lirinë krijuese nga vlera estetike? A kemi rishikuar me ndershmëri kanonin e trashëguar? A kemi përfshirë në të gjithë hapësirën shqiptare dhe përvojën e diasporës? A kemi ndërtuar një kritikë të aftë të përballojë jo vetëm të kaluarën ideologjike, por edhe interesat, modat dhe hierarkitë e reja të kohës sonë? Këto pyetje nuk kërkojnë përgjigje të ngutshme, sepse vetë natyra e historisë letrare i kundërshton përfundimet e parakohshme. Letërsia shqiptare pas vitit 1990 është një proces që vazhdon të shkruhet, por edhe një kujtesë që duhet rishkruar vazhdimisht. Ajo nuk është vetëm dëshmi e daljes nga një periudhë kufizimi, por edhe histori e përpjekjes për të gjetur një gjuhë të re të lirisë, një vetëdije të re estetike dhe një marrëdhënie më të ndershme me të shkuarën.

Prandaj, pamja panoptike nuk duhet të shërbejë për të shpallur një të vërtetë përfundimtare mbi këtë letërsi, por për të hapur një hapësirë më të gjerë njohjeje, ku asnjë autor të mos përjashtohet pa u lexuar, asnjë vepër të mos shpallet klasike vetëm për shkak të rrethanave të saj dhe asnjë periudhë të mos konsiderohet e mbyllur për sa kohë vazhdon të prodhojë kuptime të reja. Natyrisht, historia e letërsisë shqiptare pas vitit 1990 nuk është vetëm historia e asaj që shqiptarët shkruan pasi fituan lirinë, por edhe historia e asaj se si kjo liri i detyroi të rishikonin kujtesën, të rivlerësonin të kaluarën dhe të kërkonin një vend të ri në hartën e kulturës letrare. Ajo që kemi shkruar deri tani është pjesë e historisë; ajo që ende nuk kemi ditur të lexojmë, të kuptojmë apo të vlerësojmë, mbetet pjesë e historisë që na pret.

Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page