Fatmir Terziu: O shtet… kur do të vish në kthjelltësi?
- Apr 19
- 4 min read

O shtet… kur do të vish në kthjelltësi?
Pak ditë më parë u mbyll Samiti i Diasporës në Tiranë, një ngjarje që solli sërish në vëmendje marrëdhënien mes shtetit dhe bijve të tij të shpërndarë nëpër botë, por edhe njëherazi la pas hijen e zakonshme të reflektimit: sa reale është kjo vëmendje dhe sa e qëndrueshme është ajo përtej skenave, fjalimeve dhe premtimeve? Sepse, ndërsa diaspora përmendet shpesh si një pasuri kombëtare, një tjetër pasuri, më e heshtur, më e thellë dhe më pak e dukshme, vijon të mbetet në harresë: ata njerëz që një jetë të tërë ia kanë kushtuar këtij vendi dhe që sot, në moshën e tyre të thyer, duket sikur nuk ekzistojnë më për institucionet që dikur i shërbyen.
Në këtë heshtje të rëndë, një emër ngrihet si dëshmi e gjallë e përkushtimit të gjatë dhe të pandërprerë: Prof. Dr. Eshref Ymeri. I lindur në Mesaplik, në një familje me tradita të thella patriotike, ai nuk është thjesht një përkthyes apo studiues, por një përfaqësues i atij brezi që e ndërtoi jetën mbi themelet e dijes dhe të ndërgjegjes kombëtare. I ati, Hasan Ymeri, veteran i Luftës së Vlorës dhe i dekoruar për trimëri, i la trashëgim jo vetëm emrin, por edhe një ndjenjë detyrimi ndaj atdheut, një ndjenjë që nuk u shua kurrë, por u shndërrua në një udhërrëfyes të qartë për jetën dhe veprën e tij.
Rruga e tij arsimore nisi në fshatin e lindjes dhe vijoi me përkushtim në çdo hap, deri në përfundimin me rezultate të shkëlqyera të gjimnazit “Ali Demi” në Vlorë, çka i hapi dyert për studime në Leningrad për gjuhën ruse. Ndërprerja e marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Bashkimit Sovjetik e detyroi të kthehej në atdhe, por kjo nuk e ndali aspak rrugëtimin e tij. Ai vazhdoi studimet në Universitetin e Tiranës dhe më pas u bë pjesë e jetës akademike si pedagog, duke dhënë një kontribut të vyer në formimin e brezave të rinj dhe në zhvillimin e studimeve gjuhësore. Për dekada me radhë, ai punoi si studiues, përkthyes dhe drejtues redaksish, duke qenë pjesë aktive e jetës intelektuale shqiptare në periudha të ndryshme historike.
Por ajo që e bën figurën e tij të veçantë nuk është vetëm prania në këto role, por thellësia dhe qëndrueshmëria e kontributit të tij. Në një kohë kur shumëkush do të ishte tërhequr në qetësinë e pensionit, ai ndërmori një punë kolosale: hartimin e fjalorëve frazeologjikë dygjuhësh. Dyzet vite punë për një vepër të vetme nuk janë thjesht një shifër, por një dëshmi e rrallë e përkushtimit dhe e disiplinës shkencore. Fjalori frazeologjik rusisht-shqip dhe më pas ai anglisht-shqip, me dhjetëra mijëra shprehje, përbëjnë sot një nga arritjet më të mëdha në fushën e leksikografisë shqiptare. Këto vepra nuk janë vetëm mjete ndihmëse për studiuesit dhe përkthyesit, por janë ura të fuqishme komunikimi mes gjuhëve dhe kulturave, janë pasqyra ku reflektohet jo vetëm struktura e gjuhës, por edhe shpirti i popujve.
Dhe megjithatë, përballë këtij kontributi madhor, lind një pyetje që nuk mund të shmanget: pse një punë e tillë nuk gjen vëmendjen e merituar në vendin e vet? Si është e mundur që një shtëpi botuese në Gjermani të vlerësojë dhe të botojë këto vepra, ndërsa institucionet shkencore dhe kulturore shqiptare mbeten në një heshtje të pakuptimtë? Kjo nuk është më një çështje rastësie apo mungese informacioni; kjo është një simptomë e një sistemi që shpesh nuk di të njohë dhe të mbështesë vlerat e veta.
Por Prof. Dr. Eshref Ymeri nuk është vetëm një studiues i përkushtuar. Ai është edhe një zë i fortë në mbrojtje të çështjeve kombëtare, një intelektual që nuk ka zgjedhur heshtjen përballë problematikave të ndjeshme. Në shkrimet e tij ai ka trajtuar çështje të identitetit, të kulturës, të historisë dhe të politikës, duke mbajtur një qëndrim të qartë dhe të palëkundur. Ai vetë e ka shprehur se nuk mund të heshtë për problemet kardinale të kombit, dhe kjo e bën figurën e tij jo vetëm të rëndësishme, por edhe të domosdoshme në një kohë kur shpesh mungon guximi për të thënë të vërtetën.
Dhe pikërisht këtu qëndron paradoksi: ata që japin më shumë, shpesh marrin më pak vëmendje; ata që flasin me ndërgjegje, shpesh lihen jashtë vëmendjes zyrtare. Por një komb nuk ndërtohet mbi rehati dhe kompromis me të vërtetën; ai ndërtohet mbi sakrificë, mbi dije dhe mbi guxim.
Koha, ndërkohë, nuk ndalet. Një ditë, këta njerëz do të largohen dhe do të mbetet vetëm kujtimi i tyre, shpesh i përmendur me vonesë dhe me keqardhje. Por nderimi i vërtetë nuk bëhet pas ikjes; ai bëhet në kohë, kur fjala e mirë dhe vlerësimi kanë ende peshë dhe kuptim. Brezat që vijnë kanë nevojë për modele të gjalla, për figura që dëshmojnë se përkushtimi ndaj dijes dhe atdheut nuk është një slogan, por një rrugë e gjatë dhe e vështirë.
Prandaj pyetja mbetet dhe rëndon më shumë se çdo herë: o shtet, kur do të vish në kthjelltësi? Kur do të kuptosh se vlerat nuk janë aty ku bëhet më shumë zhurmë, por aty ku punohet në heshtje? Kur do të kthesh sytë nga ata që kanë ndërtuar themelet e dijes dhe të kulturës shqiptare? Sepse një shtet që nuk di të vlerësojë mendjen dhe kontributin e njerëzve të tij më të mirë, rrezikon të mbetet pa të ardhme, ndërsa një komb që harron bijtë e vet më të devotshëm, rrezikon të humbasë vetveten.








Comments