Fatmir Terziu: Nofka
- 2 minutes ago
- 3 min read

Nofka
Tregim
Baba u ngrit herët, para se të zgjohej drita. Nuk e dinte nëse e kishte zgjuar gjumi, apo heshtja. Hapi derën ngadalë dhe pa qiellin. Ishte i mbushur me re të ulëta, aq të dendura sa dukej sikur mbështeteshin mbi çatitë. Pastaj uli sytë në tokë. Gjithçka ishte lagur. Gjethet, gurët, gardhet, pullazet, madje edhe qentë rrinin me bishtin e qullur. Vetëm bahçja e tij ishte krejt e thatë. Fshiu sytë. Jo. Nuk ishte mashtrim. I fërkoi edhe njëherë. Asnjë pikë. Një copë tokë e thatë, e vetmuar, në mes të një bote që kishte pirë ujë papushim. Ai nuk u habit. Habia ishte lodhur prej kohësh duke trokitur te njerëzit. Vetëm u ul në një stol dhe priti. Nuk dihej çfarë. Pas pak dëgjoi zhurmë. Kur ngriti kokën, pa se bahçja ishte rrethuar nga mijëra njerëz. Nuk kishin fytyra të ndryshme, kishin të njëjtën fytyrë që përsëritej pafund, si pasqyra përballë pasqyrës. Nuk mbanin flamuj. Mbanin gishtin tregues.
- Largohu! - bërtitën njëherësh.
- Pse?
- Sepse për sa kohë je këtu, nuk bie shi.
Ai pa përsëri qiellin. Retë vazhdonin të lëviznin, por dukej sikur shmangnin vetëm atë copë toke.
- Unë nuk e ndal shiun.
- Pikërisht këtë do të thoshte dikush që e ndal.
Ai uli kokën. Ndoshta kishin të drejtë. Ndoshta jo. Nuk kishte rëndësi. Kur arsyeja lodhet, akuza bëhet më e lirë. Atëherë Baba thirri njerëzit e tij. Nuk ishin ushtarë të zakonshëm. Ishin gjuhëtarë të zemëruar, poetë të papunë, komentues të pangopur, analistë të çdo dere dhe specialistë të fyerjes publike. I rreshtoi në heshtje.
- Detyra juaj është e shenjtë, - tha. - Gjeni një nofkë për secilin prej tyre.
Ata u nisën menjëherë. Dikush solli një thes me sharje të vjetra. Një tjetër hapi Fjalorin e Gjuhës Shqipe dhe filloi ta lexonte mbrapsht, me shpresën se sharjet lindnin më mirë nga fundi. Tjetri krijonte fjalë të reja duke bashkuar dy të vjetra. Një plak kujtonte sharjet e gjyshit. Një djalë shpikte të nesërmet. Punuan ditë. Punuan net. Punuan edhe kur nuk kishte më kohë. Por turma shtohej. Për çdo nofkë të shpikur lindnin dhjetë fytyra të reja. Për çdo sharje, njëqind njerëz ndiheshin të përfshirë. Fjalët filluan të mbaronin. Pastaj u mbaruan edhe tingujt. Dikush propozoi të shanin me numra. Dikush tjetër me ngjyra. Njëri filloi të fyente vetëm me presje. Një tjetër vetëm me heshtje. Por turma nuk ngopej. Kërkonte një emër. Vetëm një. Një nofkë që t’i përmbledhte të gjithë.
Baba priste. Edhe qielli priste. Edhe toka. Edhe shiu dukej sikur kishte hyrë në grevë. Më në fund u kthye komandanti i ushtrisë. I lodhur. Me flokë të bardha, ndonëse ishte nisur i zi.
- E gjetët? - pyeti Baba.
Komandanti uli kokën.
- Jo.
- Pse?
- Sepse ata ndryshojnë më shpejt se fjalët.
Ra heshtje. Një heshtje aq e gjatë, sa edhe retë harruan të lëviznin. Atëherë një fëmijë, që askush nuk e kishte vënë re deri atë çast, pyeti: - Po sikur të mos kenë nevojë për nofkë?
Turma u trazua. Ushtarët u hutuan. Gjuhëtarët mbyllën fjalorët. Poetët grisën metaforat. Komentuesit heshtën për herë të parë, sepse e kuptuan se njeriu që kërkon me çdo kusht t’i vërë emër tjetrit, shpesh ka humbur emrin e vet.
Në atë çast ra një pikë shiu. Pastaj një tjetër. Dhe, për çudi, u lag vetëmturma. Bahçja e Babës mbeti e thatë. Dhe filloi të kërkonte një nofkë edhe për shiun. Duke gjetur nofkën për të shpëtuar kokën…








Comments