top of page

Fatmir Terziu: Mjeku dhe kirurgu ORL, Mina Kallajxhiu – vlerë e madhe elbasanase dhe e mjekësisë shqiptare 

ree

Mjeku dhe kirurgu ORL, Mina Kallajxhiu – vlerë e madhe elbasanase dhe e mjekësisë shqiptare

 

Në rrjedhën ekzistenciale të mjekësisë shqiptare, veçanërisht në atë të qytetit të Elbasanit, emri i mjekut dhe kirurgut ORL Mina Kallajxhiu zë një vend të veçantë. Me përgatitje të thellë akademike, përvojë të konsoliduar klinike dhe një përkushtim shembullor ndaj pacientit, ai është shndërruar në një figurë referuese për diagnostikimin dhe trajtimin e patologjive të veshit, hundës dhe fytit. Në Elbasan, emri i tij është bërë sinonim i kompetencës, sigurisë profesionale dhe etikës mjekësore.

Dr. Mina Kallajxhiu përfaqëson modelin e mjekut që ndërton autoritetin jo përmes zhurmës apo reklamës, por përmes punës së përditshme, dijeve të përditësuara dhe korrektesës profesionale. Ai është një nga ata mjekë që fiton besimin e pacientëve në momentet më kritike, duke u shndërruar në një pikë të sigurt referimi në sistemin shëndetësor të qytetit dhe më gjerë. Ndërhyrjet e tij kirurgjikale, të kryera me saktësi dhe përgjegjësi, janë dëshmi e nivelit të lartë profesional që ai përfaqëson.

Vlera e tij si mjek lidhet edhe me formimin e tij njerëzor dhe kulturor. Dr. Mina Kallajxhiu është pinjoll i një familjeje emërmadhe elbasanase, ku arsimi, dija dhe shërbimi ndaj shoqërisë kanë qenë gjithmonë vlera themelore. Babai i tij, Grigor Mina Kallajxhiu, është një figurë e shquar e arsimit shqiptar, një arsimtar me kontribute të spikatura si drejtues, studiues, hulumtues dhe mësues. I karakterizuar nga ndërgjegje e lartë, pasion, korrektesë dhe përkushtim në punë, Grigor Mina Kallajxhiu ka lënë gjurmë të thella veçanërisht në drejtimin e shkollës pedagogjike të Elbasanit, duke krijuar një trashëgimi që sot admirohet dhe respektohet.

Ky formim familjar, i ndërtuar mbi vlera të forta morale dhe intelektuale, reflektohet qartësisht në personalitetin profesional të Dr. Mina Kallajxhiut. Ai është shembulli i vazhdimësisë së një tradite shërbimi ndaj shoqërisë, ku arsimi dhe mjekësia bashkohen në misionin fisnik të ndihmës ndaj njeriut. Profesionalizmi i tij shfaqet qartë edhe në situata emergjente, ku vendimmarrja e shpejtë dhe kompetenca mjekësore janë jetike. Një rast domethënës është ai që më ndodhi mua, gjatë një takimi letrar në Sarandë, ku pësova një gjakderdhje të fortë nga hunda (epistaksis). Pas përpjekjeve të pasuksesshme për ta ndalur gjakderdhjen në spitale të tjera, ndalesa në Elbasan rezultoi vendimtare. Dr. Mina Kallajxhiu, në bashkëpunim me mjekun Fatos Xhangolli, realizoi menjëherë ndërhyrjen e nevojshme, duke ndaluar gjakderdhjen dhe duke shmangur komplikacione serioze.

Ndërhyrja e kryer ishte një procedurë standarde ORL e quajtur kauterizim, e cila përdoret për trajtimin e gjakderdhjeve të vazhdueshme nga hunda. Procedura konsiston në identifikimin e enës së gjakut të dëmtuar dhe mbylljen e saj përmes aplikimit të një agjenti kimik, si nitrat argjendi, ose përmes elektrokauterizimit. Me anestezi lokale, mjeku minimizon shqetësimin e pacientit dhe arrin qëllimin kryesor: mbylljen e enës së dëmtuar dhe ndalimin përfundimtar të gjakderdhjes. Edhe pse në gjuhën e përditshme përshkruhet si “saldim i venës”, në thelb kjo është një praktikë e saktë dhe e sigurt mjekësore, që kërkon përvojë dhe precizion.

Me këtë ndalesë të shkurtër, për një doktor që meriton të shkruhet pafundëisht, dua të evidentoj, se Dr. Mina Kallajxhiu është më shumë sesa një mjek i suksesshëm ORL. Ai është një vlerë e çmuar e Elbasanit dhe e mjekësisë shqiptare. Figura e tij përmbledh profesionalizmin, përkushtimin dhe trashëgiminë kulturore e familjare, duke e bërë atë një shembull frymëzues për brezat e rinj të mjekëve dhe një garanci besimi për pacientët që i drejtohen atij.

Jo më kot në Elbaan e më gjerë të thonë: “Dr. Mina Kallajxhiu është mishërim i mjekut profesionist që ndërton autoritetin mbi dije të qëndrueshme shkencore, përvojë të konsoliduar klinike dhe përgjegjësi të lartë etike. Me qetësi, saktësi dhe përkushtim ndaj pacientit, ai përfaqëson një vlerë të qëndrueshme të mjekësisë ORL, duke qenë një pikë referimi e besueshme për Elbasanin dhe për shëndetësinë shqiptare në tërësi.”

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page