Fatmir Terziu: Kur promovimi i një libri zbulon miq të mirë
- May 8
- 2 min read

Nga një promovim libri shpesh mbeten kujtime, fjalë, fotografi dhe emocione. Por ka raste kur një aktivitet i tillë zbulon edhe më shumë: njerëz të mirë, miqësi të sinqerta dhe figura që mbartin në heshtje vlera të rralla njerëzore. Kështu ndodhi edhe në promovimin e librit poetik “Dardania ime” të autorit Ndue Përlala, nga "Pen" Londra, ku mes të pranishmëve spikati natyrshëm edhe figura e Miltiadh Memos. I diplomuar në Universitetin Politeknik të Tiranës, në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike, Miltiadh Memo ka punuar në vepra të rëndësishme strategjike shqiptare, duke ndërtuar me përkushtim dhe profesionalizëm një të shkuar të respektuar profesionale. Një pjesë e jetës së tij lidhet edhe me punën në Metalurgjikun e Elbasanit, aty ku shumë specialistë të kohës dhanë kontributin e tyre për industrinë shqiptare. Por ajo që bie më shumë në sy tek ai nuk është vetëm formimi profesional. Është qytetaria e tij. Një intelektual fjalëpakë, me sqimë në bisedë, i qetë dhe i matur, që di të dëgjojë dhe të komunikojë me kulturë. Ai njeh mirë “gjeografinë” e bisedës shqiptare, në kuptimin figurativ të saj: di të respektojë tjetrin, të ruajë etikën dhe të vlerësojë miqësinë. Sot ndodhet në Londër pranë të afërmve të tij, ku gëzon pensionimin me atë dashuri të madhe humane që fisnikërohet nga respekti për shokët, miqtë dhe dashamirësit. Dhe pikërisht ky respekt u ndje edhe në promovimin e librit të Ndue Përlalës.

Në atë takim poetik mori pjesë me mesazhin e saj miqësor për Nduen, edhe poetja ushtarake Iliriana Sulkuqi nga SHBA, e cila përshëndeti nga larg autorin me ngrohtësi e respekt. Ajo dhe Ndue Përlala kishin punuar dikur në ushtrinë shqiptare të kohës së monizmit, çka i jepte takimit një dimension tjetër kujtese dhe mirënjohjeje. Por mbi të gjitha, ajo që e bëri të veçantë promovimin ishte thjeshtësia dhe disiplina njerëzore e pjesëmarrësve. Ishin pikërisht këto vlera që i dhanë një emër më shumë librit me vjersha “Dardania ime”. Libri nuk mbeti vetëm një botim poetik; ai u kthye në një urë miqësie, kujtese dhe respekti njerëzor.
Në Child’s Hill Park, në mjediset mikpritëse të shqiptarit të mirë nga Kosova, Avni Sopa, shtatë a tetë vetë folën për librin në fjalë. Ndërsa grupi katërsh, i kryesuar nga zoti Miltiadh Memo dhe bashkëshortja e tij, shtuan se autorin e njihnin nga kurset e gjuhës angleze në Mbretërinë e Bashkuar. Ata thanë pothuajse njëzëri se aty kishin parë shqiptarin e mirë, mikun e sinqertë dhe talentin e hershëm të shkrimit. Dhe ndoshta ky është kuptimi më i bukur i promovimeve të tilla, librat jo vetëm lexohen, por edhe zbulojnë njerëzit që mbajnë ende gjallë fisnikërinë, kulturën dhe respektin për njëri-tjetrin.








Comments