Fatmir Terziu: Lulzim Shahinaj vlerësohet me titullin “Ambasador i Paqes”
- Prof Dr Fatmir Terziu
- 10 hours ago
- 2 min read

Lulzim Shahinaj vlerësohet me titullin “Ambasador i Paqes”
Në një atmosferë të ngrohtë, solemne dhe plot emocion, inxhinieri Lulzim Shahinaj, master në Sizmologji, është vlerësuar me titullin e nderuar “Ambasador i Paqes”, akorduar nga Federata e Paqes Universale – Këshilli i Paqes në Librazhd. Ky vlerësim përfaqëson jo vetëm një mirënjohje institucionale, por edhe një dëshmi publike për kontributin njerëzor, etik dhe shoqëror të një figure të respektuar në komunitet.
I propozuar për këtë titull nga regjisori i njohur Aqif Ademi, emri i Lulzim Shahinajt u prit me duartrokitje dhe ovacione të sinqerta në sallën e ceremonisë. Prania e familjes e bëri momentin edhe më domethënës: vëllai i tij, mësuesi dhe autori i disa librave Hasan Shahinaj, bashkëshortja Luljeta, fëmijët, nipërit e mbesat, si dhe motrat e tij, ishin aty për të ndarë një çast krenarie që kapërcente kufijtë personalë dhe shndërrohej në festë familjare e komunitare.

Drejtuesi i Federatës së Paqes Universale, gazetari sportiv Defrim Methasani, në fjalën e tij vlerësuese theksoi se ky titull nuk i përket vetëm individit, por edhe rrënjëve nga vjen ai. Ai u shpreh se e njeh prej kohësh familjen Shahinaj, duke nënvizuar se ajo përfaqëson një model qytetarie, ndershmërie dhe përkushtimi ndaj vlerave njerëzore. “Lulzim Shahinaj është shembull i qetësisë, urtësisë dhe drejtësisë – cilësi që e bëjnë paqen të dukshme në jetën e përditshme”, u shpreh Methasani.

Në këtë takim përshëndetës dhe vlerësues ishte i pranishëm edhe gazetari Fatmir Popja, i cili shprehu konsideratën e tij për figurën e Shahinajt, duke theksuar se titulli “Ambasador i Paqes” është një përmbledhje e natyrshme e asaj që ai ka qenë dhe mbetet në marrëdhëniet njerëzore dhe shoqërore. Jehoja e këtij vlerësimi u reflektua gjerësisht edhe në rrjetet sociale, ku të afërm, miq dhe familjarë ndanë mesazhe të ndjera. Në një prej tyre shkruhej:
“Titulli ‘Ambasador i Paqes’ është pasqyrë e asaj që ke qenë gjithmonë: njeri i urtë, i drejtë dhe me zemër të madhe. Na ke bërë jashtëzakonisht krenarë si familje. Urime nga zemra për këtë nder të merituar – sot dhe gjithmonë krenarë për ty.”
Një moment i veçantë dhe emocional ishte edhe surpriza e përgatitur nga Luis Selimaj, një djalë me talent, i cili ka lidhje familjare me bashkëshorten e Lulzimit. Gesti i tij, i papritur dhe i sinqertë, i dha ceremonisë një dimension njerëzor dhe artistik, duke e kthyer atë jo vetëm në një akt formal nderimi, por në një përjetim të thellë shpirtëror.
Vlerësimi i Lulzim Shahinajt si “Ambasador i Paqes” është, në thelb, një mesazh shprese dhe frymëzimi: se paqja nuk ndërtohet vetëm me fjalë të mëdha, por me jetë të thjeshta, me qëndrime të drejta dhe me shembuj konkretë njerëzorë. Dhe në këtë kuptim, ky titull i shkon për shtat një njeriu që ka ditur ta mbajë paqen si parim jetese.









Comments