top of page

Fatmir Terziu: Lulja në bikinit e tua

  • 7 hours ago
  • 4 min read

Tregim nga Fatmir Terziu: Lulja në bikinit e tua

 

Kalendari në mur tregonte akoma vitin e shthurrur. Blloku im i vjetër i shënimeve gazetareske ishte i tejngopur me pluhur. Pluhur e të keqen e pluhurit. As metalurgjiku nuk do ta kishte ngopur aq shumë. Ndërsa hapësira ishte një pasqyrë e shkëputur nga tërësia. Diku ngecte një anije e ngarkuar natën. Diku një lloj gjullurdie, si të thuash …, eh, si të thuash…, a thua të ishte piskamë?! U zgjova herët, me ndjesinë e çuditshme se dikush kishte hyrë në dhomën time gjatë natës. Në karrigen pranë dritares rrinte një pirat i vjetër, i lagur nga shiu, me një sy të mbuluar dhe një letër të palosur në dorë. Nuk u tremba. Në ëndrra, njerëzit e panjohur kanë gjithmonë një arsye për të qenë aty. Ai ma zgjati letrën dhe tha vetëm: “Mos u beso atyre që vijnë nga deti.” Pastaj u zhduk.

Në kuzhinë, nëna po bënte kafenë. Babai kishte dalë përsëri. Ai kishte kohë që udhëtonte, edhe kur nuk shkonte askund. Thoshte se po kërkonte një vend ku njeriu mund të jetonte pa u kujtuar nga askush. Nëna thoshte se ai thjesht kishte harruar rrugën e kthimit.

Mbi tryezë gjeta një fotografi që nuk e kisha parë më parë. Ishte një grua e ulur buzë detit, me bikini të verdha. Në bark kishte një lule të vogël, të vizatuar me bojë të zezë. Nuk dukej si tatuazh. Dukej si një shenjë që sapo ishte shfaqur.

E ktheva fotografinë. Pas saj shkruhej: “Më kujto kur të harrosh gjithçka tjetër.” Nuk e dija kush ishte gruaja, por diçka tek ajo më dukej e njohur. Ndoshta sepse e kisha parë më parë. Ndoshta në ndonjë ëndërr. Ndoshta në një jetë që nuk e kisha jetuar ende.

Atë pasdite shkova në plazh. Deti ishte i qetë, aq i qetë sa të krijonte frikë. Në breg, valët kishin nxjerrë një burrë të moshuar. Stefani, një fqinj që gjithmonë gjendej pranë fatkeqësive të të tjerëve, e mori dhe e çoi në shtëpi. Askush nuk pyeti nga kishte ardhur. Në qytetin tonë njerëzit ishin mësuar me gjërat që sillte deti. Këpucë pa këmbë, letra pa adresa, trupa pa emra dhe kujtime që askush nuk i kishte kërkuar.

Pak më tej, Marku po i vinte krem dielli Laurës. Ajo qeshte, ndërsa pas tyre një varkë kishte marrë flakë.

“Mark, varka po digjet!”

“E di”, tha ai, pa e ndërprerë lëvizjen e dorës mbi shpatullën e saj.

Mendova se ndoshta të gjithë njerëzit kishin nga një zjarr që e shihnin, por bënin sikur nuk ekzistonte. Pastaj e pashë. Gruaja e fotografisë po ecte përgjatë bregut. Bikinit e verdha, flokët e lagur dhe ajo lule e vogël në bark. Për një çast mendova se ishte një rastësi, por ajo u kthye dhe më pa drejt e në sy. Pastaj hyri në det. E ndoqa. Pas disa hapash uji m'u ngjit deri në gjoks. Pas disa të tjerash nuk kishte më ujë. Kishte një dhomë. Një dhomë e madhe, e bardhë, pa dyer e pa dritare. Në mes të saj ishte një frigorifer. E hapa. Brenda ishte një dorë. E mora në dorë pa e ditur pse.

“E ke gjetur më në fund”, dëgjova.

Pas meje ishte Marta, një grua që nuk e kisha parë kurrë, por që në atë çast m'u duk sikur e njihja prej vitesh.

“Çfarë?” e pyeta.

“Dorën time.”

Ajo ma mori nga duart dhe e futi në mëngë.

“Po lulen?” më pyeti.

“Cilën lule?”

Ajo tregoi barkun tim. E pashë. Kisha një lule të verdhë të vizatuar mbi lëkurë. U zgjova duke bërtitur. Ishte përsëri dhoma ime. Ishte ora katër e mëngjesit. Telefoni po regjistronte një video. E hapa dhe pashë veten duke fjetur. Pas meje, në errësirën e dhomës, qëndronte gruaja me bikinit e verdha. Ajo më afrohej dhe më vizatonte një lule në shpinë.

Pastaj dëgjova zërin e saj: “Mos ki frikë. Lulja nuk të vret.”

Në atë çast u dëgjua një zhurmë e fortë jashtë. Makina e babait po afrohej. Për herë të parë pas shumë kohësh po kthehej. Dëgjova zërin e nënës nga dhoma tjetër: “Mos dil!”

Por unë dola. Makina po vinte drejt meje. Frenat nuk funksiononin. Babai nuk frenoi. Ose ndoshta nuk mundi. Ose ndoshta nuk donte. Në çastin e fundit, gruaja me bikinit e verdha më kapi nga krahu dhe më tërhoqi drejt detit.

Makina kaloi përmes meje. Nuk ndjeva dhimbje. Vetëm një aromë të fortë kripe. Kur hapa sytë, isha përsëri në dhomën time. Pirati nuk ishte më aty. Nëna flinte. Babai nuk ishte kthyer. Fotografia ishte mbi tavolinë. E mora. Gruaja nuk ishte më në të. Ishte vetëm lulja.

E ktheva fotografinë. Shkrimi kishte ndryshuar. Tani thoshte: “Nuk më ke parë në fotografi. Më ke parë në veten tënde.”

Dola në oborr. Deti ishte larg, por mund ta dëgjoja. Nëna doli në dritare.

“Ku po shkon?”

“Po kërkoj një lule.”

Ajo buzëqeshi me keqardhje.

“Lulet nuk rriten në det.”

Nuk iu përgjigja, sepse në horizont, aty ku deti bashkohej me qiellin, gruaja me bikinit e verdha po qëndronte mbi ujë. Dhe lulja në barkun e saj ishte më e madhe se më parë. Atëherë kuptova se nuk kishte ardhur nga deti. Ajo kishte krijuar nga unë. Dhe ndoshta gjithë këto vite, sa herë që mendoja se po kërkoja dikë tjetër, në të vërtetë po kërkoja vendin ku kisha lënë veten. Gruaja ngriti dorën. Pastaj u zhduk. Vetëm lulja mbeti mbi ujë. Një lule e vogël, e verdhë, që lëkundej mbi valë sikur deti të kishte mësuar më në fund të kujtonte sa largësi ka nga Brindizi në bregun tjetër, aty ku unë kisha mbajtur ende shënimet e asaj dite të madhe tragjedie shqiptare.

Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page