top of page

Fatmir Terziu: kur plagët thërrasin diskursin poetik bashkë me dhimbjen

Fatmir Terziu: kur plagët thërrasin diskursin poetik bashkë me dhimbjen

 

Hera e parë që e ndesh këtë emër. E ndesha rastësisht midis qindra postimeve për „Albanian Post“ dhe „Fjala e Lirë“ në Londër. Dhe u ndala. Në fakt bashkë me lotin, bashkë me dhimbjen… u ndala se s'ka stacion tjetër kur plagët thërrasin diskursin poetik bashkë me dhimbjen. E kjo ishte poezia e Alban Hajrushit, të cilët e pashë pas leximit të ngrihet mbi një truall ku fjala nuk është zbukurim, por dëshmi. Pikërisht aty ku vargu nuk është strehë estetike, por thirrje etike. “Plagë në gur, plagë në shpirt” është një tekst poetik që i bindet logjikës së kujtesës kolektive dhe jo ornamentit lirik. Diskursi poetik këtu lind nga dhimbja historike e Reçakut dhe shndërrohet në një akt përkujtimi që refuzon heshtjen.

Qysh në vargjet e para, poeti aktivizon një personifikim të fuqishëm të hapësirës: “flet dheu me lot”, “qan edhe era”. Toka dhe natyra nuk janë sfond, por subjekte që mbajnë barrën e krimit. Ky animizëm poetik e kthen Reçakun në një trup të gjallë, ku plagët nuk janë metaforike, por reale, të gdhendura “si thikë në gur”. Guri, simbol i qëndrueshmërisë dhe kujtesës, bëhet njëkohësisht dëshmitar dhe arkiv i dhimbjes.

Struktura tripjesëshe e poezisë përkon me një rritje graduale të intensitetit emocional. Në pjesën e parë mbizotëron elegjia dhe pyetja morale (“Ku është drejtësia?”), në të dytën shpërthimi akuzues dhe mallkimi etik, ndërsa në të tretën ndodh përqendrimi tragjik te pafajësia absolute e viktimave. Pyetjet retorike nuk kërkojnë përgjigje; ato janë forma e vetë akuzës, një akt gjykimi poetik ndaj heshtjes dhe harresës. Një nga boshtet më të forta të poezisë është antiteza mes pafajësisë dhe barbarisë. Fëmijët me lodra, djepat që kthehen në arkivole, gratë me dashuri e shpresë, burrat me djersë e nder – përballë një “regjimi të zi me duar gjaku”. Kjo përplasje nuk ka nuanca gri: poeti zgjedh qartë anën morale, duke e zhveshur dhunën nga çdo justifikim ideologjik apo politik. Gjuha e Hajrushit është e drejtpërdrejtë, e ngarkuar emocionalisht, por funksionale. Ai shmang metaforat e sofistikuara dhe zgjedh figuracionin e qartë dhe të ashpër, sepse tema nuk duron ambiguitet estetik. Përsëritja (“Çka patën fëmijët?”, “Çka patën gratë?”, “Çka patën burrat?”) krijon një ritëm psalmik, gati liturgjik, duke e shndërruar poezinë në një lloj lutjeje laike për drejtësi dhe kujtesë.

Në thelb, kjo poezi nuk synon vetëm të emocionojë, por të mos lejojë harresën. “Plagë që s’shërohet as në një mijë vjet” nuk është hiperbolë poetike, por një deklaratë historike, Reçaku mbetet plagë e hapur në ndërgjegjen shqiptare dhe njerëzore. Diskursi poetik i Alban Hajrushit shndërrohet kështu në një akt rezistence morale, ku fjala mban peshën e gjakut dhe poezia bëhet formë e kujtesës së gjallë. Në këtë tekst, ndërsa qindra të tjerë kemi shkruar e krijuar për Reçakun, përfshirë dhe veten time, kuptojmë qartë se poeti nuk flet për Reçakun. Ai flet nga Reçaku. Dhe pikërisht këtu qëndron forca e tij letrare dhe etike. Urime!

 ___________________________________________________

 

Alban Hajrushi: REÇAKU I LIRISË

PLAGË NË GUR, PLAGË NË SHPIRT

(REÇAKU I LIRISË)

I.

Sot Në Reçak flet dheu me lot,

Flet me gjak, flet me eshtra, flet me mot.

Plagët janë male që s’shërohen kurrë,

Si zjarr në shpirt, si thikë në gur.

Sot Në Reçak qan edhe era,

Qan për fëmijët, qan për nënën e mjera.

Qan për babën që s’u kthye në prag,

Qan për jetën që u shndërrua në varr.

Ku është drejtësia?

Ku fshihet ajo?

Në cilën errësirë u zhduk, ku u mbyll sot?

Ku është drejtësia për gjakun e derdhur,

Për Reçakun që kurrë s’u shërua, veç u ther?

Më 15 janar shkojmë me shpirt në dorë,

Me lot që bien si shi mbi gurë e varre.

Jo për shëtitje, jo për fjalë boshe,

Për nderim të shenjtë, për plagë që s’po mbyllen as sot, as nesër.

II.

Sa mosha të vogla i mori dita e zezë,

Fëmijë që s’patën kohë as të rriten në jetë.

Djepa u kthyen në arkivole,

Lodra u shndërruan në simbole dhimbjeje.

Sa mosha të vogla u prenë në mes,

Si lule në pranverë që s’panë kurrë vjeshtë.

Regjimi i zi me duar gjaku,

Shkroi histori me plumba, jo me fjalë e drejtësi.

Zot, mallko ato duar pa zemër,

Që vranë fëmijë, gra, burra me emër.

Duart që s’ndërtuan kurrë një shtëpi,

Veç shkatërruan ëndrra, veç mbollën zi.

III.

Çka patën fëmijët?

Veç buzëqeshje,

Çka patën gratë?

Veç dashuri e shpresë.

Çka patën burrat?

Veç djersë e nder,

Veç ëndrra për jetë, jo për ferr.

Çka patën ata?

Veç emër e gjak,

Veç tokën e tyre, veç pragun e shtëpisë,

Veç Reçakun plak.

Ata s’kishin armë, kishin zemër,

Kishin familje, kishin emër.

Emrat u gdhendën në gur të ftohtë,

Zërat u shuan në natë pa dritë.

Dhimbja u bë mal, u bë det, u bë qiell,

U bë plagë që s’shërohet as në një mijë vjet.

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page