Fatmir Terziu: Kur bisedon me intelektualin Zabit Baja
- Jan 15
- 3 min read

Mjaftojnë pak minuta bisedë me Zabit Bajën që të ndjesh një lëvizje të brendshme, një shkundje të qetë, por të thellë të mendjes. Nuk është ajo tronditja e zhurmshme që vjen nga fjalët e mëdha, por një zgjerim i heshtur i horizontit, si të hysh papritur në një "institucion" tjetër, jo atë formal, ku tund kokën për mirësjellje, por një "univers" real, njerëzor, ku mëson duke dëgjuar dhe duke reflektuar. Te Zabit Baja njeh para së gjithash Njeriun e mirë. Njeh punëtorin e palodhur, familjarin e përkushtuar, njeriun e punës që minutat e jetës nuk i shpërdoron, por i kthen në shërbim përmes korrektësisë, përgjegjësisë dhe përkushtimit. Fjala e tij është e matur, e besueshme, pa tepri, pa bujë, por me peshë. Në një kohë kur fjalët shpesh konsumohen shpejt, ai i kursen dhe i vendos aty ku duhet, si gurë themeli.
Si Menaxher Kontratash në "AN Construction Solution", Zabit Baja mishëron modelin e shqiptarit të suksesshëm në Britaninë e Madhe, profesionist, korrekt, i integruar pa humbur identitetin, i respektuar për atë që bën dhe për mënyrën si e bën. Ai nuk kërkon të duket. Puna e tij flet vetë. Dhe pikërisht kjo e bën figurën e tij edhe më domethënëse, një shembull se dinjiteti nuk shpallet, por ndërtohet ditë pas dite. Kur dëgjon bisedat e miqve rreth tij, rreth arsyes së fjalës së bukur dhe hapave të matur që hedh, kupton se këto shpjegime kanë diçka nga urtësia e lashtë, të kujtojnë Diodorus Siculusin kur fliste për shkaqet e përmbytjeve të Nilit. Janë shpjegime që nuk kërkojnë shtesa artificiale. Përkundrazi, çdo përpjekje për t’u shtuar diçka tjetër do të dukej e panevojshme, madje e padrejtë. Mjafton të ruash në zemër kujtimet dhe përjetimet, sepse aty qëndron e vërteta e tij.
Në këtë udhëtim njerëzor, Zabit Baja duket sikur ecën gjithnjë me një vetëdije të qartë për momentin vendimtar. Ka në të një ndjenjë “zgjimi”, atë dridhje të lehtë që vjen në çastet kyçe të jetës, një përzierje ndarjeje dhe fillimi të ri. Është një ndjesi që nuk të paralizon, por të shtyn përpara, si një stuhi pranvere që pastron ajrin dhe mendjen njëkohësisht. Në ato çaste, reflektimi nuk është arratisje nga problematika, por përqendrim në thelbin e saj. Dhe ndoshta, diku në heshtjen e mendimit, i vjen ndër mend një varg i thjeshtë, por i fuqishëm, që tingëllon si një udhërrëfyes i brendshëm, „sepse ti, fillim, je gati për një mrekulli…“ Një varg që nuk ka nevojë për autor, sepse i përket përvojës njerëzore. Një varg që e shoqëron edhe më tej, duke marrë formë më të plotë, më të ndritshme. Dhe ja ku je, duke filluar, një mrekulli gati për të na mbrojtur dhe për të na reflektuar të mirëkuptojmë, edhe qoftë me një bisedë, edhe qoftë me një fjalë.
Kështu është edhe biseda me Zabit Bajën, një fillim i qetë që të hap drejt një mrekullie të vogël intelektuale dhe njerëzore. Një kujtesë se vlerat e vërteta nuk bëjnë zhurmë, por lënë gjurmë. Dhe këto gjurmë, në jetën e përditshme dhe në kujtesën tonë, janë dëshmia më e bukur e një shqiptari model dhe e një intelekti të jetuar me dinjitet. Dhe këtë portret e vulos më së miri fjala e drejtuesit të AN Construction Solution, Aqif Neli, i cili për Zabit Bajën shprehet thjesht, por me një peshë domethënëse: “Është njësh, vlerë, respekt dhe cilësi njerëzore.” Një vlerësim që nuk ka nevojë për zbukurime, sepse vjen nga përvoja e përditshme, nga puna e përbashkët dhe nga besimi i ndërtuar me kohë. Në këto pak fjalë përmblidhet jo vetëm profesionalizmi i Zabit Bajës, por edhe ajo që është më e rrallë dhe më e çmuar, karakteri. Të jesh “njësh” në punë është arritje, të jesh “vlerë” dhe “respekt” si njeri është trashëgimi. E pikërisht kjo e bën Zabit Bajën një emër që nuk lidhet vetëm me kontrata e projekte, por me cilësi njerëzore që lënë gjurmë të qëndrueshme.









Te kesh rreth vetes njeres me vlera njerzore eshte vertet llux ne ditet e sotme
Intelektual me gjithë vlerat njerëzore
Ky shkrim më se i merituar për këtë njeri të mrekullueshëm e të dashur, Fatmir, më kthen në kujtesë më shumë se 20 vjet më parë, kur pata fatin ta njoh në aktivitete të ndryshme kulturore, sportive dhe shoqërore në Sutton, ku Zabiti të bënte menjëherë përshtypje për seriozitetin dhe për zemrën e madhe të një njeriu të dashur për të gjithë. Çdo fjalë në këtë shkrim e pasqyron më së miri këtë burrë fisnik, i cili e meriton plotësisht çdo vlerësim të shkruar.
E njëjta gjë vlen edhe për z. Haqif Neli. Pa dyshim, fjalët më të mira shkojnë edhe për z. Fatmir Terziu, i cili gjithë jetën e tij ia ka kushtuar komunitetit shqiptar dhe më gjerë. Gjej…