top of page

Fatmir Terziu: Koha e bishtit të veshgjatit

  • 1 day ago
  • 3 min read

Koha e bishtit të veshgjatit

(Tregim sarkastik)

 

Në fillim askush nuk e vuri re. Ai vazhdonte ta tundte bishtin. Ishte i vogël, thuajse ceremonial. Dilte nga fundi i palltos, përdridhej me finesë dhe fshihej sapo afrohej ndonjë pasqyrë. Madje, disa e quanin shenjë qytetërimi. “Njeriu modern duhet të jetë elastik”, thoshin. Dhe bishti ishte, mbi të gjitha, elastik. Pastaj erdhën vitet kur bishtat u bënë modë. Nuk kishte rëndësi çfarë dije, çfarë kishe lexuar, çfarë kishe ndërtuar apo çfarë kishe sakrifikuar. Mjaftonte ta përdorje bishtin në drejtimin e duhur. Përpara shefit tundej me ritëm patriotik. Para pushtetit përdridhej si flamur në stuhi. Para parasë merrte një finesë baleti. Ndërsa para së vërtetës… futej mes këmbëve. I vetmi që nuk e kuptonte këtë ishte Veshgjati.

Ai kishte veshë të mëdhenj. Aq të mëdhenj sa dëgjonte edhe atë që nuk thuhej. Dëgjonte heshtjen e librave në bibliotekë, kollën e ndërgjegjes në sallat e mbushura me duartrokitje, britmën e fjalëve të vrara nga komplimentet. Ishte një mallkim të dëgjoje kaq shumë. Një ditë e thirrën në Këshillin e Bishtave.

- Je i talentuar, - i thanë. - Ke mendje, ke gjuhë, ke dinjitet… por të mungon gjëja më e rëndësishme.

- Cila?

- Bishti.

- Nuk kam lindur me të.

- Askush nuk lind me të, - buzëqeshi kryetari. - E fiton me përvojë.

Dhe i tregoi sallën. Ishte e mbushur me njerëz pa shtyllë kurrizore, por me bishta madhështorë. Disa i kishin të artë. Disa me dekorata. Disa me diploma. Disa me tituj akademikë të varur si zile në fund të bishtit. Kur hynte ndonjë ministër, sallës i dëgjohej vetëm një zhurmë, fësh-fësh-fësh… mijëra bishta që fshinin dyshemenë nga zelli.

Veshgjati iku pa folur. Qyteti vazhdonte të festonte. Çdo javë shpallej një hero i ri. Heroi njihej lehtë: kishte bishtin më të gjatë se kujtesën dhe kujtesën më të shkurtër se interesi. Në ceremoni recitoheshin fjalime për moralin, ndërsa morali rrinte jashtë derës, sepse nuk kishte ftesë. Gazetat botonin fotografi të bishtave më elegantë. Televizionet organizonin debate për estetikën e përkuljes. Universitetet hapën degën “Menaxhimi Strategjik i Bishtit”. Profesorët shpjegonin se historia nuk ndryshohej nga ata që ngrinin kokën, por nga ata që dinin ta ulnin në këndin e duhur. Edhe fëmijët filluan të luanin ndryshe.

- Unë bëhem shef.

- Mirë.

- Po ti?

- Unë të tund bishtin.

Fitonte gjithmonë ai që tundej më bukur. Vetëm pleqtë tundnin kokën.

- Dikur njerëzit mbanin fjalën, - murmurisnin.

- Tani mbajnë bishtin.

Kaluan vite.

Bishtat u rritën aq shumë, sa njerëzit nuk shihnin më përpara. Ecnin duke ndjekur bishtin e atij që kishin përpara. Askush nuk pyeste ku po shkonin. Mjaftonte të mos dilnin nga radha. Një mëngjes, qyteti u zgjua pa pasqyra. Nuk ishte vjedhje. I kishin hequr vetë, sepse pasqyrat kishin filluar të tregonin diçka të rrezikshme, fytyrat po bëheshin njësoj. Vetëm bishtat dalloheshin. Veshgjati, që ende dëgjonte zërin e ndërgjegjes mes zhurmës së servilizmit, mori rrugën për të ikur. Në dalje të qytetit ishte një tabelë e ndryshkur: “Mirë se vini në Epokën e Bishtit.” Poshtë, dikush kishte shkruar me laps: “Këtu dinjiteti pranohet vetëm nëse pranon të amputohet.” Veshgjati buzëqeshi për herë të parë. Nuk ishte buzëqeshje gëzimi. Ishte ajo buzëqeshje e hidhur që lind kur kupton se satira ka pushuar së qeni letërsi dhe është bërë dokument historik. Dhe pikërisht atë çast, qyteti shpalli një festë të re. E quajtën “Dita e Karakterit”. Natyrisht, hyrja lejohej vetëm për ata që kishin bisht.

Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page