top of page

Fatmir Terziu: Lupo, një emër që matematika nuk e llogariti dot, por e dashuroi Gjuha më e bukur në botë

  • 11 hours ago
  • 6 min read

Lupo, një emër që matematika nuk e llogariti dot, por e dashuroi Gjuha më e bukur në botë


Prof Dr Fatmir Terziu

 

Lajmi për ikjen nga kjo jetë të Prof. Dr. Albert Riskës nuk më erdhi si një lajm. Më erdhi si një zë i largët nga një kohë që mendova se nuk do të më thërriste më. Kjo sepse ndodh që miqtë nuk ikin në ditën kur mbyllin sytë. Ata nisin të ikin shumë më herët, copë-copë, nëpër kujtimet e atyre që i kanë njohur. Albert Riska ishte një prej tyre. Por sot, me ikjen e tij, kuptoj se një pjesë e rëndësishme e rinisë sime paska qenë e lidhur, pa e ditur unë, me praninë e tij.

E kam njohur që në ditën e parë të shkollës së mesme të përgjithshme “Dhaskal Todhri”. Ishte dita kur na ndanë në banka dyshe për të përcaktuar paralelet. Gjërat e mëdha të jetës nganjëherë nisin nga ngjarje fare të vogla. Ne do të bënim testin e parë në matematikë. Unë isha në një bankë me të. Kaloi profesoresha Zoja Bozgo pranë nesh dhe, që në fillim, na tha me atë habinë e saj të çiltër: “Ju të dy i keni mbaruar kaq shpejt?!” Pastaj erdhën me radhë Edmont Tela, drejtori Zeqir Sarja… por testi nuk ndryshoi fatin e askujt. Albert Riska doli i pari. Atë ditë kuptova diçka që më vonë do ta kuptoja shumë më mirë, ai nuk ishte vetëm një nxënës i mirë. Ishte talent. Talent edhe në matematikë. Talent edhe në letërsi. Herë pas here, hartimet e tij i lexonte para klasës profesoresha Xhuljeta Stringa. Dhe ne e dëgjonim. Ndoshta atëherë nuk e dinim se po shihnim fillimet e një njeriu që një ditë do të bëhej profesor, studiues, autor i librave shkencorë dhe një emër i rëndësishëm i gjuhësisë shqiptare.

Kujtim nga Aksioni në Dushk të Dumresë, ulur Fatmir Terziu, në këmbë Albert Riska... (Tre shoqet e klasës)
Kujtim nga Aksioni në Dushk të Dumresë, ulur Fatmir Terziu, në këmbë Albert Riska... (Tre shoqet e klasës)

Ai kishte lindur në Voskopojë, dhe kishte kaluar fëmijërinë atje, por mes nesh vinte nga Kosova e vogël e Belshit dhe, natyrisht, binte në sy. Kishte diçka të veçantë në pamjen, në mënyrën si sillej, në atë përzierjen e një talenti të hershëm me një lloj heshtjeje që nuk kërkonte leje për të qenë e pranishme. Në ato vite shfaqej në televizionin shtetëror filmi “Marko Viskonti”. Ne, siç bëjnë fëmijët, gjenim ngjashmëri kudo. Dhe Albertit i vumë një emër tjetër: Lupo. I ngjante njërit prej protagonistëve të filmit. Emri mbeti. “Lupo.” Sot, kur e kujtoj, më duket sikur ai emër i rinisë sonë ishte një mënyrë e pavetëdijshme për ta shpëtuar nga koha. Profesori Albert Riska mund të largohet nga kjo botë, por Lupoja i asaj banke të parë nuk largohet dot nga kujtesa ime.

E mbaj mend edhe më vonë, kur ishte mësues në fshat, derisa Prof. Dr. Mehmet Çeliku e mori si të jashtëm në Universitetin e Elbasanit. Ishte një nga ato dyert që hapen jo nga mëshira e dikujt, por sepse talenti, herët a vonë, e gjen vendin e vet. Në Universitetin e Elbasanit ai do të bënte emër krahas figurave të tjera të rëndësishme të dijes, pranë një prej emrave që unë e kam vlerësuar gjithmonë, Prof. Dr. Tomor Plangarica, pranë Prof. Ali Shashajt, Emine Sadikut dhe shumë të tjerëve. Më pas do të ishte edhe pranë Dr. Ruzhdi Stringës, mikut dhe kolegut tonë, i cili ndërroi jetë ndërsa jepte leksione të shqipes në Kinë.

Universitetet nuk maten vetëm me ndërtesat, laboratorët apo bibliotekat e tyre. Ato maten me njerëzit që kanë kaluar nëpër to dhe kanë lënë pas një mënyrë të menduari. Albert Riska ishte një prej atyre njerëzve. Në vitin 2009, me një vendim të Ministrit të Arsimit dhe Shkencës, u riktheva në Shqipëri për të dhënë leksione në Universitetin e Elbasanit. Aty e pashë Albertin ndryshe. Nuk ishte më Berti i dikurshëm. Jeta kishte marrë prej tij shumë gjëra. Koha kishte lënë shenjat e veta. Pija e kishte rënduar shumë. Dhe megjithatë, pas gjithë asaj që kishte ndodhur me njeriun, unë vazhdoja të shihja aty djalin e bankës së parë, atë që e kishte mbaruar testin e matematikës përpara të gjithëve, atë që shkruante hartime që profesoresha Xhuljeta Stringa i lexonte para klasës, atë djalin që ne e quajtëm Lupo pa e ditur se, vite më vonë, do të na duhej ta kërkonim pikërisht aty, në kujtesë, për ta gjetur përsëri.

Ndoshta ky është paradoksi më i madh i jetës. Njeriu ndryshon, por kujtimi e ruan në moshën kur e deshëm më shumë. Sot nuk dua ta kujtoj Albert Riskën vetëm si profesor, studiues, gjuhëtar, apo autor librash kërkimorë shkencorë. Këto janë titujt që ia jep institucioni. Unë dua ta kujtoj siç e njeh vetëm një dëshmitar i hershëm i jetës së tij, si djalin që u ul pranë meje në bankën e parë të shkollës së mesme dhe që, përpara se të dinim çfarë do të bëheshim ne vetë, kishte filluar tashmë të tregonte se çfarë mund të bëhej ai. Futbollistin model në minindeshjet tona sportive, krah Benit, Nait, Rudit, Tanit, Ardianit, Gëzimit e disa të tjerëve. Kjo është arsyeja pse humbja e tij më dhemb. Sepse nuk ka ikur vetëm një profesor i Universitetit të Elbasanit. Nuk ka ikur vetëm një studiues i gjuhësisë shqiptare. Nuk ka ikur vetëm autori i disa librave shkencorë. Ka ikur një dëshmitar i një pjese të jetës sime. Dhe ndoshta edhe i jetës së shumë të tjerëve. Por ka një gjë që vdekja nuk e merr dot, gjurmën e mendjes mbi mendjet e të tjerëve. Një profesor mund të mos jetë më në auditor, por një fjalë e tij vazhdon të jetojë në një student. Një studiues mund të mos jetë më në bibliotekë, por një ide e tij vazhdon të ecë nëpër një libër. Një mik mund të mos jetë më në tavolinën ku e takuam, por zëri i tij mund të mbetet përjetë në kujtesën tonë.

Prandaj sot, për Albert Riskën, nuk dua të them vetëm “Lamtumirë”. Dua të them: Faleminderit, Lupo. Faleminderit për atë bankë të parë. Faleminderit për atë test matematike.

Faleminderit për atë talent që e pamë përpara se ta kuptonim. Faleminderit për rrugën që bëre nga Kosova e vogël e Belshit deri në Universitetin e Elbasanit. Dhe faleminderit që, pa e ditur, më dhe një kujtim që sot është bërë më i fortë se vdekja. Sepse disa njerëz nuk maten me vitet që jetuan. Maten me kujtimet që lanë pas. Dhe Albert Riska, për mua, do të mbetet gjithmonë ai djalë i talentuar i bankës së parë, që e mbaroi testin para të gjithëve. Lupo nuk iku atë ditë.

Lupo vetëm u kthye në kujtim. U prehsh në paqe, Prof. Dr. Albert Riska. Kujtimi yt qoftë i gjatë sa rruga e dijes që le pas dhe i gjallë sa fjala që ti ia kushtove gjuhës.


KUSH ISHTE PROF DR ALBERT RISKA:

 

Albert Riska lindi më 8 shtator 1963. Studimet për Gjuhë-Letërsi i kreu në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” të Elbasanit, institucion me të cilin lidhi gjithë karrierën e tij akademike. Pas një përvoje të shkurtër si mësues, nisi punën si pedagog dhe për më shumë se tri dekada iu përkushtua mësimdhënies dhe kërkimit shkencor, veçanërisht në fushën e historisë së gjuhës shqipe. Në vitin 2004 fitoi gradën shkencore “Doktor i shkencave”, ndërsa në vitin 2013 mori titullin “Profesor i Asociuar”. Për afro dy dekada mbajti edhe detyra drejtuese në Universitetin e Elbasanit, ndërsa gjatë viteve 2016–2022 shërbeu si dekan i Fakultetit të Shkencave Humane.

Riska ishte gjithashtu sekretar i Këshillit Botues dhe redaktor i Buletinit Shkencor të Universitetit të Elbasanit, duke dhënë një kontribut të rëndësishëm edhe në promovimin dhe publikimin e kërkimit akademik. Një pjesë e rëndësishme e veprimtarisë së tij shkencore iu kushtua gjuhës arumune dhe marrëdhënieve arumuno-shqiptare. Këto studime u trajtuan edhe në monografinë “Arumunët - shënime për gjuhën dhe kulturën”, botuar në vitin 2005.

Me veprën “Shqipja dhe krishterimi” (2012), ai u përqendrua në historinë e leksikut të besimit dhe toponimisë, ndërsa studimet e tij mbi apofoninë u kurorëzuan me monografinë “Gjurmë të apofonisë indoevropiane në gjuhën shqipe”, botuar në vitin 2022. Krahas kërkimit shkencor dhe veprimtarisë akademike, Prof. Riska ishte bashkautor i teksteve shkollore, përkthyes dhe redaktor. Në vitin 2018 botoi “Shqipja e qeshur”, një vepër përmes së cilës solli një tjetër dimension të marrëdhënies së tij me gjuhën, duke ndërthurur humorin e hollë me vështrimin e studiuesit. Vepra e tij mbetet një trashëgimi e çmuar për gjuhësinë shqiptare dhe një kontribut që do të vijojë të jetë pjesë e studimeve mbi historinë, zhvillimin dhe pasurinë e gjuhës shqipe.

29 Comments


Agron Dauti
5 hours ago

Prof. Bravo për shkrimin e mikut dhe të ndjerit tuaj. Qoftë i gjehnetit.

Ta kujtoni gjithmonë për të mira.!

Like

Gezim Zaimi
6 hours ago

Fatmir te lumte dora Une kam qene shume afer me Bertin ne kohen e shkolles. Pas shume vitesh qe une isha larguar ne vitin 1998 e takova rastesisht per pak minuta e lame qe do te takoheshim prape por nuk ndodhi. Lamtumire shoku Ngushellime familjes

Like

Luljeta Cela
6 hours ago

Nje shkrim i ndjere e dinjitoz per nje personalitet që la gjurmë ne gjuhesine shqiptare. U prehtë ne paqe!

Like

Adri Ana Totolaku  
7 hours ago

Uau, sa shume mesova nga ky shkrim per jeten e ish pedagogut tim te nderuar. E kam njohur ne vitet kur pija e kish renduar por kjo nuk me ndaloi qe gjithsesi te kuptoja se prof. Berti ishte I talentuar dhe ishte ne vendin e duhur. Madje nese kishte nje njeri qe adhuronte gjuhen shqipe plot zjarr ishte ai. Kete u mundua te na e trasmetonte edhe neve. Madje, na mesoi te donim vetveten familjen dhe emrin. Cfare njeriu! Kam pasur fatin te jem nje nga studentet qe me vleresoi per punen time dhe deshiren per te mesuar, madje patem nje bashkepunim bashke lidhur me nje fjalor te gjuhes shqipe. Ishte me te vertete I rralle! Mbetet i paharruar per…

Like

Abdulla Arapi
8 hours ago

Shkrimet post mortore për miqtë tingëllojnë si balada...

Ngushëllime për të gjithë që e njohëm.

Qoftë I Parajsës !

Familja ta kujtojë nga përjetësia.....

Like

Shkrimet e fundit

bottom of page