Fatmir Terziu: Elbasani real

Elbasani real
Elbasani real nuk ka lindur në një ditë të caktuar, as nuk e ka mësuar emrin nga hartat.
Më duket se ka ardhur shumë më herët, kur një grusht drite u ndal mbi Shkumbin
dhe lumi, pa e ditur ende çfarë ishte qyteti, filloi t’i tregonte gurëve historinë e tij.
Elbasani ka një mënyrë të veçantë për të mbajtur mëngjesin. Nuk e zgjon orën,
por zërin e dyqaneve që ngrenë qepenat, para trokitjes së sahatit,
hapin e atij që nxiton për në punë, (nëse ka një të tillë),
aromën e tavës që del nga furra e Xhevatit,
dhe një përshëndetje të vjetër që nuk ka nevojë për ta ftilluar fill.
Këtu njerëzit njihen edhe nga mënyra si heshtin,
nga një lëvizje koke, nga një buzëqeshje e lënë përgjysmë nga pritja,
nga ajo fjali e zakonshme:
„Ime, t'lyn, tu baft' dita!“
Elbasani është një kuvend që vazhdon në rrugë,
një filxhan kafeje që ftohet, sepse fjala mbetet e zgjatur,
një dritare ku dikush pret dikë si trokamë nga zemra
dhe një portë që mbetet paksa e hapur, tej të gjitha zgjimeve,
sikur shtëpia të mos ketë vendosur ende nëse duhet të jetë brenda,
apo jashtë kujtimeve.
Në Kala, koha nuk ecën si në qytetet e tjera.
Ajo ndalet te një prag, prek një mur,
vështron hijen e Rrapit të Bezistanit dhe vazhdon ngadalë.
Atje edhe gurët kanë diçka për të thënë,
por nuk flasin me zë të lartë, por me nur,
se kanë mësuar prej shekujsh që historia nuk ka gjithmonë nevojë për dëshmitarë.
Diku, në një oborr të vjetër, një shegë hapet si një zemër e kuqe, mbi një mbulesë të zezë
një nënë thërret fëmijën nga porta, ndërsa Myzyri rregullon telat e violinës
sikur të ishin sende të mbetura mbi tryezë.
Dhe unë mendoj se qytetet nuk janë ndërtesat, por njerëzit që ua dinë emrat hijeve tinës.
Elbasani ka edhe një pjesë të padukshme. Ajo vjen me mua edhe kur largohem,
kalon kufij, detëra, stacione, aeroporte, më pret në një cep të mendimit, atje ku shkruaj,
dhe nuk më pyet kurrë pse u vonova. Ndoshta kjo është arsyeja
që asnjë largësi nuk arrin të më bëjë të huaj.
Shkumbini e di këtë më mirë se unë. Ai merr me vete guralecë, re dhe stinë,
por nuk e merr dot qytetin. Elbasani nuk është vetëm aty ku rrjedh lumi larg,
është edhe aty ku njeriu kthehet me mendje,
kur rruga e jetës e ka çuar larg.
Dhe kur bie mbrëmja, kur dritat nisin të vizatojnë një qytet tjetër mbi të njëjtin qytet,
unë nuk kërkoj asgjë të jashtëzakonshme. Më mjafton të dëgjoj një zë elbasanas,
të ndiej atë ngrohtësinë e fjalës, të shoh një fytyrë që më njeh pa pyetur se kush flet.
Elbasani është një pjesë e imja që ka mbetur atje,
një pjesë që nuk plaket, nuk ndërron adresë,
nuk kërkon të duket në fotografi
Elbasani im është vendi ku edhe pluhuri tenton të të zbukuroj,
ku edhe kujtimi ka një shtëpi, një nënkresë dhe një shtrojë pa skaj,
ku largësia bëhet rrugë kthimi dhe ku zemra, sado të udhëtojë,
e di gjithmonë se në cilën anë të botës i ka lënë çelësat e saj.








Comments