top of page

Fatmir Terziu: Le të kthehemi nga udha e largët

Le të kthehemi nga udha e largët, për të parë atë që ka mbetur e tharmët…


Nga Fatmir Terziu


(“Dolla, shoqe, dolla,/në majë të malit,/piva, shoqe, piva,/ujët e Spitharit,/hëngra, shoqe, hëngra/majëzën e barit…“)

(Këngë popullore me përmbajtje lirike)

 

MALI U ZHVESH

 

Mali u zhvesh nuk solli asgjë

kryengritës laramanë, asnjë saksi të stiluar.

Dhe në luginë, midis të dyjave lidhje,

më pak gjerbje,

më shumë dhimbje,

më pak përkëdhelje,

më shumë përshtypje dhe hamendje…

 

SYRI TEK TY

 

Nga pikëz e majës së lartë,

fryhet një pellg i qetë si hapje syri:

e anuara është bar, rrethina është qerpikë

në retinë shpejtojnë shkrepjet murgjet lakuriq

në një pamje të lirë

për të bërë gati fotografitë

në një sfond të fryrë.

 

RETROSPEKTIVË

 

E skicoj me një sy në palcën e memorjes

sa vite kanë kaluar nga këtu

aq shumë sa një rënie e bardhë e pakujdesshme,

ka mbirë si një hu

me rritje e rënie të pjesshme.

 

DOLLI

 

U deha ëndrrave duke pirë burimin e largët,

por prita deri sa ma dhurove gotën,

dhe ngrita dollinë e beqarit.

„Dollinë,“ po them deri vonë.

„Dehjen,“ shton ti.

Jemi mirë. Dhe ashtu vazhdojmë.

Dehemi të dy.   

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page