top of page

Fatmir Terziu: Një letër nga viti 2008, besimi si formë e komunikimit letrar

  • 1 hour ago
  • 10 min read

Një letër nga viti 2008, besimi si formë e komunikimit letrar

 

Dokumentet letrare që nuk kanë nevojë të jenë të bujshme për të fituar rëndësi, mjafton të mbajnë brenda tyre gjurmën e një kohe, të një marrëdhënieje krijuese dhe të një besimi të dhënë. Një e tillë është edhe letra që poetja Iliriana Sulkuqi më dërgonte në vitin 2008, së bashku me dy shkrime të saj, duke më lënë në dorë mundësinë për t’i botuar në „Fjala e Lirë“, Londër. Në atë kohë, kjo nuk ishte vetëm një praktikë e zakonshme e komunikimit mes autorit dhe botuesit. Ishte një mënyrë për t’ia besuar një tekst dikujt përpara se ai të hynte në hapësirën publike.

“Po të nis dy shkrime të miat, nëse e sheh të arsyeshme, t’i botosh tek Fjala e Lirë”, shkruante ajo. Pastaj vinte një sqarim që sot merr një peshë të veçantë: “Nuk i kam hedhur në internet.” Ishte viti 2008. Interneti shqiptar ende nuk kishte marrë përmasat e sotme dhe publikimi digjital nuk ishte bërë mekanizmi i menjëhershëm i shpërndarjes së tekstit. Shkrimtari ende mund ta mbante një tekst në dorëshkrim, në një libër në proces, në një dosje personale, dhe ta dërgonte me besim tek një hapësirë botimi që e konsideronte të përshtatshme.

Kjo letër, e parë nga distanca e vitit 2026, mund të lexohet edhe si një fragment i vogël i historisë së letërsisë shqiptare në diasporë. Ajo dëshmon një kohë kur marrëdhënia mes autorit dhe hapësirës së botimit ndërtohej përmes një komunikimi më të drejtpërdrejtë, më njerëzor dhe, në njëfarë mënyre, më intim. Fjala e shkruar nuk qarkullonte ende me shpejtësinë e sotme; ajo kalonte nga dora në dorë, nga besimi në besim.

Dy tekstet që Iliriana Sulkuqi më dërgoi — Shën dashuritë dhe Çmimi — janë, në këtë kuptim, më shumë se krijime letrare të një momenti. Ato janë edhe dëshmi të një bote të brendshme ku dashuria, vetmia, kujtesa, nëna, fëmijët, qyteti dhe poezia ndërthuren në një rrjet emocional që e tejkalon rastin konkret.

Në Shën dashuritë, festa e Shën Valentinit zhvendoset nga simbolika romantike drejt një hapësire të dhimbshme njerëzore. Autorja e vendos “festën e dashurisë” përballë të braktisurve, fëmijëve pa përkujdesjen e prindërve dhe vetmisë së individit. Kështu, dashuria nuk mbetet një dekor festiv; ajo bëhet provë morale. Sa më shumë që shoqëria feston dashurinë, aq më e dukshme bëhet mungesa e saj aty ku ajo duhet të ishte më e domosdoshme.

Ky është edhe paradoksi më i bukur i tekstit, festa e dashurisë zbulohet përmes atyre që janë të privuar prej saj. Personazhi rrëfimtar del nga vetmia e vet dhe shkon drejt fëmijëve të braktisur. Në këtë lëvizje ndodh edhe një ndryshim i këndvështrimit. Ajo nuk është më thjesht një grua që kujton një festë; bëhet një dëshmitare e mungesës së dashurisë. Dhe pikërisht aty, në këtë përplasje mes festës dhe mungesës, lind dimensioni etik i rrëfimit.

Në Çmimi, ndërkaq, poezia hyn në një tjetër marrëdhënie me jetën. Çmimi letrar, që në pamje të parë duhet të ishte një moment triumfi, ndërpritet nga shqetësimi për nënën. Telefonata që nuk lidhet, prefiksi i ndryshuar i celularit, shiu, poezia, çmimi dhe kujtesa familjare krijojnë një tension ku suksesi publik dhe ankthi privat bashkëjetojnë. Kjo është një nga karakteristikat më njerëzore të shkrimit të Sulkuqit, çmimi nuk arrin ta pushtojë të gjithë hapësirën e emocionit. Në momentin kur autorja merr vlerësimin për “krijimtarinë më të bukur për dashurinë”, mendimi i saj shkon te nëna. Letërsia dhe jeta nuk qëndrojnë në dy anë të ndara. Çmimi është aty, por edhe frika është aty. Duart mbajnë diplomën, ndërsa mendja kërkon një lidhje telefonike.

Prandaj, sot, kur e rilexoj atë letër të vitit 2008, më duket se dokumenti ka fituar një kuptim të dytë. Në atë kohë ishte një komunikim i thjeshtë mes dy njerëzve të lidhur me letërsinë. Sot është një copëz arkivi. Është gjurmë e një kohe kur tekstet kishin ende një periudhë pritjeje përpara se të bëheshin publike, kur autori mund të thoshte: “Nuk e kam hedhur në internet”, dhe kjo fjali të kishte peshë.

Në këtë aspekt, Fjala e Lirë nuk ishte vetëm një faqe ku botohej një tekst. Ajo ishte një ndërmjetësim mes autorit dhe lexuesit, një hapësirë ku krijimtaria shqiptare e shpërndarë gjeografikisht mund të gjente një pikëtakim. Autorë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, diaspora dhe hapësira të tjera shqiptare mund të komunikonin përmes një infrastrukture të re letrare, e cila po lindte krahas zhvillimit të internetit.

Dhe ndoshta këtu qëndron rëndësia e vërtetë e një letre të tillë. Ajo nuk na tregon vetëm çfarë shkruante një poete. Na tregon si besohej një tekst, si qarkullonte ai, kujt i besohej përpara botimit dhe si ndërtohej një komunitet letrar në një periudhë kalimtare.

Sot kemi një bollëk publikimesh. Teksti mund të shfaqet brenda sekondash dhe të humbasë po aq shpejt në rrjedhën e pafundme të informacionit. Në vitin 2008, një tekst i pabotuar ende kishte një lloj heshtjeje rreth vetes. Ai priste. Dhe pikërisht kjo pritje i jepte vlerë marrëdhënies mes autorit dhe botuesit.

Letra e Iliriana Sulkuqit është, pra, edhe një dokument i besimit letrar. Ajo më kujton se historia e një reviste, e një gazete apo e një platforme letrare nuk shkruhet vetëm nga tekstet që janë botuar. Shkruhet edhe nga letrat e autorëve, nga dorëshkrimet e pabotuara, nga besimet e dhëna në heshtje dhe nga marrëdhëniet njerëzore që i paraprijnë publikimit.

Pas kaq vitesh, ajo fjali e thjeshtë, “nëse e sheh të arsyeshme, t’i botosh”, tingëllon si një formulë e një etike të tërë letrare: autori krijon, redaktori gjykon, botimi dëshmon, ndërsa koha vendos vlerën e kujtesës.

Dhe sot, kur ky dokument rikthehet në vëmendje, ai nuk është më vetëm një letër e vjetër. Është një dëshmi e vogël, por e çmuar, e një kohe kur letërsia shqiptare po mësonte të kalonte nga faqja e shtypur në hapësirën digjitale, pa humbur ende atë që e bënte marrëdhënien letrare njerëzore: besimin.

 

Komunikimi:

 

I dashur Fatmir,

Po të nis dy shkrime të mijat. Nëse e sheh të arsyeshme, t’i botosh tek “Fjala e Lirë”. Nuk i kam hedhur në internet. I kam nga libri me tregime, ese, skica… “Top sekret”, që kam në proces. As në blogun tim nuk i kam vendosur.

Përqafime,

Iliriana

 

 

ILIRIANA SULKUQI

Brooklyn   29 janar 2006

 

Shën dashuritë                         

- Epilog -

E BUKURA QË VRET MË SHUMË…

 

Të gjitha festat janë të bukura. Kanë të veçantën e vet, domethënien, tisin e virgjër të lindjes së tyre. Por , ashtu si mëngjesi vjen para mesditës, si fjala vjen më parë se një këngë, si nëna para kujtdo në botë, edhe një festë mund të jetë në krye të të tjerave, si princeshë e pakurorëzuar.

            Shën Valentini, më e ndjeshmja, më e prekshmja, më e dhimbshmja…

 Se ç’ka një gjë biblike brenda vetes kjo festë!  Ndoshta, ngaqë i afron njerëzit më shumë me veten e tyre, ndoshta i bën ata  të kujtojnë Atë , që çdo sekondë e kanë pranë dhe nuk kanë sy e veshë ta shohin e ta dëgjojnë. Se ç’ka një pushtet të çuditshëm kjo festë! I bën të gjithë , të mirë e të liq, të mençur dhe të marrë, të pasur e të varfër, të vdekur e të gjallë - të jenë të barabartë, të paktën, para një dite-mit- SHën DASHURISE…

 

1.      ME  TE  BRAKTISURIT…

 

Dija vetëm se ishte muaji shkurt. Se kishim disa ditë që kishim hyrë në ditët e tij të ftohta deri në ngrirje. Se kisha ditë që vishja dy palë çorape e dy-tri bluza njera mbi tjetrën. Se kisha net që s’më ngrohte         as velenca e dërstilur, as kaloriferi. Se kishte net që po më rrëgjohej trupi, duke mbajtur këmbët mbledhur, aq sa gjunjët më ciknin në mesin e barkut. Kaq dija. Aha, harrova të them që isha vetëm, fare vetëm, në shtëpinë apo strehën me qera, ku muret më të akullta se akulli dhe shtretët bosh të pjesëtarëve të familjes, mërguar larg edhe vetë vetes, m’i shkurtonin orët më shumë se shkurti ditët e veta,. Shkurt kaq dija. Nuk dija se ç’ditë e çdatë ishte…

            Një zile telefoni. Më pas një mesazh. Përsëri një “cërrrr…”, sërish një tjetër…

            Mesazhe dhe urime nga larg dhe afër. Më uronin një datë-ditë të Shenjti. Kërkova falje te Zoti e te dita e Shën-it. Kërkova falje te gjysma e vetes sime tepër të kujdesëshme dhe shava gjysmën tjetër të ngrirë.

Nxitimthi u vesha., ashtu, siç vishesha njëherë e një kohë për “alarm luftarak”, ashtu siç ngrihesha vetëtimë, kur dëgjoja një kollë të lehtë të fëmijëve të mi,; më pas rënkimin e herë pas hershëm të nënës dhe sot për fëmijët e vajzës, që edhe pa u kollitur, më lenë pa gjumë…

Dola. Era e ngrirë e shkurtit më shkundi nga harresa dhe më freskoi pak sytë, djegur nga lotët pa kthim të natës...

            Thuajse somnambul u ndodha në pikë-vend-takimin e një, jo, dy telefonatave…

            Në pikëtakimin e parë m’u dhurua një libër dhe një hark degëze prej një luleje disi të veçantë, e cila me muaj të tëra nuk  u zverdh që nuk u zverdh…Librin, o Zot, e lexova brenda natës, me një të mijtën e frymëmarrjes, duke nxjerrë këmbët herë pas here nga velenca, duke i shtrirë deri te personazhet e tij…

            Në vendtakimin e dytë. Me miken time kolege apo sivajzën time.  Me mesazhieren e parë të asaj dite të shenjtë.

            Një përqafim i urimtë…Një çaj, një birrë; përkujdesje e përkushtim, gjithsesi për të më plotësuar të munguarit…

            Para syve tona ( bar-kafeja ishte ndanë bulevardit kryesor të kryeqytetit), buqeta-buqeta lulë-viznin njerëzit. Të gjitha moshat. Në të njejtin drejtim…Drejt një gjelbërimi pranë kaltërsisë së liqenit artificial…

            -Ku do të shkosh sot?- më pyti mikesha teksa isha përhumbur nga bulevardi.

            -Nuk e di.

-Eja me mua!..

Jo, jo…Po ti?

            -Do të dal me familjen. Eh, ditë feste!…

-Festë? Ç’festë, moj zemra ime!...

            U përqafuam dhe u ndamë duke marrë dashurinë e monologun e njera – tjetrës.

Pa bërë akoma dy hapa në drejtim të kundërt me sivajzën time, pa kuptuar ende “Festën“ e kësaj turme që mbushte bulevardin, që  ngjante më shumë  me një ditë karnavalesh, marrëzia e marrëzisë sime më çoi drejt shenjtërisë njerëzore.

Nuk kisha ecur ndonjëherë me hap aq të sigurt, sa ato pak minuta, drejt një ndërtese të vogël e të madhe, me një emër simbol, të dukshëm: “Shtëpia e fëmijëve…”

-Erdha të marr disa fëmijë…Për shetitje. Disa nga ato të braktisurit nga dashuria…

-(???!!!) Njihni ndonjë?

-Po. Të gjithë. Po sot do të marr disa, nga ato më të rriturit këtu.

-…?!

U futa mes tyre. Si ato. Po aq e vogël, po aq e pafajshme, por shumë fajtore për brezat para meje, baraz-meje.

 Sakaq nxitonim hapat drejt vorbullës marramendëse të turmës, në të njejtin drejtim.

Fluturoja me krahë të prerë.

Cicërima. Vetëm cicërima. Jo nga zogjtë, jo. (Ato kushedi në ç’pyllë të bukur Myzyri-an këndonin sinfoninë e tyre të parajsës…).Cicërima celularësh…Nga larg, nga afër…Nga zemra e shpirtra. Kor “Nabukodonosov”( Ngrihuni ju, o të dashuruar…)

Të gjithë me fëmijë për dore, me burrin apo gruan në krah, me prindër apo teze, halla, nipër stërnipër…, duke mezimbajtur çanta ( sigurisht nga rëndesa e ushqimeve, piknik hesapi). Njera dorë u ngrinte në vesh duke shtrënguar celularin…

Edhe unë i shtrëngoja duart fort, fort, me doçkat e fëmijëve dashurorë, me të pafatët e me engjëllorët…

-1 Maji është sot, teta?- më zgjoi nga marramendja Genti, duke më tundur dorën…

Nuk u trondita. Madje edhe vetë e kisha humbur nocionin kohë.

Jo, jo Genti…Është shkurt. 14 Shkurt. Festë nga më të bukurat, ja ashtu, si Maji, si Shën Maji. (Këtë të fundit e thashë nëpër dhëmbë, si për t’ia thënë më shumë vetes…)

Akoma më e vogël, m’u duk vetja para këtij fëmije…Vërtetë. Po 14 Shkurti?… Po Shën Dashuria?…Mos është në drejtim të paditur, andej nga vinin sinjale celularësh?!..

Festë-arnë, festë e padeshifruar…

Putha shën- fëmijët dhe dënova lotët në kasën e shpirtit tim.

 

2.                     Ç M I M I

 

Ishim atje, në qytetin që, njëherë e një kohë, ia kishim zili gjithçka: Rrugët dhe ulicat e pastra e të lagura, a thua vesa e gjithë hapësirës qiellore binte natë e ditë veç atje; mollët  starking e dardhat që, me një të kafshuar, të mbushnin gojën gjithë lëng; birrën, konjakun dhe glikotë, petanikun dhe turshitë, siodomos, piperkat e mbushura me gjizë….Ca më shumë, vajzat e bukura e të guximshme që shetisnin në bulevard “pa lejen e mamasë”. Ishim atje, ku njerëzia këndonte serenata (të kish mundësi edhe në raste vdekjesh do ta vazhdonin ritin e tyre magjik). Pra -atje, ku dashuria ndjehej, këndohej dhe bëhej. Madje atje kam fshehur puthjen time të parë, në cepin e një kishe të vjetër dhe shumë të dëgjuar, nga më të mëdhatë, por që në kohën time, ishte kthyer në një depo grumbullimi…

            Ishin ditët poetike ballkanike, që sofrën e magjisë së poezisë e kishin shtruar pikërisht në qytetin e dashurive.

            Rigonte shi…

Për dreq, nuk hyja në  valë me nënën time. E kisha lënë sëmurë. Ah, këta celularët!…Ku ta dija, se pikërisht atë ditë AMC-ja kishte ndërruar prefiksin e saj.

            Me ec-e-jaket nëpër verandën e hotelit, formoja papushim numurin…Dëgjoheshin tinguj muzike ngjizur me vargje. Veprimtaria ishte në kulmin e saj. Doemos , nata e fundit, ndaheshin çmimet.

            “O Zot, nëna ime nuk do të flerë sonte nga meraku…” Futa dorën instiktivisht në xhepin e pantallonave, si për t’u mbajtur te vetja ime. U kujtova që isha akoma me xhinse. Eh, punë e madhe, vetëm të flas në telefon! Ndeza një cigare dhe nxirrja tymin duke ngritur fytyrën lart. Asnjëherë nuk më kishte përkëdhelur aq mrekullisht shiu…

-Ç’bën këtu, eja shpejt brenda! Të doli emri…

As rrufeja nuk do të më kishte goditur aq  shpejt, sa fjalët e shokut tim poet…

E hutuar (ç’them), krejt e shushatur, si një pulë që ka harruar kotecin e saj dhe budallçka, nuk di të gjejë as strehëz për t’u mbrojtur nga shiu, hyj në sallë. Dridhesha e tëra. Nuk e di përse. Vetëm nga shiu i imët dhe i butë, jam e sigurt që jo.(Kur ke dalë nga deti i shkumëzuar ç’do të të bëjë më tepër shiu?…)

Duke harruar pamjen time të jashtme ( ku të gjithë , si vetë poezia, shkëlqenin edhe  në metaforën e veshjes…), sipas shenjave që më bëjnë, shkoj në krye të sallës…(Nuk kanë faj nganjëherë që ne poetëve na bëjnë të çmendur…).

-Urime për çmimin…Keni gjë për të thënë…?

Salla poetike apo e poetëve, brenda sekondës m’u rrotullua si Toka rreth Diellit, ose si unë rreth nënës sime…

            Recitova aty për aty një poezi të shkurtër, fare të shkurtër, sa një belbëzim,si vetë jeta, sa vetë sekondat e befasisë…

            Përsëri jashtë…Përsëri pak shi…Përsëri nuk u lidha me nënën…

            Diploma e çmimit, për krijimtarinë më të bukur për dashurinë,  dridhej nëpër duar, si gjethëzë e njomë pranvere…

            Brenda, të gjithë kishin filluar të këndonin një nga serenatat më të bukura…”Ilaçet nuk më bëjnë gjë,/ s’më shërojnë plagët-ë…”

 

 

Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page