top of page

Fatmir Terziu: Luigj Filaj, një emër në plejadën e Normales, muzikës dhe përkthimit

Luigj Filaj, një emër në plejadën e Normales, muzikës dhe përkthimit

 

Luigj Filaj (Janjevë, 21 qershor 1899 - 1969) zë një vend të veçantë në historinë e arsimit dhe të muzikës shqiptare, si pianist i formuar, mësues i përkushtuar dhe autor me prirje të dallueshme krijuese e pedagogjike. Emri i tij lidhet natyrshëm me Shkollën Normale të Elbasanit, këtë vatër themelore të formimit arsimor kombëtar, ku Filaj dha një kontribut të çmuar në edukimin muzikor të brezave të rinj. Formimi i tij profesional nisi herët dhe u pasurua në disa qendra të rëndësishme kulturore. Mësimet e para të muzikës i mori në Shkodër, qytet që përbënte jo vetëm ëndrrën e rinisë së tij, por edhe djepin e muzikës shqiptare dhe një qendër të spikatur të kulturës kombëtare. Pikërisht në këtë mjedis ai u aktivizua në jetën artistike, duke interpretuar pjesë muzikore gjatë shfaqjeve teatrore, si komedia “Dy shërbëtorët” e Goldonit, e përkthyer dhe përshtatur nga Hilë Mosi, në kohën e veprimtarisë së shoqërisë kulturore-artistike “Vllaznia” (1919-1922). Këto përvoja i hapën rrugën studimeve të mëtejshme në Vjenë, një nga kryeqendrat evropiane të muzikës.

Në Austri, Luigj Filaj studioi kompozicion dhe piano, ndërsa paralelisht, për arsye jetese, punoi në fabrikën e njohur të pianove “August Förster”, ku u specializua si mjeshtër i akordimit të pianove. Kjo përvojë teknike e rrallë, e kombinuar me formimin artistik, e bëri atë një figurë të shumëanshme, të vlerësuar nga breza muzikantësh. Siç dëshmon edhe artistja e shquar Marie Kraja, dora e mjeshtrit Luigj Filaj ka lënë gjurmë në shumë instrumente që i kanë rezistuar kohës.

Veprimtaria e tij pedagogjike lidhet ngushtë me Shkollën Normale të Elbasanit, ku ai punoi si mësues muzike dhe bashkëpunoi ngushtë me mësuesin elbasanas Ahmet Duhanxhiu. I sapokthyer në Shqipëri, ai ngriti ndjeshëm nivelin e edukimit muzikor në këtë institucion, duke formuar dhe frymëzuar talente të rinj, të cilët do të luanin rol të rëndësishëm në jetën kulturore të vendit. Angazhimi i tij shoqëror dhe patriotik, i shprehur edhe në prillin e vitit 1924, kur u përfshi në nismën për ngritjen e një force të armatosur për mbrojtjen e vendit, i kushtoi ndërprerjen e punës në vitin 1925, por jo zbehjen e figurës së tij morale dhe profesionale.

Pas kësaj periudhe, Filaj vijoi veprimtarinë në qytete të ndryshme. Në Korçë (1925-1927) ai punoi si shoqërues në piano i filmave pa zë në kinematë e qytetit dhe u bë një figurë aktive e jetës artistike. Shtypi i kohës, si “Gazeta Korça”, e përmend si pianist të formuar në Austri, themelues të bandës së Durrësit, aranzhues veprash për bandë dhe njohës të thellë të teknikave të akordimit të pianove. Kujtimet e personaliteteve si Prof. Milto Vako dëshmojnë ndikimin e tij frymëzues, veçanërisht përmes bandave muzikore që drejtonte në qytete si Pogradeci. Krahas muzikës, Filaj shërbeu edhe si përkthyes, duke vënë në shërbim të institucioneve njohuritë e tij gjuhësore.

Në fushën krijuese, Luigj Filaj la gjurmë të qëndrueshme. Ai është autor i tekstit didaktik “Mësimi i muzikës për shkollat e mesme” (Tiranë, 1935), një vepër me rëndësi për edukimin muzikor, si dhe i përmbledhjes satirike “Daj Jaku” (Tiranë, 1943), pseudonim që përdorte në krijimtarinë e tij letrare dhe përkthimore. Përkthimet e shumta nga letërsia evropiane, përfshirë vepra narrative dhe biografike si “Burgu i dashtunís” mbi jetën e Franz Schubertit, dëshmojnë kulturën e gjerë dhe shijen e rafinuar artistike të autorit.

Mbi të gjitha, emri i Luigj Filajt mbetet i gjallë në memorien kolektive për krijimet muzikore me frymëzim atdhetar dhe lirik. Kënga “Për Mëmëdhenë” ndezi emocione të forta në bangat e shkollave dhe u bë simbol i ndjenjës kombëtare, ndërsa “Kënga e Djepit”, e interpretuar mjeshtërisht nga zëra të mëdhenj si Marie Kraja dhe Edit Mihali, mbetet një nga perlave të repertorit vokal shqiptar. Po ashtu, “Valsi i Rinisë” dëshmon ndjeshmërinë melodike dhe shpirtin e kohës që Filaj dinte të shndërronte në muzikë.

Figura e Luigj Filajt del kështu e plotë dhe e shumëdimensionale: profesionist i përkushtuar i muzikës, pedagog formues, krijues me ndjeshmëri të lartë dhe njeri me virtyte të rralla qytetare. Siç e ka dëshmuar edhe “Artistja e Popullit” Dhora Leka, ai ishte shembull i gatishmërisë njerëzore dhe i guximit moral, një figurë që la gjurmë jo vetëm me veprën, por edhe me qëndrimin e tij fisnik ndaj njerëzve dhe jetës. Në këtë kuptim, Luigj Filaj mbetet me të drejtë një emër i nderuar në plejadën e Normales dhe në historinë e kulturës shqiptare.

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page