top of page

Fatmir Terziu: Kur Odiseu dëgjon Shqipërinë

  • 2 hours ago
  • 9 min read

Kur Odiseu dëgjon Shqipërinë

 

(Nga Bekim Fehmiu te Christopher Nolan dhe zëri i fshehtë shqiptar i detit)

 

Dje, në një nga kinematë VUE të Londrës, përpara se të shfaqej The Odyssey e Christopher Nolanit, ndodhi diçka e çuditshme. Për gati tridhjetë minuta, filmi nuk kishte filluar ende. Reklama. Dritat. Ekrani që ndërrohej nga një produkt në tjetrin. Kokoshkat përpara. Zhurma e lehtë e sallës. Pastaj, pikërisht kur mendon se më në fund do të hysh në botën e Homerit, të gjithë celularët e sallës u ndezën njëkohësisht. Një sinjal shtetëror britanik. Njoftim për vapën, rrezikun e zjarreve dhe masat e kujdesit. Dhe papritur mendova se kjo nuk ishte aspak jashtë filmit. E dini pse? Në transparencën time akademike, po aq dhe atë të njohurive ballkanike, Odisea është, në thelb, një histori për njeriun që përballet me natyrën kur natyra nuk pranon të jetë dekor. Pastaj celularët heshtën. Salla u errësua. Dhe filloi deti.

 

1. Nga sinjali i shtetit te zëri i Homerit

 

Kishte diçka simbolike në këtë kalim. Jashtë filmit, një shtet modern i thotë njeriut, ej Njeri, kujdes nga nxehtësia, kujdes nga zjarri, respekto rregullat, ruaju nga forca e natyrës. Në film, një botë mijëra vjet më e vjetër i thotë njeriut diçka tjetër. Ti nuk e kontrollon dot natyrën. Odiseu mund të jetë mbret. Mund të jetë strateg. Mund të ketë ushtri. Mund të mposhtë Trojën.

Por sapo hyn në det, pushteti i tij zvogëlohet. Deti nuk njeh kurorë. Kjo është një nga gjërat që Nolan e kupton më mirë se shumë përshtatje të mëparshme të Homerit, Odisea nuk është vetëm histori aventurash. Është histori e përplasjes ndërmjet njeriut dhe asaj që nuk mund të komandohet.

Dhe pikërisht këtu fillon ndryshimi i madh i Nolanit. Ai nuk e trajton Odiseun thjesht si heroin që duhet të kthehet në shtëpi. Ai e trajton si një njeri që duhet të paguajë çmimin e kthimit.

 

2. Bekim Fehmiu, Odiseu që vinte nga një botë tjetër

 

Këtu kujtesa shqiptare ka të drejtë të ndalet. Në vitin 1968, Bekim Fehmiu ishte Odiseu. Në serialin italian Odissea, Fehmiu nuk ishte thjesht një aktor që luante një figurë të lashtësisë. Ai i dha Odiseut një trup, një fytyrë dhe një heshtje që mbetën në kujtesën europiane. Seriali përbëhej nga tetë episode dhe Fehmiu interpretonte Ulissen, ndërsa Irene Papas ishte Penelopa.

Dallimi është i madh. Odiseu i Fehmiut kishte një lloj tragjedie të qetë. Ai dukej sikur e mbante brenda vetes peshën e të gjithë udhëtimit.

Odiseu i Matt Damonit është tjetër. Ai është më fizik. Më i ekspozuar. Më i ashpër. Më strategjik. Nuk është më vetëm njeriu që kërkon shtëpinë. Është njeriu që duhet të kuptojë se çfarë ka bërë me veten gjatë rrugës për në shtëpi. Dhe kjo është ndoshta arsyeja pse krahasimi mes Fehmiut dhe Damonit nuk duhet bërë në pyetjen, se “Kush ishte Odiseu më i mirë?” Pyetja më interesante është, se Çfarë kohe përfaqëson secili Odise? Fehmiu i vitit 1968 ishte Odiseu i një kinemaje që besonte ende te madhështia e heroit. Damon është Odiseu i një kohe që dyshon te heroi.

 

3. Nolan nuk e filmon mitin, ai e zhvesh mitin

 

Këtu qëndron risia më e madhe e filmit. Në shumë përshtatje të mëparshme, mitologjia shfaqej si një botë e jashtëzakonshme. Nolan bën të kundërtën. Ai përpiqet ta bëjë të jashtëzakonshmen të duket materiale. E rëndë, e ftohtë, e lagësht, e lodhshme, e frikshme. Deti nuk është vetëm bluja romantike e aventurës. Është masë, temperaturë, erë, errësirë dhe humbje orientimi. Beteja nuk është vetëm koreografi. Është trup. Udhëtimi nuk është vetëm lëvizje. Është konsumim. Kjo lidhet me zgjedhjen e Nolanit për ta trajtuar botën e epokës së bronzit nëpërmjet një realiteti sa më fizik dhe sa më pak dekorativ. Dhe muzika bëhet pjesë e këtij projekti.

 

4. Dhe pastaj dëgjohet Shqipëria

 

Këtu filmi merr një kthesë që, për një shqiptar, është e pamundur të mos e ndjesh ndryshe. Ludëig Göransson udhëtoi në jug të Shqipërisë gjatë kërkimit të tingujve për filmin. Ai regjistroi iso-polifoni shqiptare dhe tinguj të fyejve tradicionalë të barinjve. Regjistrimet nuk mbetën thjesht materiale dokumentare. Ato u futën në strukturën e partiturës. Kjo është shumë më e rëndësishme sesa të thuash, se “Ka muzikë shqiptare në film.” Jo. Ajo që ndodh është më interesante. Shqipëria nuk është vetëm në kolonën zanore. Ajo është në mënyrën se si filmi e dëgjon botën e lashtë. Ky është ndryshimi.

 

5. Fyelli nuk është dekor. Është kujtesë.

 

Fyelli baritor ka një veçanti të jashtëzakonshme. Ai nuk tingëllon si instrument pallati. Nuk ka luks. Nuk ka madhështi ceremoniale. Është tingulli i njeriut që qëndron me kopenë, që pret, që ecën, që dëgjon erën. Dhe kjo e bën atë jashtëzakonisht të përshtatshëm për Odisean.  Odiseu është, në një kuptim të thellë, një bari i vetes së tij, i cili humbet, kthehet, ndahet, ribashkohet.

Pastaj ndjek një shenjë, dëgjon një zë, kërkon një rrugë. Fyelli, pra, nuk është vetëm tingull. Është tingulli i udhës. Në të dhënat e ekipit muzikor të filmit, Vendim Kapaj figuron si interpretuesi i fyellit, ndërsa këngët tradicionale iso-polifonike janë aranzhuar dhe interpretuar nga “Të rinjtë e Delvinës”. Dhe kjo e ndryshon krejt mënyrën se si duhet dëgjuar filmi.

 

6. Isoja shqiptare dhe problemi i vetmisë së Odiseut

 

Kjo, për mua, është pika më e bukur e gjithë këtij zbulimi. Iso-polifonia shqiptare është muzikë që nuk ekziston përmes një zëri të vetëm. Një zë udhëheq. Të tjerë përgjigjen. Një zë ngrihet. Të tjerë e mbajnë. Një zë largohet. Të tjerë e mbajnë hapësirën. Dhe çfarë është kjo, nëse jo një metaforë e përsosur për Odisean? Odiseu është vetëm, por historia e tij nuk është vetëm. Ai mbart Penelopën, Telemakun, Itakën, Trojën. Ama edhe shokët e humbur, Zotat, armiqtë, të vdekurit, Detin, kujtesën. Në këtë kuptim, iso-polifonia nuk është thjesht një element folklorik i vendosur mbi pamjet e Greqisë së lashtë. Ajo bëhet një mënyrë muzikore për të shpjeguar vetminë. Një njeri udhëton vetëm, por në të vërtetë udhëton me shumë zëra.

 

7. Zbulimi tjetër, Shqipëria nuk përdoret për të imituar Greqinë

 

Kjo është një pikë që, sipas meje, duhet theksuar fort. Göransson nuk shkoi në Shqipëri për të gjetur një “tingull grek”. Ai gjeti një traditë shqiptare dhe e përdori si një nga shtresat e një bote muzikore që duhej të tingëllonte shumë më e vjetër se një orkestër moderne hollivudiane.

Vetë kërkimi muzikor i filmit përfshiu edhe instrumente të lashta si aulosi dhe lira, ndërsa tingujt shqiptarë u ndërthurën me materialin e kompozitorit. Kjo është arsyeja pse fjala “autenticitet” duhet përdorur me kujdes. Filmi nuk po thotë, se “Kështu tingëllonte Greqia e Homerit.” Ai po ndërton një univers të mundshëm tingullor për një botë që nuk ekziston më.

Dhe në këtë univers hyn edhe Shqipëria.

 

8. Delvina, Gramshi, Vlora, gjeografia që u bë tingull

 

Këtu historia bëhet edhe më interesante. Sipas të dhënave të bëra publike nga studiuesit dhe bashkëpunëtorët shqiptarë, nga qindra regjistrime Göransson përzgjodhi disa burime kryesore, fyejt e Gramshit, zërat e grupit “Të rinjtë e Delvinës” dhe interpretimet e Vendim Kapajt. Secili tingull mori një funksion tjetër dramatik. Fyelli lidhet me peizazhin, kurse zërat lidhen me forcën, betejën dhe Odiseun. Fyelli i Kapajt lidhet edhe me botën e përtejme, sirenat, dhimbjen dhe humbjen. Këtu ndodh diçka që kinemaja rrallë e bën. Gjeografia bëhet karakter. Gramshi nuk është më vetëm një vend në hartë. Delvina nuk është më vetëm një qytet. Vlora nuk është më vetëm një hapësirë regjistrimi. Ato bëhen frekuenca, bëhen frymë, bëhen kujtesë, bëhen det.

 

9. Penelopa, personazhi që nuk pret më thjesht

 

Një tjetër ndryshim i rëndësishëm është Penelopa. Në një lexim tradicional, ajo është gruaja që pret burrin, por një film modern nuk mund ta lërë atë vetëm në këtë pozicion. Penelopa është gjithashtu administruese e mungesës. Ajo duhet të mbajë shtëpinë gjallë ndërsa Odiseu është zhdukur. Kjo do të thotë se ndërsa ai udhëton nëpër det, ajo udhëton nëpër kohë. Dy udhëtime paralele. Njëri fizik. Tjetri emocional. Dhe kjo e bën marrëdhënien Odise–Penelopë më interesante se vetë pyetja “a do të kthehet ai?” Pyetja është: A do të jenë ende të njëjtët njerëz kur të kthehen?

 

10. Telemaku: djali që trashëgon një mungesë

 

Telemaku është ndoshta personazhi më modern i historisë. Ai nuk trashëgon vetëm një mbretëri. Trashëgon një pyetje. “Kush është babai im?” Dhe më pas, pyetja kthehet filozofi, “Kush duhet të bëhem unë?” Nëse Odiseu lufton për të kthyer trupin në shtëpi, Telemaku lufton për të ndërtuar identitetin e tij në hijen e një babai që është bërë legjendë. Kjo e bën marrëdhënien e tyre shumë më tepër se një histori baba-bir. Është përplasje ndërmjet kujtesës dhe së ardhmes.

 

11. Ciklopi, Circe, Sirenat, jo thjesht përbindësha

 

Edhe këtu Nolan ndryshon qasjen. Ciklopi nuk funksionon vetëm si përbindëshi që duhet mposhtur. Ai është kufiri i trupit. Circe është kufiri i dëshirës. Sirenat janë kufiri i dëgjimit. Kalipsoja është kufiri i kohës. Hadi është kufiri i vdekjes. Deti është kufiri i kontrollit. Kështu, udhëtimi i Odiseut mund të lexohet si një seri dyersh. Çdo krijesë që ai takon është një version tjetër i dobësisë njerëzore. Dhe muzika e Göranssonit i lidh këto dyer.

 

12. Muzika nuk shoqëron figurën. Ajo e paralajmëron atë.

 

Kjo është një nga arritjet më të rëndësishme të partiturës. Në një film të zakonshëm, muzika vjen pas emocionit. Këtu, shpesh, ajo e paraprin. Ti dëgjon diçka përpara se ta kuptosh plotësisht se çfarë po ndodh. Nndjen një frymë, një zë, një dredhërimë, një tingull të largët. Pastaj pamja. Kjo është veçanërisht e rëndësishme në Odisean, sepse Homerit nuk i mjafton ajo që sheh njeriu. Gjithmonë ekziston diçka që dëgjohet përpara se të shihet. Prandaj fyelli shqiptar ka një funksion pothuajse profetik. Ai vjen nga larg. Dhe kur afrohet, kupton se nuk ishte thjesht muzikë. Ishte paralajmërim.

 

13. “Odiseu” dhe “Itaka”, dy pika të të njëjtit udhëtim

 

Albumi i Göranssonit përmban 23 pjesë, mes tyre “Ithaca”, “Penelope”, “Telemachus”, “Cyclops”, “Troy”, “Circe”, “Hades”, “Sirens”, “Odysseus” dhe “Ëhen I’m Home”. Vetë titujt tregojnë diçka. “Odiseu” dhe “Itaka” nuk janë dy gjëra të ndryshme. Janë dy skaje të të njëjtit identitet, sepse Itaka nuk është thjesht vendi ku ai dëshiron të shkojë. Itaka është ajo që i tregon se kush është. Në fillim, Odiseu mendon se po kthehet në shtëpi. Në fund, kupton se duhet të kthehet te vetja.

 

14. Dhe këtu kthehet Bekim Fehmiu

 

Pikërisht këtu, në errësirën e sallës së Londrës, figura e Bekim Fehmiut më duket sikur hyn në film nga një derë tjetër, jo si fantazmë, as si nostalgji, ama hyn si kujtesë. Në vitin 1968, kur unë isha vetëm katër vjeçar dhe kufiri shqip-shqip më ndante me Bekimin e Madh, një shqiptar nga Ballkani interpretoi Odiseun për miliona shikues europianë. Në vitin 2026, një tjetër Odise, këtë herë i interpretuar nga Matt Damon, udhëton nëpër një prodhim gjigant të kinemasë botërore.

Dhe mes këtyre dy Odiseve ndodh diçka e jashtëzakonshme. Shqiptari nuk është më vetëm aktori që luajti Odiseun. Këtë herë, vetë Shqipëria është bërë një nga zërat e Odiseut. Kjo është një diferencë historike. Fehmiu i dha Homerit fytyrën shqiptare në Europë. Göransson i dha filmit të Nolanit një tingull shqiptar. Njëri hyri në mit me trupin e tij. Tjetri hyri në mit përmes muzikës.

 

15. Dhe sinjali i celularit?

 

Tani, kur e rikujtoj atë sinjal britanik në sallën e VUE-së, më duket edhe më interesant. Një zë modern na tha: “Ruajuni nga nxehtësia.” Një film i lashtë na tha: “Ruajuni nga deti.” Në të dyja rastet, njeriu është i njëjti. Ka teknologji, ka anije, ka celular, ka satelitë, ka mbretëri, ka ushtri, ka qytetërim. Por përballë një force më të madhe se vetja, njeriu mbetet ende njeri. Dhe ndoshta kjo është arsyeja pse Odisea vazhdon të rikthehet. Ai nuk është histori e një greku të lashtë. Është histori e njeriut.

 

16. Shqipëria që nuk shihet, por dëgjohet

 

Kjo është, në fund, ajo që do të mbaja nga filmi, jo vetëm Trojën, as vetëm Itakën. Jo vetëm detin. Jo vetëm Odiseun. Por atë çast kur, mes një produksioni kolosal të Hollivudit, në një botë të rindërtuar nga Nolan, papritur hyn një frymë nga jugu shqiptar, me një fyell, pastaj një zë, pastaj disa zëra. Dhe isoja. Ama nuk ka flamur. Nuk ka titull që thotë “Shqipëri”. Mendoj se nuk ka nevojë, sepse muzika nuk ka nevojë të tregojë pasaportën e saj. Ajo vetëm duhet të tingëllojë. Dhe kur tingëllon në një film të Christopher Nolanit, në një nga prodhimet më të mëdha të kinemasë bashkëkohore, ajo bën diçka që ndoshta një reklamë turistike nuk do ta arrinte kurrë, e vendos Shqipërinë brenda kujtesës akustike të një miti botëror.

Prandaj The Odyssey e vitit 2026 mund të lexohet edhe si një kthim i çuditshëm i Shqipërisë në lidhjen me Homerin. Në vitin 1968, Bekim Fehmiu u bë Odiseu. Pra, në vitin 1968, Odisea kishte një sekret shqiptar që kinematografia botërore ndoshta nuk e lexoi sa duhet. Odiseun e luante Bekim Fehmiu, shqiptari i Prizrenit, por dhe Penelopën e luante Irene Papas, aktorja greke me prejardhje shqiptare. Pra, çifti që Homeri e vendosi në Itakë, në ekranin europian të vitit 1968, u mishërua nga dy figura që, në mënyra të ndryshme, lidheshin me të njëjtën hapësirë shqiptare. Dhe sot, më shumë se gjysmë shekulli më pas, kur Nolan e rikthen Odisean në ekranin botëror, Shqipëria nuk shfaqet më vetëm përmes një aktori, ajo dëgjohet përmes iso-polifonisë dhe fyellit. Sikur historia të ketë bërë një rreth të çuditshëm. Dikur Shqipëria i dha Odisesë fytyrën e Bekim Fehmiut, tani i jep zërin e saj. Në vitin 2026, Shqipëria bëhet zëri i udhëtimit të tij. Dhe midis të dyjave qëndron një det. Një det që nuk ka komb. Një det që nuk ka gjuhë. Por që, këtë herë, në filmin e Nolanit, flet edhe shqip.

1 Comment


Kujtim Stana
an hour ago

Një shkrim i përsosur, analizë letrare racionale, krahasuese, me risitë që sjell, filmi "Odisea" i Nolan përballë filmit "Odisea" i Matt Damon, 5-6 dekadave më parë. Nëse, në filmin e më parshëm heroi mitizohet, te filmi i ri që po çfaqet së fundmi, siç thotë autori Fatmir Terziu, Nolan e xhvesh mitin. Te ky film, ndonëse Shqipëria, nuk shihet, ajo dëgjohet, nëpërmjet isos polifonike të trevave më të spikatura të vendit tonë.

Nga vetë mënyra si e ka kompozuar profesor Fatmiri këtë shkrim, do të thoja studimor, ai ligjëron mjaft bukur, duke nxjerrë përcaktime të sakta, artistiko-historike, por dhe aktoriale, duke nxjerr në pah vlera e veçori. Diku-diku, na përkëdhelin dhe sedrën kombëtare e çlirojnë emocione të pa evitueshme krenarie.…

Like

Shkrimet e fundit

bottom of page